Erion Veliaj përgjysmoi taksën e parë, duhet të nxitojë për të gjitha të tjerat

Nga Ervis Iljazaj

Bashkia e Tiranës ka vendosur për uljen e taksës së ndërtimit nga tetë për qind në katër, duke u bërë kështu taksa e parë që ulet në drejtimin e saj nga Erion Veliaj. Sigurisht që, një vendim i tillë nga ana e Bashkisë së Tiranës nuk mund të anashkalohej nga një pjesë e opinionit publik si një veprim që shkon në favor të industrisë së ndërtimit apo siç quhen ndryshe të oligarkëve.

Në fakt, ulja e taksës së ndërtimit është më në fund një reflektim i Kryebashkiakut të Tiranës për sa iu përket politikave fiskale, të cilat deri më tani kanë njohur rritje si asnjëherë më parë. Në këtë kuptim, jo vetëm që përgjysmimi i taksës së ndërtimit është një lajm i mirë për të gjithë, duke filluar që nga biznesi e deri te konsumatori, por kjo politikë duhet nxitur edhe më tej. Bashkia e Tiranës duhet të fillojë të mendojë edhe për uljen e taksave të tjera sa më shpejt të jetë e mundur.

Erion Veliaj është një politikan ambicioz, dhe për këtë askush nuk ka dyshim. Mjafton të shohësh “overdozën” e prezencës së tij në media  apo të PR-it që i bën punës së tij, për të kuptuar që projektin ambicioz që ka për Tiranën në funksion të karrierës së tij politike, kërkon ta çojë deri në fund me çdo kosto, qofshin ato kostot e taksave të larta ashtu sikurse po ndodh në këtë moment që flasim.

Mirëpo, pas PR-it me inaugurime të këndeve të lojërave apo mbjelljeve të pemëve, pas një Tirane estetike që kërkon të na paraqesë kryebashkiaku, qëndron një Tiranë tjetër, është Tirana ekonomike, e cila është e mbytur me taksa të larta për këdo.

Mjafton të bësh një bisedë me bizneset apo me njerëz të thjeshtë që jetojnë në Tiranë për të kuptuar se barra fiskale për të gjitha shërbimet është kthyer në një problem të madh për këdo. Prandaj, pemët dhe këndet e lodrave nuk i justifikojnë taksat e larta të cilat rëndojnë gjithmonë e më shumë në jetën e qytetarëve. Në radhë të parë, një komunitet lokal është një komunitet që ka nevojë për mirëqenie dhe zhvillim, më pas për estetikën e kurorave të pemëve. Nëse kjo e fundit kushton shumë për qytetarët dhe ndikon në ekonominë e tyre, atëherë nuk ia vlen barra qiranë.

Sigurisht që projekti ambicioz i Veliajt për Tiranën kërkon financime, por nëse ato rëndojnë në xhepat e qytetarëve më shumë seç duhet, atëherë duhet ndryshuar strategji.

Qytetarët e Tiranës nuk duhet të paguajnë koston e një projekti, që përtej atij të Tiranës është edhe një projekt politik personal. Ndryshe nuk kuptohet kjo “overdozë” e prezencës në media, ky nxitim i kryebashkiakut që e sheh kudo, deri brenda mureve të shtëpisë së qytetarëve, me një vrapim që nuk ndalet për asnjë moment, a thua se është gati duke u përgatitur që tani për të marrë postin e Kryeministrit.

Në këtë kuptim, kjo ambicie nuk duhet të rëndojë në xhepat e qytetarëve të Tiranës, në një garë politike që për ta s’ka asnjë rëndësi. Prandaj është mirë që Erion Veliaj të ndryshojë politikat duke filluar nga ulja e taksave. Duhet një frymëmarrje nga vrapimi i tij mediatik, i cili po na kushton të gjithëve taksa më të larta dhe si pasojë një ekonomi lokale aspak konkurruese.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Java e provës për mazhorancën: Do ta pengojë apo do ta mbështesë Reformën në Drejtësi?

Nga Ervis Iljazaj Çështja e ish-ministrit Tahiri ka tronditur mazhorancën politike në...
Read More