fbpx

Kultura

Ëndërr italiane për Ylljet Aliçkën





               Publikuar në : 10:02 - 28/07/16 |
mapo.al

AlickaBotohet në Itali nga shtëpia botuese “Rubbettino” romani i shkrimtarit Ylljet Alicka, “Il sogno italiano” (Valsi i lumturisë) me përkthimin e Giovanna Nancit. Ky roman është fitues i çmimit të letërsisë, ndarë nga Ministria e Kulturës në vitin 2013 dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në çmimin Ballkanika 2014


“Valsi i lumturisë”, romani i fatit të hidhur, i izolimit politik e atij njerëzor shkruar nga Ylljet Aliçkës botohet në Itali. Lajmi bëhet i ditur nga vetë autori, i cili në mënyrë të kursyer na bën me dije se libri shkon në qarqet letrare italiane nga shtëpia botuese “Rubbettino”, me përkthimin e Giovanna Nancit, me titullin e ndryshuar “Il sogno italiano”.



Është konsideruar një roman, ndoshta më i pjekur se “Rrëfenjat me ndërkombëtarë”, ku autori në vazhdimësinë e stilit të tij, ironik, të ndjeshëm e sarkastik, në dukje neutral e i paanshëm, rrëfen një histori, ku gjashtë personazhe kryejnë një akt kurajoz, donkishotesk dhe heroik në të njëjtën kohë. I shkruar para tre vjetësh, ky roman është fitues i çmimit kombëtar “Pena e argjendtë” për 2012-n, që ndan Ministria e Kulturës. Ngjarja e romanit “Valsi i Lumturisë” fokuson marrëdhëniet historike e diplomatike të Shqipërisë me shtetin fqinj Italinë dhe gjatë procesit të krijimtarisë hyn në rrjedhat e një analize shumë komplekse sociale dhe filozofike. Një marrëdhënie shumë e ndërlikuar e Shqipërisë me vendet e tjera në komunizëm e ka bërë subjektin e romanit që pasqyrohet në dy kahe; kahun historik dhe politik. Stili i një shkrimtari me përvojë si ai i Aliçkaj dhe figuracioni i përsosur letrar, përmbushin një linjë të ndërlikuar filozofike të romanit, që i kapërcen kufijtë e vendit ku ka ndodhur ngjarja. Shkrimtari Ylljet Aliçkaj është shprehur se titulli i romanit “është marrë nga një këngë e këngëtarit të shquar italian Fabricio de Andre”. Romani është mbështetur mbi një ngjarje të vërtetë dhe persona realë, por në roman i takon artistikisht vetëm si personazhe.


Në dhjetor të 1985-s, gjashtë anëtarët e familjes Popa hynë ilegalisht në ambasadën italiane. Rasti i tyre bëhet çështje ndërkombëtare për Shqipërinë e vogël e të izoluar. Familja Popa, një familje e thjeshtë nga Durrësi hyn tinëzisht (duke u hequr si turistë) në ambasadën italiane dhe aty kërkon menjëherë strehim politik. Shteti totalitar shqiptar pëson një tronditje të madhe nga ky gjest në atë kohë. I quan shtetasit e vet “kriminelë”. Një gjë të tillë, kush kishte guxuar ta bënte më parë ishte pushkatuar. Ngjarja që erdhi nga këta njerëz të thjeshtë, mori përmasa të paparashikueshme ndërkombëtare. Gjashtë anëtarët e familjes Popa, nga frika e dënimit, deklaruan se do të vetëvriteshin, nëse ambasadori italian i dorëzon në duart e sigurimit të shtetit. Ata u mbrojtën për rreth 5 vjet në ambasadën italiane, veprim që u bë shkak për tensionimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, por edhe shkak për kthimin vëmendjes nga Shqipëria të ndërkombëtarëve. Ambasada italiane rrethohet me mbi 600 mijë policë. Përtej brigjeve, televizioni italian transmetonte ngjarjen reale nga Tirana. Duket se autori i druhet marrjes së një pozicionimi, duke u përpjekur të rrijë jashtë loje. Ai furnizon lëndë pa dhënë asnjë opinion apo leksion morali. Ligësia njerëzore, dinjiteti, ngrohtësia njerëzore, poshtërsia, nënshtrimi apo zotërimi, sipas autorit, shprehen më mirë nëpërmjet elementëve në pamje të paanshëm e butësisht.

 



Pas