Emrat, kush i zëvendëson katër ministrat e shkarkuar

Kryeministri Rama ka bërë dje 4 ndryshime në qeveri. Ikën Tahiri, Klosi, Beqaj dhe Çuçi. Ai ka mohuar që këto ndryshime të kenë lidhje me protestën e opozitës dhe as si kërkesë e Metës. Basha ka bërë të ditur se protesta do vazhdojë duke kërkuar largimin e Ramës

Kishte deklaruar se deri në zgjedhje nuk do kishte ndryshime në qeveri.

Por duket se një situatë e pazakontë, që erdhi si rrjedhojë e protestës së opozitës, por edhe e zhvillimeve brenda vetë mazhorancës, e detyroi kryeministrin Edi Rama që vetëm 3 muaj nga zgjedhjet parlamentare të bëjë ndryshimet më të mëdha që kanë ndodhur në këto 4 vite në kabinetin qeveritar.

Ndryshimet kanë prekur 4 ministri, ndërmjet të cilave edhe atë më të rëndësishmen dhe njëkohësisht edhe më të atakueshmen, Ministrinë e Brendshme.

Saimir Tahiri është larguar nga pozicioni i ministrit të Brendshëm, ndërsa bashkë me të është larguar edhe një tjetër ministër shumë i atakuar nga opozita për afera të dyshuara korrupsioni, Ilir Beqaj nga ministër i Shëndetësisë.

Dy ministrat e tjerë që janë detyruar të lënë karriget e tyre të ministrave janë, ministri i MMSR-së, Blendi Klosi, dhe ai i Pushtetit Vendor, Blendi Çuçi.

Vendimi i marrë dy ditë më parë, iu është komunikuar ministrave të shkarkuar nga vetë kryeministri Edi Rama dje gjatë paradites, në një takim ku merrnin pjesë edhe koordinatorët elektoralë të partisë.

Rama pasdite theksoi se ndryshimet nuk vinin si pasojë e protestës së opozitës.

“24 orët e fundit keni dëgjuar turlilloj teorish konspirative për ndryshimet në qeveri. Tani dua të shpjegoj unë si qëndron çështja e këtyre ndryshimeve. Së pari, këto ndryshime nuk kanë asnjë lloj lidhjeje me shfaqjet elektorale që jepen një orë paradite dhe një orë pasdite në studion televizive që është instaluar këtu poshtë zyrës sime. Nuk kanë lidhje as me deputetët e shkretë të PD që bëjnë dhe turne nate me grafikë për të ruajtur studion dhe turfullojnë me njëri-tjetrin për pagesat e figurantëve, të cilët mezi po i mbledhin për të duartrokitur liderin që nuk e kanë”, -tha Rama.

Arsyet

“Ndryshimet e qeverisë nuk reflektojnë asgjë tjetër veçse domosdoshmërinë që udhëheqësit tanë politikë të fushatës të qershorit të fokusohen me energji të reja dhe prani të vazhdueshme pranë njerëzve në përballimin e volumit të jashtëzakonshëm të kontakteve me njerëzit që kërkon kjo fushatë. Duke nisur nga Tirana ku Tahiri është kryetari i partisë sonë dhe ambicia jonë është të ngrihemi mbi rezultatin e fitores shembullore të vitit 2013”, theksoi Rama.

Por ky duket se është një justifikim pasi nëse do ndiqej i njëjti argument për të gjithë ministrat që janë drejtues politikë nëpër qarqe atëherë do duhej që të ishte larguar më shumë se gjysma e kabinetit qeveritar.

Po ashtu, ai do të mohonte që largimet e këtyre 4 ministrave kishin ardhur për shkak të mosfunksionimit si duhet të dikastereve që ata drejtojnë, pavarësisht se për Tahirin dhe Beqajn nuk kanë munguar akuzat dhe kritikat qoftë nga opozita, ashtu edhe nga brenda vetë mazhorancës.

Përkundrazi, kryeministri do t’i vlerësonte ministrat e larguar për punën e kryer, teksa Saimir Tahirin do ta konsideronte si kampion.

Duke u përpjekur që të mbrojë jo vetëm ministrat por edhe vetë Partinë Socialiste nga ndonjë zemërim i bazës socialiste për nënshtrim ndaj LSI-së, Rama në këtë deklaratë u përpoq të theksojë se këto lëvizje nuk kishin ardhur as si pasojë e ndonjë kërkese të aleatit të tij në qeverisje, Ilir Meta.

 Emrat e rinj

Sipas burimeve nga qeveria emrat e mundshëm që do të zëvendësojnë Saimir Tahirin në postin e ministrit të Brendshëm janë tre në diskutim.

Më favorit duket se është Niko Peleshi, zëvendës/kryeministër.

Një tjetër alternativë është ministrja e Shtetit, Ermonela Felaj.

Dhe një emër tjetër që po merret në konsideratë është Vexhi Muçmata, ish-prokuror dhe anëtar i komisioni të posaçëm të Reformës në Drejtësi,

Burimet shtuan se për Shëndetësinë janë 3 kandidatura: anëtarja e Komisionit të Shëndetësisë Klodiana Spahiu, deputeti socialist Ilir Pendavinji, si dhe mjeku i njohur, aktualisht deputet në kuvendin e Shqipërisë, Ylli Ziçishti.

Sa i përket postit të ministrit të Mirëqenies Sociale, përfliten katër emra. Një nga kandidaturat potenciale është Olta Xhaçka, ndërsa në “lojë” janë dhe Evis Kushi, Arta Dade dhe Musa Ulqini.

Sipas burimeve, për Ministrinë e Pushtetit Vendor, kandidatë janë Namik Dokle, Et’hem Ruka, Adelina Farrici dhe Blerina Gjylahmeti.

Basha

Vetë kryetari i opozitës, Lulzim Basha, deklaroi se protesta do të vazhdojë, ndërsa i ka konsideruar largimet e ministrave si karikatura të së keqes së madhe, që sipas tij është vetë Rilindja.

“Ai nuk po e dëgjon zërin e qytetarëve. Ai ka pasur për detyrë që të dëgjojë zërin e qytetarëve. Ta dëgjojë mesazhin që shqiptarët e bashkuar i kanë dhënë që në 18 shkurt”, – u shpreh Basha nga çadra në bulevard.

Ai tha se opozita s’do tërhiqet nga rezistenca edhe sikur Rama të shkarkojë të gjithë qeverinë e tij, duke bërë të ditur se kushti i vetëm mbetet largimi i tij dhe krijimi i qeverisë teknike.

“Nuk jemi mbledhur këtu as për “koka turku”, as për “koka kecash”, as për “delesh”. Jemi mbledhur këtu për një mision; zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Si mendon ai se ne do ia vëmë fajin Lindita Nikollës për kanabizimin e Shqipërisë? Apo ndonjë personi tjetër. Ky ka qenë produkt i vendimeve politike që Rama ka marrë për të sjellë krimin në pushtet. Nuk jemi këtu për të ngrënë sapunin për djathë apo Tahirin për Ramën. Ne nuk largohemi nga këtu pa u dorëhequr Edi Rama”, – deklaroi më tej Basha, duke bërë të qartë se kriza politike mbetet prapë, pavarësisht përpjekjeve të Ramës për të bërë një hap para.

LSI

Por ndryshe nga kryeministri Edi Rama, LSI ka një lexim tjetër të këtyre ndryshimeve, duke theksuar se ato i shërbejnë pikërisht mundësisë së vendosjes së dialogut me opozitën.

Sipas ministrit të Bujqësisë ndryshimet bëhen për të kthyer stabilitetin politik dhe rikthimin e opozitës në parlament, çka do të hapte më pas edhe rrugën për Reformën në Drejtësi.

“Çdo lëvizje që mund të ndodhë brenda kabinetit “Rama” dhe që i shërben rivendosjes së klimës së stabilitetit, që i shërben pikërisht këtij qëllimi, mendoj se nuk është ndonjë dramë e madhe që largohen 2-3-4 ministra, mjaft kjo që t’i shërbejë rivendosjes së stabilitetit institucional, rivendosjes së dialogut dhe natyrisht rimarrjes së menjëhershme me shpejtësi të ritmit të reformës dhe rikthimit sa më parë të opozitës në parlament”, – u shpreh dje Panariti.

Patozi: Rama i pastroi të gjitha ferrat, që i shponin këmbët Veliajt

Një tjetër interpretim ka pasur për ndryshimet në qeveri deputeti demokrat, Astrit Patozi.

Sipas tij ndryshimet në qeveri nuk kanë të bëjnë fare me realitetin e sotëm politik në vend, por me realitetin politik dhe interesat brenda vetë Partisë Socialiste.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ai ka theksuar se me këto lëvizje Rama hoqi rivalin e kryebashkiakut Erion Veliaj në luftën për kreun e PS-së, Saimir Tahirin, si dhe një nga kundërshtarët e tij për garën për Bashkinë e Tiranës, Blendi Klosi.

“Mos u lodhni kot të gjeni arsyet se përse u mbulua sakrifikimi i Saimir Tahirit me 3 koka të tjera turku, të cilat u përdorën për kusur që superministri të mos ekzekutohej i vetëm. Apo që Edi Rama i pastroi me këtë rast të gjitha ferrat, që i shponin këmbët Erion Veliajt, jo vetëm rivalët, por edhe ish-rivalët në parti. Le më pastaj të kërkosh përse-në e largimit të Bledi Çuçit, për të cilin 99 për qind e njerëzve vetëm sot janë kujtuar që është ministër. Dhe kjo ndoshta jo për faj të tij. E vetmja gjë që duhet mbajtur mend është se tashmë qeverinë e Edi Ramës, çfarëdo që t’i bësh, sado në pjesë ta ndash, sido që ta maskosh, ajo prapë kungulleshkë do të mbetet”, – shkroi Patozi.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ndërkombëtarët, dështakët kryesorë të reformës

Nga Ergys Mërtiri Mosarritja e një marrëveshjeje gjatë takimit Rama-Basha, nuk duket...
Read More