Efekti i reformave të qeverisë: Vlerësimet e Civicit dhe Xhepës

A patën efekt reformat e qeverisë dhe çfarë ndikimi dhanë në ekonomi? Pyetja që është më aktuale se kurrë në kushtet e fushatës për një mandat të ri politik për ekspertë të ndryshëm ka këndvështrime dhe përgjigje të ndryshme. Dy ekspertët më në zë të ekonomisë, profesorët Adrian Civici dhe Selami Xhepa japin vlerësimet e tyre për reformat më kryesore të ndërmarra nga qeveria socialiste në këto katër vite. Për Presidentin e UET, Adrian Civici, reformat e qeverisë kanë qenë të efektshme. Politika e taksave i ka stabilizuar treguesit buxhetorë, ndonëse shtresa e mesme është penalizuar nga taksa progresive. Ai vlerëson si të efektshme reformën në energji, reformën territoriale dhe reformën në arsimin e lartë. Ndërkohë Presidenti i Institutit Europian Pashko, Selami Xhepa, thotë se pavarësisht reformave në këtë mandat qeverisës, rritja ekonomike mbeti shumë e ngadaltë; cilësia e investimeve publike dhe ndikimi i tyre në rritjen ekonomike është i debatueshëm; papunësia, veçanërisht midis të rinjve është shumë e përhapur; pagat dhe pensionet nuk pësuan asnjë indeksim për të ruajtur fuqinë blerëse të pandryshuar; investimet private, veçanërisht ato të huaja, munguan.

Reforma e taksave

Sa efekt pati sistemi progresiv dhe aksioni anti-informalitet në zhvillimin e përgjithshëm dhe veçanërisht në rendimentin fiskal?

Adrian Civici Reforma e taksave apo për të qenë më të saktë “ndryshimet fiskale” të lançuara në fushatën elektorale të vitit 2013 nga Partia Socialiste, dhe më vonë të aplikuara në programin qeverisës kishin dy qëllime: Së pari, rritjen nga 10 në 15% të taksave e tatimeve për sigurimin e të ardhurave më të mëdha për buxhetin e shtetit, në mënyrë që qeveria të kishte mundësi më të mëdha për financime publike, shlyerjen e borxheve të brendshme e të jashtme etj.; së dyti, vendosjen e taksës progresive vetëm për të ardhurat nga paga në emër të një “arsyetimi apo vlere me karakter politik e ideologjik”, “ata që fitojnë më shumë duhet të paguajnë më shumë”. Mendoj se rritja në masën 15% e taksave pati efekte pozitive në të ardhurat në buxhet dhe ndikimi i saj në bilancet e biznesit apo nivelin e konsumit nuk pati ndonjë efekt të dukshëm negativ, ndërkohë që i dha më shumë hapësirë e frymëmarrje shpenzimeve publike dhe sidomos pagesave për borxhet e vjetra të trashëguara. Taksa progresive e zbatuar vetëm për të ardhurat nga paga, lehtësoi disa kategori punonjësish, sidomos ata me të ardhura të ulëta dhe shumë të ulëta, por që goditi rëndë rreth 12000 persona që kanë paga të larta, por që përbëjnë kategorinë profesionale më cilësore të vendit, grupin më të shkolluar e intelektual që të ardhurat i ka vetëm nga puna. E theksoj këtë se tatimi mbi fitimin mbeti në nivelin 15%, ndërsa taksa progresive për pagat e larta shkoi deri në 23%. Përfitimet dhe të ardhurat në buxhet nga taksa progresive ishin tejet minimale. Aksioni anti-informalitet është një nga veprimet apo objektivat pozitivë për t’u vlerësuar, qoftë si vullnet politik, qoftë si domosdoshmëri për normalizimin e ekonomisë dhe financave. Rezultatet në këtë drejtim kanë qenë pozitive, aq më tepër që statistikat dëshmonin për një nivel informaliteti 40-45%, çka e vendoste Shqipërinë në vendet shumë problematike në këtë drejtim. Megjithatë, më shumë se sa politika anti-informalitet, ne mbetëm në më të shumtën e rasteve në masa apo aksione anti-informalitet. Në shumicën e rasteve, dukej se mbizotëronin masat që ndikonin më shumë në fiskalizimin e ekonomisë se sa në formalizimin e saj. Në përgjithësi mendoj se ky ka qenë një nga aksionet e suksesshme të qeverisë në këtë mandat 4- vjeçar.

Selami Xhepa Zhvillimet ekonomike dhe sociale gjatë këtij mandati të PS nuk mund të konsiderohen që të kenë realizuar pritshmëritë që pati krijuar programi qeverisës i saj. Rritja ekonomike mbeti shumë e ngadaltë; cilësia e investimeve publike dhe ndikimi i tyre në rritjen ekonomike është i debatueshëm; papunësia, veçanërisht midis të rinjve, shumë e përhapur; pagat dhe pensionet nuk pësuan asnjë indeksim për të ruajtur fuqinë blerëse të pandryshuar; investimet private, veçanërisht ato të huaja munguan; krediti në ekonomi shënoi rënie të theksuara, ndërkohë që kreditë me probleme mbetën në nivelet më të larta të rajonit dhe një shqetësim permanent për funksionimin e sistemit bankar; cilësia e qeverisjes e matur me indekset e transparencës dhe korrupsionit nuk shënoi ndonjë përmirësim ndërsa praktikat e koncesioneve të reja janë jo transparente dhe dobia e tyre është e dyshueshme; ekonomia kriminale është zgjeruar veçanërisht me përhapjen masive të kanabisit dhe lëndëve narkotike. Në mënyrë të përmbledhur, progresi i vendit drejt një vendi të zhvilluar që duhet të jetë objektivi më madhor kombëtar, ka mbetur në vend. Lidhur me politikat fiskale PS erdhi me një premtim që të realizonte një “taksim të ndershëm”, duke taksuar më shumë të pasurit dhe më pak të varfrit nëpërmjet taksimit progresiv; rritje e barrës së taksave në tërësi në ekonomi në mënyrë të realizonte një konsolidim fiskal. U rrit tatimi mbi fitimin, dividendët dhe format e tjera të të ardhurave nga 10% në 15%, ndërsa kategoritë e tjera të taksave dhe tatimeve (akcizat, tatimi mbi pasurinë, taksat nacionale dhe lokale) gjithashtu u rritën ndjeshëm. Në këtë sfond të barrës tatimore, rritja e të ardhurave tatimore ishte e pritshme. Por, në raport me potencialin e vet rritës, gjykoj se administrata nuk ka performuar mirë. Të ardhurat tatimore në vend në vitin 2008 ishin 24.5% e PBB-së, kur barra e taksimit ishte e përgjysmuar, ndërkohë që të ardhurat tatimore në vitin 2016 janë po 24.6% e PBB-së, megjithëse sot barra tatimore është pothuaj 50% më e lartë. Po kështu, lufta ndaj evazionit fiskal që u ndërmor nga qeveria, edhe/ose e mirëpritur dhe e nevojshme për një ekonomi dhe konkurrencë të ndershme, ishte e keqorganizuar dhe rezultatet flasin se të ardhurat tatimore shënuan edhe rënie (viti 2015 krahasuar me vitin 2014). Në kushtet e të ardhurave buxhetore në nivele të ulëta, borxhi publik shënoi rritje: nga 65.5% në vitin 2013 në 73% në vitin 2015 dhe 71% në vitin 2016, për t’u planifikuar të vazhdojë të ulet nën 70% vetëm pas vitit 2017. Në tërësi, mendoj se arritjet e politikave fiskale kanë qenë mediokër, por që janë hedhur bazat potenciale për një konsolidim të fortë në vitet në vazhdim.

Reforma e energjisë

Sa e efektshme rezultoi sipas jush?

Adrian Civici Energjia është sektori ku nevoja për ndërhyrje energjike e eficiente ishte më e madhe. Vjedhja e energjisë, humbjet kolosale në rrjet, koncesione të debatueshme për eficiencën e tyre, çmime shitje e importi të çrregullta, investime të pamjaftueshme, etj., ishin disa nga indikatorët që kërkonin me urgjencë ndërhyrje energjike në këtë sektor. Në këtë kuadër, 4 vite më pas mund të themi se rezultatet e reformave në energji janë pozitive dhe mjaft të prekshme. Humbjet në rrjet janë ulur ndjeshëm, pagesat e energjisë janë shtuar duke arritur nivele mjaft të vlerësueshme, investimet në prodhimin dhe infrastrukturën e energjisë janë rritur, tregu i energjisë duket se po menaxhohet më mirë. Megjithatë, nëse do flasim për reforma të rëndësishme apo reforma strukturore në sektorin e energjisë, duhet të shtojmë nevojën për reforma që çojnë në shtimin e burimeve të prodhimit të energjisë, në harmonizimin e plotësimin e prodhimit të energjisë nga burime alternative, përmirësimin e strukturës së përdorimit të energjisë ndërmjet konsumit familjar dhe konsumit industrial të saj, uljen e kostos dhe çmimit të energjisë, etj. Ndërtimi i TAP-it dhe mundësitë potenciale të Shqipërisë për t’u furnizuar me gaz, apo siç quhet ndryshe procesi i gazifikimit të Shqipërisë, që përbën një ndër arritjet tona më të mëdha në fushën e energjisë, kërkon reforma e masa të shpejta për të krijuar kushtet e mundësitë që gazi të përdoret shumë më masivisht si në përdorim familjar, ashtu dhe përdorim industrial. Deri tani, në këtë drejtim është bërë shumë pak.

Selami Xhepa Lidhur me politikat e qeverisë në raport me sektorin e energjisë, mendoj se reforma tarifore e çmimit të energjisë, kombinuar me një administrim “me dorë të fortë” të korporatës së shpërndarjes, rezultuan në një performancë pozitive të sektorit, duke eliminuar një nga rreziqet e rëndësishme për financat publike. Mendoj se kjo është dhe një nga fushat ku qeveria mund të konsiderohet se ishte e suksesshme dhe një shembull që duhet ndjekur dhe në sektorët e tjerë publikë. Por, nga ana tjetër marrëdhëniet e qeverisë me operatorët privatë në gjenerimin e energjisë janë përkeqësuar për shkak të ndryshimeve të njëanshme të termave të kontratave në formimin e tarifës së shitjes, efektivisht duke e kaluar barrën e “subvencionimit” të energjisë nga korporata te sektori privat.

 

Reforma territoriale

Sa e dobishme ka rezultuar në zhvillimin e rajoneve?

Adrian Civici Reforma territoriale ishte një nga reformat apo ndryshimet më të domosdoshme për funksionimin më eficient të pushtetit lokal në Shqipëri. Dobishmëria e saj nuk ka nevojë për komente. Sistemi i ri i ndarjes territoriale me një numër shumë më të kufizuar njësish vendore e bën qeverisjen lokale më eficiente financiarisht, më të lehtë nga pikëpamja organizative dhe më konkrete në aplikimin e projekteve të ndryshme të zhvillimit, planet dhe strategjitë e zhvillimit lokal.

Mendoj se faza e parë e kësaj reforme që rezultoi me ndarjen e re territoriale, me gjithë debatet dhe kundërshtimet, shpesh të drejta të opozitës për kritere elektorale e politike të marra në konsideratë, ishte hap mjaft pozitiv. Kombinimi i ndarjes së re territoriale, përfshirë këtu dhe gjithë kompletimin ligjor dhe funksional të tyre, me krijimin dhe funksionimin e rajoneve, mbyll ciklin e plotë “formal” të reformës territoriale. Ndërkohë funksionimi eficient dhe rezultatet pozitive që priten prej saj nuk ndodhin nëse kjo paketë e parë ndryshimesh “territoriale” nuk plotësohet me kuadrin ligjor e institucional të nevojshëm. Në strukturat e pushtetit lokal ka mjaft elemente ligjore të paplotësuara që në një farë mënyre pengojnë funksionimin eficient të tij. Në këtë këndvështrim kjo reformë ka ecur ngadalë duke penguar apo duke shtyrë për më tej rezultatet e planifikuara dhe shpresuara në momentet e hartimit të saj.

Selami Xhepa Reforma territoriale ishte një nga ato reforma shumë të domosdoshme për shkak të fragmentarizmit të organeve të qeverisjes vendore në copëza shumë të vogla dhe ekonomikisht pa sens. Në këtë kuptim, rritja e madhësisë së tyre krijon ekonominë e duhur të shkallës, duke menaxhuar më mirë burimet lokale dhe duke i vënë ato në shërbim të publikut. Efektet është shumë shpejt të maten, pasi procesi sapo ka filluar. Qeveria qendrore po vazhdon të delegojë më shumë funksione pranë pushtetit vendor, por nga pikëpamja financiare problemet vazhdojnë të ekzistojnë, një vëzhgim i CoPlanit për këtë çështje, ngre shqetësime lidhur me mbështetjen e duhur financiare të pushtetit vendor për përmbushjen e funksioneve që kanë. Po ashtu, autoriteti i pushtetit vendor në grumbullimin e të ardhurave duhet të rritet në mënyrë që të shmanget varësia nga transfertat nga qeveria qendrore. Vetëm ky ndryshim do të tregtojë realisht shkallën e decentralizimit dhe autonominë e vetëqeverisjes lokale.

Reforma për klimën e biznesit

A kanë krijuar një ambient komod për bizneset?

Adrian Civici Me gjithë luhatjet e saj të ndjeshme, sidomos po t’i referohemi treguesit më të fundit të Bankës Botërore për klimën e biznesit në Shqipëri, mund të thuhet se rezultatet kanë qenë pozitive. Përgjithësisht, mjaft nga procedurat dhe rregullat që kanë lidhje me biznesin janë thjeshtuar apo grupuar si shërbime në një sportel të vetëm, një sërë masash me karakter rregullator janë miratuar, mjedisi i taksave është më transparent dhe më pak agresiv me biznesin.

Nga pikëpamja strikte e klimës së biznesit mund të thuhet se Shqipëria ka ecur mirë në këto 4 vitet e fundit, natyrisht duke mbajtur rezerva për cilësinë dhe saktësinë e zbatimit të tyre konkret në raport me bizneset. Aktualisht, për bizneset është një situatë më lehtësuese për pagimin e taksave, për lejet e ndërtimit, për hapat dhe proceduarat e funksionimit të një biznesi, për llojin dhe sasinë e dokumenteve të domosdoshme etj.

Selami Xhepa Klima e biznesit, siç provohet nga disa raporte, Doing Business i Bankës Botërore por dhe një sërë vëzhgimesh të kryera nga dhomat e ndryshme të tregtisë që veprojnë në Shqipëri, si: Dhoma Amerikane, Gjermane, Austriake, Shoqata e Investitorëve të Huaj etj., kanë qenë përgjithësisht të përkeqësuar. Qoftë funksionimi i drejtësisë, korrupsioni i përhapur, dobësitë e administratës publike, problemet e pronësisë etj., kanë qenë dhe faktorët kryesorë negativë që kanë ndikuar. Pikërisht për këto arsye edhe Investimet e Huaja Direkte i kanë munguar vendit; ato u kufizuan kryesisht në blerje/shitje, shkrirje/bashkime të kompanive ekzistuese, por jo me investime të reja. Nuk u krijua asnjë park industrial apo zonë ekonomike dhe nuk u tërhoq asnjë projekt me rëndësi kombëtare.

Reforma në arsim

Çfarë efektesh dha, çfarë pritet?

Adrian Civici Gjatë këtij mandati, reforma në arsim u përqendrua në dy drejtime madhore.
Reformën në arsimin e lartë, të konkretizuar me miratimin e ligjit të ri për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor; dhe reformën në arsimin profesional, si një domosdoshmëri për rritjen e cilësive të burimeve njerëzore dhe përmirësimin e tregut të punës. Reforma në arsimin e lartë e miratuar gati dy vite më parë, në thelbin e saj, duke qenë e frymëzuar nga përvoja anglosaksone, synon të krijojë një mënyrë dhe formë të re të organizimit dhe funksionimit të universiteteve, që në themel të saj ka barazinë ndërmjet sektorit privat dhe atij shtetëror, rritjen e konkurrueshmërisë, cilësisë dhe standardeve të universiteteve e kombinuar kjo me rritjen maksimale të autonomisë së tyre, rritjen e mundësisë për financime alternative, riformatimin e ofertës universitare në funksion të nevojave bazë të ekonomisë dhe stadit të zhvillimit të vendit e aplikuar, kjo duke mbajtur maksimalisht në konsideratë studentët e talentuar, studentët me nevoja sociale dhe degët apo profesionet me interes kombëtar. Reforma e arsimit të lartë nënkuptonte dhe një sërë aktesh nënligjore, VKM apo udhëzime, të cilat do të bënin të mundur zbatimin eficient të saj. Por, në këtë drejtim, zbatimi i reformës ka rezultuar i ngadaltë, sidomos në krijimin e agjencive të reja mbështetëse të saj, akteve nënligjore, udhëzimeve etj. Në ngadalësimin e zbatimit të reformës mendoj se ka ndikuar dhe politizimi i tejskajshëm i saj, në disa raste edhe nga vetë anëtarë të koalicionit qeverisës që e kanë votuar atë.

Selami Xhepa Reforma në arsimin e lartë, e cila nisi me një proces shumë të gjerë dhe të konsultuar, rezultoi në një ligj që shënon përmirësime me bazën e mëparshme ligjore, por qeveria nuk ishte në gjendje ta vinte ligjin në zbatim efektiv. Procesi i regjistrimit të studentëve vitin e kaluar ishte problematik duke krijuar shumë zhgënjim te qytetarët. Kjo bëri që të gjallërohen zërat populistë, duke ofruar alternativa politike që do ta rëndojnë seriozisht gjendjen e arsimit të lartë. Një studim i kryer së fundmi nga London School of Economics tregon qartazi se Shqipëria është vendi më problematik në Ballkan në këtë fushë dhe se zgjidhjet kërkojnë reduktimin e numrit të studentëve në sistem, në mënyrë që universitetet të mbështeten më mirë me burime për të modernizuar teknikat e mësimdhënies, ndërtimin e praktikave dhe lidhjeve me biznesin, etj. Mënyra e financimit të arsimit të lartë duhet të mbështesë studentët që meritojnë mbështetjen e shoqërisë dhe që janë të pamundur dhe jo masivizim pa asnjë kriter. Them se ka realisht shumë punë për të përmirësuar sektorin e arsimit të lartë dhe testi do të jetë mënyra se si do të zbatohet ligji.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Revista Mapo analizon ‘katër liderët e herës së parë’

Trendi i partive apo lëvizjeve antisistem, që u ndal vetëm muajin e...
Read More