E megjithatë ligji i vettingut është antikushtetues

Fitim ZekthiNga Fitim Zekthi

Ligji i vettingut u la në fuqi nga Gjykata Kushtetuese dhe krijoi mundësi për qeverinë dhe mbështetësit e saj të vendosin sërish në fokus opozitën dhe gjyqësorin e korruptuar rëndë, duke i lidhur si gjithnjë bashkë qëllimisht, dhe duke thënë se humbën, se përpjekja e tyre për të penguar pastrimin e gjyqësorit nga hajdutët dhe hapjen e negociatave për anëtarësim të vendit dështoi. Që gjyqësori është një murtajë, që në të ka gjyqtarë injorantë, hajdutë dhe perversë që kanë lënë burgjeve hallexhinj dhe fakirë dhe kanë nxjerrë jashtë vrasës dhe trafikantë dhe që partia demokratike ka një lidhje me disa prej tyre për shkak të emërimeve të ndikuara nga ajo kjo nuk diskutohet. Gjithashtu, Partia Demokratike ushqen kot në ndonjë rast iluzionin se disa nga këta gjyqtarë meqë janë emëruar nga ajo do të mbajnë anën e saj apo do të rrinë përballë pushtetit. Gjithë kjo situatë megjithatë nuk justifikon asfare asocimin e shëmtuar që bën pushteti i këtij gjyqësori me opozitën, duke lënë të kuptohet se një pari demokratike e korruptuar mbron një gjyqësor të korruptuar për t’i shpëtuar ndëshkimit prej korrupsionit. Kjo është thjesht një gënjeshtër për të poshtëruar opozitën në vazhdën e sjelljeve të zakonshme të pushteteve që mendojnë se rrëzuan një botë të vjetër për të ndërtuar një të re. Ligji i vettingut megjithëse Gjykata Kushtetuese e quajti kushtetues nuk do të thotë se është kushtetues. Një ligj nuk e bën kushtetues vendimi i gjykatës. Ligji i vettingut parashikon veç të tjerash se provat, të dhënat mbi pasurinë, lidhjet me krimin, me trafikun, me personat që kanë kryer vepra penale apo me organizatat kriminale, fotografi takimesh apo gjithfarësoj do të vijnë në komisionin që do të verifikojë gjyqtarët nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, Inspektorati i deklarimit të pasurive, Shërbimi informativ, agjencia e luftës ndaj pastrimit të parave, drejtoria e sigurimit të informacionit të klasifikuar. Të gjitha këto institucione janë në varësi të plotë ligjore nga qeveria me përjashtim të Inspektoratit të deklarimit të pasurive (që është në varësi de facto jo de jure). Opozita kërkoi që në këto ente qeveritare të kishte akses një person nga komisioni i vettingut në mënyrë që provat apo të dhënat të mos ishin selektive. Gjykata Kushtetuese gjatë tri viteve të tashme por edhe më herët ka rrëzuar ligje të qeverisë dhe kjo e bën edhe më të vështirë kritikën ndaj saj ndonëse gjithnjë pala humbëse e ka sulmuar atë. Rasti i fundit është ai i heqjes së mandatit të deputetit Koço Kokëdhima, kur kryeministri Rama tha se: “kjo tregon që Reforma në Drejtësi është nevojë emergjente”. Për të mbetur te ligji i vettingut dhe antikushtetutshmëria e tij. Konstitucionalizmi si doktrinë është kufizimi dhe ndarja e pushteteve. Kushtetuta synon të krijojë pushtete të ndara dhe të kufizuara në mënyrë që njëri nga pushtetet (ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor) të mos kontrollojë të tjerët. Etërit themelues të SHBA-së që hartuan një nga kushtetutat më të njohura në botë i trembeshin ekzekutivit si pushteti që mund të kontrollonte dy të tjerët. Aleksandër Hamilton në Letrat e federalistit (letra 10) shkruan: “Gjyqësori nuk ka influencë mbi shpatën apo mbi qesen…. Frika më e madhe duhet të jetë mbi shpatën dhe qesen, pra mbi ekzekutivin dhe legjislativin”. Qeveria shqiptare dihet që e kontrollon plotësisht legjislativin. Çështja është te kontrolli i gjyqësorit. Në teoritë e të drejtës ka debate mbi mënyrën se si lexohet apo zbatohet një tekst ligjor. Një nga debatet kryesore është ai mes tekstualistëve dhe kontekstualistëve, brenda të cilëve ka edhe nënndarje të ndryshme. Leximi tekstual e sheh ligjin apo kushtetutën si një gjë të fiksuar për të gjitha kohët, që jep të njëjtën përgjigje në çdo vend dhe në çdo kohë. Kushtetuta që unë interpretoj, thoshte dikur një teoricien i kësaj shkolle është e vdekur, jo e gjallë. Totalitarizmat, fundamentalizmat përdorin këtë lloj leximi pasi ky lexim zhduk të menduarit personal, të analizuarit e një çështjeje nga të gjitha këndet. Leximi kontekstual bën pyetjet: cili është qëllimi i ligjit apo i kushtetutës në këtë gjë, a arrihet ky qëllim, a ruhet ndarja dhe balanca e pushteteve, a mbahet pushteti i ekzekutivit i kufizuar dhe larg kontrollit të të tjerëve? Leximi kontekstual sheh dhe analizon brenda realitetit ku do të zbatohet ligji pozicionin dhe sjelljen e qeverisë, të shoqërisë apo të pushteteve të tjera. Leximi kontekstual përdoret sot gjerësisht dhe ky nuk është asfare një lexim subjektiv apo që i jep pushtet përtej tekstit të ligjit gjyqtarit. Steven Bryer, anëtar i gjykatës supreme në SHBA thotë se “leximi tekstual nuk është më pak subjektiv, përkundrazi ai thjesht fshihet pas gjethes tekstuale të fikut”. Leximi kontekstual është sot i përdorur gjerësisht në botë. Duke e ditur se qeveria i ka në kontroll të plotë agjencitë që do të dërgojnë provat në komisionin e vettingut dhe duke e ditur se qeveria ka qenë në gjendje të emërojë njerëz partiakë në këto agjenci, ka qenë e aftë të fshehë të dhëna që vinin nga Interpoli, të hyjë paligjshmërisht në servera ta tatimeve etj., atëherë si arrihet ruajtja e kufizimit të pushtetit të qeverisë ndaj gjyqësorit apo si ruhet e paprekur ndarja e pushteteve. Ligji i vettingut në kontekstin norvegjez apo amerikan do të ishte kushtetues pasi atje nuk mundet që një drejtor agjencie të veprojë sipas tekave të eprorëve politikë në qeveri (Drejtori i FBI-së Comey njoftoi senatin për hetimet ndaj Clinton ndonëse ministrja dhe presidenti nuk e donin këtë gjë), por në kontekstin shqiptar është gjë tjetër. Gjithashtu, drejtësia është çështje e sundimit të ligjit dhe ky sundim i ligjit sipas kartës së të drejtave të OKB-së nënkupton: 1. qeveritarët dhe zyrtarët e lartë, ashtu si dhe qytetarët, japin llogari para ligjit; 2. miratimin e ligjeve të qarta, publikimin, zbatimin e tyre dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut përfshirë sigurinë dhe pronën etj.; 3. procesi i miratimit të ligjeve duhet të jetë transparent, i ndershëm, demokratik dhe ku të gjitha grupet e interesit të kenë zërin e tyre në diskutime; dhe 4. dhënia e drejtësisë në kohë, si dhe emërimi i gjyqtarëve kompetentë, të moralshëm dhe të pavarur. Pika e fundit është vettingu ndërsa të tjerat kanë të bëjnë në radhë të parë me përgjegjësi të qeverisë. Cili ministër, drejtor i lartë apo njeri i fuqishëm është i barabartë para ligjit me hallexhiun dhe jep llogari si ai? Askush. Cili ligj e mbron pronën dhe cili organon e zbaton këtë ligj? A nuk vidhen përditë prona dhe troje dhe a nuk janë ish-pronarët pa marrë shumëçka? Qeveria ka bërë ligje që kanë zgjeruar pushtetin e saj si ai i unifikimit të kompetencave të INUK, i emërimit dhe shkarkimit të gjeneralëve prej saj, i shkarkimit të anëtarëve të KLD-së etj. etj., ligje që janë rrëzuar më pas si të padrejta. Nisur nga ky kontekst ligji i vettingut është antikushtetues dhe të thuash këtë nuk je në anën e gjyqtarëve të korruptuar siç thotë PS-ja, por në anën e atyre që nuk duan të sundohen nga qeveria që bëhet përbindësh.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shoferi i droguar përplasi për vdekje 3-vjeçaren në trotuar

Aksidenti tragjik, me pasojë humbjen e jetës së një fëmije 3 vjeç,...
Read More