Duka shfaqet i emocionuar pas fitores, Fino e uron por “procesi ishte i parregullt”

Presidenti i rizgjedhur i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka u shfaq i emocionuar pas rikonfirmimit në krye të trupës së rëndësishme të futbollit. Ai vlerësoi procesin dhe tha se kjo Asamble i ka mësuar shumë.

Fushata për këto zgjedhje ishte e ashpër dhe me akuza, por Duka ia doli që të rizgjidhej. “Jam i lumtur për mbështetjen që më keni dhënë. Dua t’u falenderoj të gjithëve për këtë Asamble, e cila u krye brenda të gjitha standardeve, që tregon se jemi organizatë me standarde të larta. Ju garantoj se ato që janë diskutuar në fushatën parazgjedhore, do të jenë pjesë e punës sonë. Ne së bashku do bëjmë korrigjime. Falenderoj kandidatët për president, të gjithë të ftuarit.

Dua t’u premtoj të gjithëve se angazhimi ime do jetë më i madh. Kjo Asamble më ka dhënë shumë mësime se si duhet bërë më shumë për futbollin shqiptar,” tha Duka.

 

 Rivali i Armand Dukës në garën për kreun e FSHF, Bashkim Fino, i dha dorën atij pas daljes së rezultatit.

Por në një prononcim për mediat, Fino tha se procesi ishte i parregullt.

“Nuk jam i zhgënjyer nga rezultati pasi procesi ishte i parregullt në sensin e listave të delegatëve.

Ne e kemi denoncuar diçka të tillë dhe kjo mund të shihet edhe nga votat.

Unë kisha një platformë krejt ndryshe. Mendoj se pjesa më e mirë e delegatëve e kanë lexuar drejt.

Po të mos ishin shoqatat dhe klubet e vendosura nga FSHF në lista, do shihnim një garë më të drejtë dhe do shihnim se kush ishte platforma më e mirë,” tha Fino.

Ai shtoi se e kanë paditur këtë çështje në gjykatë dhe do presin vendimet.

“Do ishte më e ndershme të kishte juristë të pavarur. Ne do e çojmë në fund çështjen, për të mirën e futbollit. Ne do të respektojmë, gjykatat shqiptare, më pas do të shkojmë jo vetëm në KAS por edhe në FIFA. Në momentin që ne kundërshtuam 12 shoqatat, unë kam të drejtë të vazhdoj procesin ligjor”.

“Unë i urova sukses Dukës. Unë i kam thënë dhe i kam dërguar UEFA-s gjithë dokumentacionin e shoqatave. Futbolli nuk fiton apo humbet me një njeri në krye.”

Shkruar Nga
More from Redaksia

Presidenti i UET flet në Top Channel: Zgjidhjet ndaj problemit të tkurrjes së forcës punëtore…

    Rënia e lindshmërisë dhe emigrimi masiv e vendosin ekonominë shqiptare...
Read More