Duar!

– Qoftë Lëvdu Krishti! A mund duelt?
– Gjithmonë e jetës! Kadale si plakat! E ti a mund erdhe pater?

Këto fjalë po shkëmbeja, si është zakon, ndërsa po i jepja dorën dy grave, që po më prisnin para Kishës, në një fshat të dioqezës së Rrëshenit, kur papritur ndjeva diçka si gërvishtje në dorën time. Më dukej një dorë e ashpër që me shumë delikatesë po shtrëngonte dorën time. Po po! Ishte dorë delikate gruaje, plot me kallo. Delikatesa e duarve nuk ka të bëjë me butësinë e mishit të tyre, por me mënyrën se si jepen dhe se si shtrëgojnë dorën tënde. E pashë në sy atë grua. Ishte plot energji edhe pse i ka kaluar 65 vite, pak më e madhe se nëna ime.

Më mbeti në mendje ai shtrëngim dore. Në të vërtetë më mbetën në mendje ato duar. Ndjeva krejt ashpërsinë, a si ta them më ndryshe vrazhdësinë e tyre, e bashkë me të edhe butësinë e tyre. Në Kishë ndërkohë po thuhej rruzarja e unë, sikurse bëj zakonisht, pres për rrëfime, meqë është edhe kohë Krezhmesh e shumë njerëz dëshirojnë, ashtu si djali plangprishës, të kthehen në shtëpinë e Atit, të pajtohen me Hyjin e të hapin zemrën e tyre para meshtarit.

Erdhi edhe ajo grua e pasi mbaruam rrëfimin i thashë:

– A mund të kërkoj diçka?
– Heu, po mor patër! – m’u përgjigj duke më pa disi me kureshtje.
– A mundem me t’i shikjue pak duart?
Buzëqeshi dhe menjëhërë u përgjigj:
– Po patjetër, pse jo?

I zgjati duart drejt meje e unë me shumë ngadalësi i mora në duart e mia dhe i shikova me kujdes. Pastaj duke e parë në sy fillova ta pyes nëse punonte në kopësht meqë i kishte duart aq të ashpra.

– Po patër punoj shumë, tan ditën e lume. E kam frikë kajherë se po shti shpirtin n’gjynah. Por s’mund rri pa punue. Më pëlqen me e pasë kopështin plot. Kam punue tan jetën teme. A e din diçka? Kanjiherë burri më thotë: moj grue, po na dy vetë jena ( se ta dish patër ka Zoti gjashtë fmijë, por janë në emigrim të gjithë e jetoj veç me burrin). E unë i tham: po pse more burrë, pse mos me punu? Vjen dikush, e mbasi nuk po kena gjana tjera, së paku me i dhanë gjanat e kopshtit tonë e kështu nuk qesim kend durbosh.

Sa bukur e çfarë mrekullie! Me punu e me pas për me dhanë e jo vetëm me pas për vete. Sa fisnike!

Kur m’i shtriu duart për më i kqyrë pashë se kishte dy unaza, një për çdo dorë. Njena ishte ajo e martesës e tjerën ia kishin dhurue fmijët.

Aty për aty mendova: një grua është e mbetet gjithmonë grua. E dashuron të bukurën, ka dëshirë me i stolisë duart e veta edhe pse janë plot vrragë. Por një grua si ajo te unaza sheh jo vetëm stolinë e gishtave, por edhe bukurinë e besnikërisë, e jo vetëm ndaj burrit, por edhe ndaj fëmijëve. Besnikëri ndaj familjes. Këta janë gratë e kësaj Mirdite e të shumë fshatrave larg reflektorëve të jetës moderne, që gjendet larg syve të botës, përanash prrojve që gurgullojnë ujë malit, në mes të pemëve dhe blegërimave të kecave që sapo kanë filluar të kërcejnë ndër ara. E n’at cast u ndjeva i bekuar!

Nisa me i tregue edhe unë për nanën time që ka moshën e saj, pak vite më e re, e që si ajo punon shumë në kopësht, me pula, rosa e gja të gjallë. Në kopështin e saj ka gjithmonë perime të stinës dhe i ka duart me kallo gjithmonë edhe ajo. Ashtu i ka pasur përherë edhe pse ka qenë mësuese gjithë jetën e saj. E shoh se i pëlqen tregimi im për nanën time dhe me bisht të synit ajo e vë re se sytë e mi nisin të shkëlqejnë. Buzëqesh paksa. Ndërkohë ka ardhë orari për meshë e ajo çohet prej stolit, por jo pa ma dhanë një bekim nane.

+ Dom Gjergji

Rreshen, Mars 2019

Shkruar Nga
More from Redaksia

Nënat më të mira sipas shenjës së horoskopit

Më poshtë keni sipas renditjes nga horoskopi shenjat që përcaktojnë se kush...
Read More