Dritëro Agolli: Përherë në rigjenerim të vlerave

Dija për veprën e Dritëroit si gjithë moshatarët e mi, ashtu siç dija se shkrimtari i madh i kishte fillimet e veprës në gazetari. Por ëndrrat e mia, për hir të së vërtetës, duke patur parasysh edhe disa “kritere” që kërkoheshin për gazetarët, nuk shkonin më tej se ndonjë bashkëpunim me shtypin. Vetëm pas viteve ’90, u bë e mundur që, duke punuar në një gazetë të pavarur, të kisha mundësi që në rolin e gazetarit, të intervistoja edhe Dritëro Agollin.

Nga Martin Leka

Dritëro Agolli ishte bërë i madh në fushën e letrave shumë më herët se koha kur mendova t’i mbush mendjen vetes se edhe unë mund të shkruaja një shkrim për një gazetë. Dija për veprën e Dritëroit si gjithë moshatarët e mi, ashtu siç dija se shkrimtari i madh i kishte fillimet e veprës në gazetari. Por ëndrrat e mia, për hir të së vërtetës, duke patur parasysh edhe disa “kritere” që kërkoheshin për gazetarët, nuk shkonin më tej se ndonjë bashkëpunim me shtypin. Vetëm pas viteve ’90, u bë e mundur që, duke punuar në një gazetë të pavarur, të kisha mundësi që në rolin e gazetarit, të intervistoja edhe Dritëro Agollin.

…Në apartament na priti Sadija si dhe Anna e vogël. Kisha shkruar gjithë natën pyetjet me shkrim për takimin që kishim lënë në shtëpinë e tij përmes telefonit, por biseda me Dritëronë m’i nxori ato jashtë loje. As vetë nuk e kuptova se si përfundoi biseda, por kur dola nga shtëpia e Dritëroit, nxitova për në redaksi dhe fillova të hedh bisedën nga kaseta në letër. Kur desha të dëgjoj kasetofonin, një “bo-booo” mjaftoi të vija alarmin për gafën që kisha bërë. Kasetofoni gjatë gjithë bisedës kishte xhiruar bosh, sepse unë nuk kisha shtypur butonin e incizimit. Ika në heshtje nga zyra, edhe pse më vinte turp nga shokët që prisnin intervistën. Fillova të ec rrugës duke mos ditur as vetë se si mund të dilja nga situata, për më tepër kur lexuesit ishin lajmëruar për intervistën një ditë më parë. Më vinte turp për gabimin që kisha bërë.

Kisha ende kohë për të dalë nga situata. Mora në telefon Dritëronë dhe i thashë nëse mund të më priste përsëri për një problem që lidhej me intervistën. Pranoi, por kur ai la një orë të vonë takimi, unë insistova për një takim urgjent, duke thënë (gënjyer) se ishte fjala vetëm për pak minuta. Shkova menjëherë. Thjeshtësia, çiltërsia dhe dashuria me të cilën të pret shkrimtari i madh janë elemente më vete të botës universale të gjeniut të letrave. Më vinte turp t’i tregoja dhe s’dija si të filloja bisedën. Fillova të tregoj se “disa pyetje nuk deshifrohen”, se “në disa vende shiriti ishte me defekt”, se…

Por naiviteti im për të luajtur të pafajshmin kishin identifikuar për Dritëronë të vërtetën.

-“Këta kasetofonët dhe kasetat nuk incizojnë mirë, prishen shpejt, bile të gjithë intervistën e fshijnë…”, -tha ai, ndërsa filloi të bisedojmë për intervistën. Në fund tha: “E sheh, më mirë që u fshi, e bëmë më mirë se të parën”.

Më tej, në ditët e shumta të takimeve me Dritëronë, gjithnjë e më tepër jam bindur se te ky burrë janë të mishëruara qartë dhe thellë të gjitha ato cilësi e virtyte, të cilat i kanë dhënë Dritëroit përmasat e vërteta të NJERIUT. Dritëroit i ka lezet edhe humori, edhe serioziteti; edhe e qeshura, edhe e qara; edhe arti, edhe politika. Me kalimin e viteve, Mjeshtri Shqiptar i Letrave vazhdon me intensitet maksimal gjenerimin e vlerave të reja krijuese. Nuk mund të mos përmend një nga ngjarjet e ditëve të fundit. Ishim për ngushëllim në shtëpinë e Çesk Zadesë, babait të muzikës shqiptare. Asnjëherë nuk e kisha parë Dritëronë në një gjendje të tillë. Hyri përmes një qetësie, e cila zbulonte tek ai gjithë dhimbjen për humbjen e muzikantit të madh, por edhe krenarinë kombëtare për njerëz që i lënë pas atdheut veprën e tyre.

Iu drejtua Limoz Dizdarit, Aleksandër Peçit, Ardit Gjebresë, e të gjithëve aty: -Kjo është një ditë e trishtuar për gjithë muzikën shqiptare, për gjithë kombin tonë. Këto vitet e fundit muzika humbi shumë nga të mëdhenjtë e saj: Nikolla Zoraqin, Tonin Harapin, Pjetër Gacin, Simon Gjonin, Feim Ibrahimin, pa përmendur Prenkë Jakovën, që na la i pari; ndërsa Çesku iu vuri kapak të gjithëve, ishte si të thuash, babai i muzikës. Prandaj në këtë rast humbja është akoma më e madhe, sepse merr përmasa kombëtare… Sikur të tingëllojnë përnjëherësh tingujt e njëqind kombësive, tingujt e muzikës së Çeskut dallohen. Ai që i dëgjon, do të thotë: janë tinguj shqiptarë…

Nuk mund të kishte intervistë më dinjitoze dhe më me vlerë se ato çka Dritëroi tha atë natë të trishtuar për muzikën shqiptare. Më shkoi ndërmend pse nuk kisha një kasetofon me vete. Më vonë e ngushëllova veten: “Dritëroit duhet t’i lidhësh një mikrofon në qafë që ta dëgjosh edhe kur fle!”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Kanceri i gjirit: Si ta hetoni sëmundjen

Tri mënyra për të zbuluar kancerin në gji; një është mamografia, që...
Read More