Donald Trump si ekuilibrim i një të majte radikale dhe Shqipëria

Fitim ZekthiNga Fitim Zekthi

Pavarësisht neverisë që do të ngjallin, siç po ndodh, fjalët e mira, lavdërimet, letrat që urojnë sukses dhe vlerësim për “vlerat e mëdha të demokracisë amerikane”, nën shtysa servilizmi dhe hipokrizie nga njerëz që deri dje e përçmonin, ne po përpiqemi ta shohim në një kuptim disi më ndryshe ndikimin që mund të ketë zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-ve te ne.

Gjatë tetë viteve të drejtimit të SHBA-së nga presidenti Obama, SHBA lëvizi mjaft majtas, u miratua një reformë e kujdesit shëndetësor tipike socialiste, qeveria amerikane nuk e mbrojti në gjykata ligjin që lejonte martesën vetëm mes një burri dhe një gruaje, përkundrazi u inkurajua lejimi i martesave gay, u emëruan në Gjykatën Supreme dy zonja që ishin të njohura si aktiviste dhe progresiste (Kagan dhe Sotomayor), u emëruan kudo në Gjykata të Apelit gjyqtarë liberalë që do të çonin përpara çështjet sociale të të drejtave të pakicave dhe të drejtave të homoseksualëve, u rrit ndërhyrja e shtetit në ekonomi nëpërmjet atij që njihet si rregullim; u rritën taksat, borxhi publik u rrit nga 10 trilionë në 19 trilionë dollarë.

Më shumë se 45 milionë amerikanë marrin ushqim me kuponë si ndihmë sociale, pjesë e programeve të qeverisë. Gjithashtu u kërcënuan liri të ndryshme në emër të mbrojtjes së pikëpamjeve të qeverisë, si rasti i kërcënimit që bëri prokurorja e Përgjithshme Loreta Lynch për ndjekje penale ndaj atyre që mohojnë ngrohjen globale, u dënuan nga gjykatat pronarë dyqanesh, ëmbëltoresh apo studio fotografish (rastet e New Mexico-s, Maryland-it apo Maine-it) sepse nuk pranonin të shisnin lule, bënin ëmbëlsira apo foto për dasmat gay për shkak të bindjeve të tyre fetare, u hoq pengesa për të futur homoseksualët në ushtri, po miratohen ligje që lejojnë transgjinorët të hyjnë në dhomat dhe banjat e vajzave apo djemve, duke e menduar vetë se si ndihen etj. etj.

Amerikanët reaguan me forcë dhe Obama humbi kongresin që në vitin e dytë të presidencës dhe nuk e mori kurrë më. Presidenti Obama u kritikua nga republikanët dhe konservatorët për të gjithë këtë qasje të fuqishme të majtë, u kritikua se solli në Shtëpinë e Bardhë stilin e organizatorit apo aktivistit komunitar që e kishte bërë dikur në rini të tij. Në fakt stili dhe idetë e majta dhe stili i organizatorit komunitar u përdorën në shumë vende të botës, edhe në Shqipëri.

Të gjithë ata që besojnë te vlerat e liberalizmit klasik dhe të konservatorizmit kanë arsye të jenë të gëzuar me fitoren e Trump. Të gjithë ata që besojnë te shteti i vogël dhe te taksat e ulëta do të shohin tek administrata e Trump një shembull. Presidenti Trump ka paraqitur një listë me kandidatë të mundshëm për anëtarë të Gjykatës Supreme, një institucion që e ka ndikuar SHBA-në dhe mendimin juridik në vendet demokratike më shumë se sa çdo qeveri, kongres apo president.

Të gjithë kandidatët për anëtarë të saj janë figura të njohura konservatore. William Mc Gurn shkruante në Wall Street Journal se zgjedhjet mes Trump dhe Clinton ishin se cili do të emëronte zëvendësin e gjyqtarit Scalia që vdiq pak muaj më parë, një nga mendimtarët e njohur konservatorë.

Trump është i rrethuar nga politikanë shumë të njohur dhe mjaft konservatorë dhe kjo është shpresë se politikat konservatore të Reaganit, idetë e Lafferit dhe Kirkut do të rikthehen sërish duke riekuilibruar një gjendje socialiste dhe liberale të ndërtuar këto vite.

Zëvendës/presidenti Pence është një politikan konservator i njohur, një politikan që siç e tha vetë në një debat televiziv veprimi dhe mendimi i tij përkufizohet nga besimi në Zot, është një ish-guvernator i njohur për ulje taksash, i njohur për qëndrimin kundër martesave gay; senatori Jeff Sessions që mund të jetë sekretar i Pentagonit po ashtu është një politikan shumë konservator, i ngjashëm në bindje me Pence, guvernatori i New Jersey-it Chris Christie, simbol i guvernatorëve që kanë nxjerrë nga kriza e borxheve një shtet të mbytur duke ulur taksat në mënyrë drastike, ka emëruar në gjykatën supreme të shtetit të tij gjyqtarë konservatorë dhe madje ka emëruar edhe një mysliman praktikant, kryetari i komisionit të jashtëm të senatit Bob Corker, kandidat për sekretar shteti po ashtu njihet si një konservator tipik etj.

Kësisoj nga SHBA do të fryjnë erëra të tilla, e djathta do të mund të marrë më shumë frymë, e majta dhe progresivizmi do të jetojnë ditë të këqija. Sekretari i shtetit apo ambasadorët amerikanë nuk do të mbrojnë apo nuk do të promovojnë axhenda të majta, nuk do të shtyjnë përpara për miratim të martesave gay.

Vlerat e konservatorizmit kanë në thelb të tyre ndarjen e pushteteve, kontrollin dhe balancimin e tyre, ato janë të papajtueshme me idenë se qeveria mund të ketë një rol të madh apo transformues dhe kësisoj administrata Trump do të shtyjë apo nxisë për më shumë ndarje pushtetesh dhe rol më të vogël të qeverisë edhe në vende si Shqipëria.

Të gjithë ata që menduan apo ndoshta mendojnë se Trump ishte një kandidat qesharak apo i rrezikshëm, ishte një kandidat që nuk do të fitonte kurrë apo një kandidat që kërcënon Amerikën ose nuk njohin asgjë nga Amerika ose ishin partizanë të verbër të ideve të tyre dhe e vërteta gjendej vetëm tek idetë, të cilat bash për këtë shkak nuk mund të jenë demokratike. Trump fitoi një garë shumë të ashpër brenda republikanëve dhe mundi kandidatë shkëlqyer si guvernatorët Casich dhe Bush, senatorët Rubio dhe Cruz etj.

Më pas fitoi garën me Clinton dhe fuqia e demokracisë është e tillë që e shtyn një kandidat apo një zyrtar të zgjedhur t’iu përmbahet arsyeve të cilat e bënë votuesin ta çojë aty. Bota ka nevojë të madhe për idetë e djathta, Shqipëria ndoshta edhe më shumë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Kapexhiu e ka kapur me gishtin e Edi Ramës

Bujar Kapexhiu, artisti i njohur dhe karikaturisti i gazetës Mapo, duket se...
Read More