Donald Lu: Bosët e krimit, të padënuar dhe të lidhur me politikën

Donald LuAmbasadori amerikan tha dje se bosët e krimit vihen rrallë nën akuzë dhe se problem mbetet pandëshkueshmëria. Sipas tij, njerëzit në Shqipëri janë lodhur me krimin në politikë dhe SPAK dhe BKH do të kenë në shënjestër korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, preku thembrën e Akilit në fjalimin e mbajtur në konferencën e Qendrës “Marshall” në Tiranë, mbi luftën kundër krimit të organizuar.

Ai tha se Shqipëria ka nivelin më të ulët të procedimit penal të krimeve të rënda në Evropë. Problemi, sipas tij, është pandëshkueshmëria.

“Krerë të fuqishëm të krimit mund të mos i gjejë asgjë edhe për vrasje për shkak të lidhjeve të tyre me persona me ndikim…”, -shtoi ai.

“…Në Shqipëri, ata që akuzohen si trafikantët kryesorë të drogës dhe krerë të krimit të organizuar, rrallë ndeshen me akuza penale. Një shembull shumë i njohur i këtij fenomeni është rasti i trafikantit të dënuar për drogë Emiljano Shullazi, që për shumë vite është akuzuar për vrasje, trafikim narkotikësh dhe zhvatje, por që u arrestua vetëm kohët e fundit…”, -tha ambasadori amerikan, duke theksuar se krerë të fuqishëm të krimit mund të mos i gjejë asgjë për shkak të lidhjeve të tyre me persona me ndikim.

“Ne në Shtetet e Bashkuara u përballëm me probleme të ngjashme. Gangsteri më i famshëm amerikan, Al Kapone, drejtonte një grup të krimit të organizuar në Çikagon e viteve 1920 dhe 1930. Kur më në fund u arrestua, pasuria e tij, e krijuar përmes prostitucionit, kumarit dhe kontrabandës u vlerësua në 100 milionë dollarë. I bëri të gjitha këto duke pasur nën kontrollin e organizatës së tij kriminale persona strategjikë në polici, gjykata dhe qeverisjen vendore…”, -tha ai.

Por situata në Shqipëri, sipas tij, është serioze. Për këtë arsye, ambasadori amerikan beson se Reforma në Drejtësi dhe procesi i dekriminalizimit do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të pandëshkueshmërisë dhe të lidhjeve kriminale me politikën.

“Popullit shqiptar i ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët në politikë. Përpjekja e suksesshme për të larguar vrasësit, tutorët, trafikantët e drogës e përdhunuesit nga Kuvendi dhe qeverisja vendore do të kenë efekt jetëgjatë në uljen e pandëshkueshmërisë së krerëve të krimit të organizuar në Shqipëri. “Ky është gjithashtu një paralajmërim për kriminelët e tjerë, të bëhesh pjesë e politikës i bën keq biznesit. Do zbulojë aktivitetet tuaja kriminale dhe do përfundoni në burg”, -tha ai.

Ambasadori amerikan nënvizoi gjithashtu faktin se Reforma në Drejtësi është e rëndësishme për pastrimin e gjykatësve dhe të prokurorëve të korruptuar.

“Është gjithashtu e rëndësishme sepse do të krijojë një prokuror të pavarur dhe një njësi të posaçme hetimore, të quajtur Byroja Kombëtare e Hetimit ose BKH. Të dyja këto do të vënë në shënjestër korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar. Shtetet e Bashkuara kanë marrë angazhimin të mbështesin zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit përmes trajnimeve, ndihmës dhe bashkëpunimit me FBI-në amerikane…”, -tha ambasadori Lu.

Më tej, ai shtoi: “Në muajin prill, kryeministri Rama vizitoi selinë e FBI-së dhe u takua me drejtorin e FBI-së, Comey, për ta përforcuar këtë angazhim. Ky do të jetë një grup hetuesish seriozë dhe të aftë. Atyre do t’u bëhet në mënyrë sistematike testi i poligrafit. Do të marrin trajnimin më të mirë dhe pajisjet më të fundit. Nga Uashingtoni do të caktohet një agjent i FBI-së për t’u siguruar që të jenë efikasë në punën e tyre dhe që i hetojnë çështjet pa anshmëri politike. Është në interesin e Shteteve të Bashkuara që Shqipëria të trajtojë në mënyrë të suksesshme problemin e saj të krimit të organizuar. Kjo është në interesin edhe të Bashkimit Evropian. Mbi të gjitha, është në interesin e popullit shqiptar”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Vrasja në Sharrë dhe çfarë politikanësh kemi

Nga Fitim Zekthi Vrasja dhe fshehja në plehrat e Sharrës e një...
Read More