Do të rriten ndjeshëm çmimet për shërbimet dentare. Klodian Tomorri: Karteli kriminal i stomatologëve….

Mjekët stomatologë janë me pakicë në Shqipëri në raport me vendet anëtare të Bashkimit Europian. Ndërsa mesatarja e vendeve anëtarë të BE-së është 77 për çdo 100 mijë banorë sipas Eurostat, për çdo 100 mijë banorë në Shqipëri ka rreth 51 mjekë stomatologë, sipas të dhënave nga INSTAT dhe Urdhri i Stomatologut, të përpunuara nga Monitor.

Kujdesi për shëndetin oral është i rëndësishëm, edhe pse 50% e shqiptarëve kanë deklaruar në Anketën e Cilësisë së Jetës të Komisionit Europian se nuk kanë shkuar te dentisti për të kursyer para. 34% e të pyeturve në Shqipëri kanë deklaruar se nuk kanë shkuar në kohën e duhur te mjeku stomatolog, ndërsa 16% kanë deklaruar se nuk kanë shkuar fare te dentisti.

Kjo është përqindja më e lartë në të gjithë Bashkimin Europian. Ndryshe nga Shqipëri, rezultatet e anketës kanë treguar se kujdesi ndaj shëndetit oral është më i lartë. Në Malin e Zi, kanë deklaruar se kanë vonuar vizitën 18%, ndërsa që nuk kanë shkuar fare 12% e të anketuarve, po aq dhe në Maqedoni.

Por perspektiva nuk duket e mirë.
Duke filluar nga janari, Urdhri i Stomatologut ka vendosur që çmimet e shërbimeve te dentisti të rriten, e thuajse të dyfishohen. Kështu, për një mbushje dhëmbi të gradës së dytë, shqiptarët do paguajnë 4 mijë lekë, ose 60% më shtrenjtë se më parë, vlerë që shkonte rreth 2 mijë lekë.

Reagim nga Klodian Tomorri

Përmes një vendimi të paligjshëm e madje edhe kriminal, Urdhri i Stomatologëve ka fiksuar çmimet e shërbimeve dentare në të gjithë vendin.

Vendimi i marrë nga Ansambleja Kombëtare dhe Këshilli Kombëtar i Stomatologëve përcakton çmimet për çdo shërbim dentar, të cilat sipas tij janë të detyrueshme për çdo dentist në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Çmenduria arrin deri aty sa që vendimi është publikuar në faqen zyrtare të Urdhrit me firmën e presidentit, ish-kandidat për deputet i Partisë Socialiste.

Urdhri i Stomatologëve është një ent publik, që funksionon në bazë të ligjit nr 127 i vitit 2014. Në asnjë nen të ligjit, nuk i jepet tagër urdhrit të fiksojë çmimet e shërbimeve dentare. Dhe nuk ka se si t’i jepet, sepse caktimi i çmimeve është i jashteligjshëm.

Në vendimin e ri të Urdhrit, çmimet e shërbimeve dentare janë rritur të gjitha deri në dy herë. Por nuk është ky problemi. Ky vendim është forma më e rëndë e shkeljes së konkurrencës, karteli. Ne kemi një Ligj për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili në nenin 4 thotë se marrëveshjet kartel janë kategorikisht të ndaluara.

Në fakt ligji, nuk është aq i fortë sa duhet. Në rastin e karteleve, ligji parashikon gjobë deri në 10 për qind e xhiros. Por në vendet e zhvilluara, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kartelet janë vepër penale.

Nëse ky vendim do të ishte marrë në Shtetet e Bashkuara, të gjithë anëtarët e Ansamblesë Kombëtare dhe Këshillit Kombëtar të Stomatologëve që kanë marrë atë vendim, sot do ishin të gjithë në pranga. Të neveritshëm.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Nusja mbretërore shkëlqen në të bardha…

  Mbesa e Mbretëresës Elisabeth u martua me partnerin e saj Jack...
Read More