fbpx

Kryesore

Disa histori dhune dhe depersonalizimi në sheshin e shenjtores





               Publikuar në : 18:38 - 24/03/19 |
mapo.al

Sheshi ‘Nënë Tereza’ ishte të shtunën më laramani i kohërave. Jo vetëm për shkak të ngjyrave, kujdesit të tepruar të industrisë propagandistike, po mbi të gjitha për historitë e ndryshme që kishte mbledhur e rrokur në dy orë aktivitet nën një diell të përzishëm marsi. Në ato mijëra metra katrorë qendruan bashkë disa prej njerëzve më të pasur të vendit, me ata më hallexhinjtë që ishin thirrur për të duartrokitur, në këmbim të vendit të punës.


E kanë marrë vesh të gjithë çfarë ndodhi. Apeli i rreptë që u bëhej nëpunësve dhe dokumentimi më tej i pranisë së tyre me foto e postime në rrjetet sociale, është pak të thuash se, ishte një procedurë policeske.



Po tregojmë disa raste, që flasin shumë.


Një specialist i një drejtorie në Bashki, është në hall. Ka gjithë javën që lodhet për të gjetur 5 vetë që duhe të çojë në shesh. Ky është urdhri. Pasi nuk i ka ecur me njerëzit e tij, i vjen në ndihmë gruaja, që i rregullon tezen e vet. Një shok i gjindet në orë të vështirë. Vullnetar. Motra e tij i kërkon nder një shoqeje, të paraqitet si shoqëruese. Shoqëruese? Ç’dasëm është vallë? Po duhet bërë numri 5. Nuk është sebep, është hall. Lypset ruajtur rroga që merret në fund të muajit. Një kushëri i thotë po, edhe pse ka kohë që nuk takohet me të. Vajza e hallës nuk e lë në baltë, vendosi të lërë planet që kishte për të shtunën paradite. U bënë 5. Eureka. Nisemi.

Një punonjëse inspektoriati bashkiak ka tre fëmijë. E shtuna është dita më e mirë që ata të flenë pak më shumë. Java ka qenë e ngarkuar me mësime e kurse. Vjen mesazhi i parë. Mos harro, hajde bashkë me vajzat. Në orën 9 e 30 të jeni aty. I ngre nga krevati. Fëmijët janë të vegjël, nuk kuptojnë shumë nga politika. Por rrugës e marrin me mend se është një ekskursion i detyruar. Jo vetëm kaq, po duhet të qëndrojnë aty për më shumë se dy orë. Dielli i fortë mbi kokë.

Një burrë që e merr jetën lehtë, ka pension të mirë dhe kërkon cilësi në ushqim dhe pije, e ka lënë të takojë një shokun e tij. Njeh një hidraulik dhe i ka thënë që do ta sjellë të shtunën ‘me rregullu nja dy gjana në shpi’. Bëhen bashkë në lagje. Kafe dhe raki, i vikasin kamarierit. Vjen dhe tekja e dytë, dhe e treta. Hidrauliku nuk po duket. Telefonin nuk e hap. Pasi bëhen goxha çakërrqejf nga teket që janë bërë dopio, mjeshtri bëhet i gjallë. Po vij, thotë. U detyrohet shpjegime. Ma bëni hallall, duhej të shkoja për hatër të një miku në shesh. Kishte gjetur vetëm 4 vetë, i duhej dhe një. Taksirat, e ka bukën e gojës.

Këto histori njerëzore u mblodhën dje me dhunë në sheshin që mban emrin e shenjtores Terezë. Ajo do turpërohej pa fund po t’i dëgjonte. Se mbi të gjitha, dinjteti njerëzor ishte shkelur rëndë në atë zijafet partiak. Po cila është logjika? Çfarë mendojnë pasanikët, birbot e tenderave miliardëshe që ngjiten në skenë e kanë nevojë për duartrokitës me 350 mijë lekë në muaj. Nuk u shkon asnjë shkendijë në secilën pjesë të hemisferës së rradakes, se kanë urdhëruar në fakt të shtojnë radhët e atyre që nuk i kanë qejf. Cili është ai ose ajo që duhet të ngrejë fëmijet e vegjël nga shtrati, të kërkojë miq e shokë, e të hulumtojë në fis, apo të marrë hua një hidraulik, vetëm e vetëm për të mbajtur vendin e punës, që në fund, kur të ketë atë lirinë e vogël të veprimit një të dielë që po vjen, të lëshojë votën për ata? Cili qenka ai njeri që i dhunuar kësisoj, do t’u japë xhelatëve të tij edhe një shans? Po ndoshta kjo është një punë tjetër. Kodoshët e podiumit do të mendojnë edhe për këtë, kur të afrohet data.

Mapo.al


Etiketa: , ,

Pas