Dhuna seksuale, Altin Hazizaj: Shumicën e viktimave nuk do t’i njohim kurrë

Dhuna seksuale ndaj vajzës 13-vjeçare në Kavajë nuk ka sjellë reflektim nga institucionet përgjegjëse. Ngjarja po tentohet të harrohet siç ndodh me gjithë skandalet në këtë vend.

Heshtja ndaj dhunës ndaj 13-vjeçares në Kavajë duket sa ka nxitur më tej heshtjen e viktimave të tjera të dhunës seksuale, të cilët dhe deri më tani nuk kanë patur guximin për të denoncuar dhunuesit. Rasti i Kavajës është vetëm një rast që na u servir në dritën e diellit, por shumica e viktimave të kësaj dhune, e shumë prej tyre janë fëmijë, nuk e denoncojnë dhunën dhe dhunuesin. Një ndër arsyet është dhe mungesa e besimit te sistemi. Këto viktima nuk do t’i njohim kurrë, thotë Drejtori i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri, Altin Hazizaj, duke folur për gazetën MAPO. Qendra që drejton Hazizaj sfidon qeverinë dhe parlamentin duke i kërkuar që të marrë masa që ngjarje të tilla të mos ndodhin në të ardhmen. Nga ana tjetër Hazizaj e shikon një mundësi të çuar dëm vizitën e ministres Spiropali në familjen e viktimës së Kavajës, një vizitë që sipas tij duhej të përdorej për të fuqizuar jo vetëm këtë familje po të gjitha viktimat e dhunës seksuale.

Çfarë po ndodh me rastin e Kavajës? A keni informacion ju për vajzën që ishte viktimë e dhunës seksuale, ka marrë mbështetjen e duhur?

Për momentin nuk kemi informacion. Informacioni i fundit që kemi patur ka qenë javën e kaluar dhe na thanë se vajza e mitur po merr ndihmën e duhur, por nuk kemi informacion se çfarë ndihme psikologjike apo psiko-sociale janë duke marrë të miturit që janë në paraburgim, të ndaluar për rastin në fjalë. Edhe ky përbën një shqetësim. Pavarësisht ngjarjes në fund të ditës kemi të bëjmë me fëmijë dhe pa diskutim të gjithë kanë nevojë për ndihmë specifike, si ata që kanë kryer një vepër penale, dhe aq më shumë viktima, e cila është përballur me një shfaqje të tmerrshme të dhunës seksuale. Ne nuk kemi dijeni, pavarësisht se kemi kërkuar informacion, edhe për sa i përket faktit se si ka reaguar shkolla për këtë rast. Kur është njoftuar shkolla dhe sa ditë kanë kaluar nga njoftimi i policisë. Nga bindjen tonë dhe nga informacionet që kemi, ka një periudhë thuajse 7-ditore nga njoftimi i shkollës, pra marrjes vesh të ngjarjes nga shkolla dhe njoftimit të policisë. Nuk jemi në dijeni në qoftë se ka patur një analizë nga ana e Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Arsimore se pse ka ndodhur kjo gjë. Nëse është e vërtetë do të thotë që kemi një shkelje të hapur të ligjit për të drejtat e fëmijës, i cili e bën të detyrueshëm që çdo person që është në kontakt me fëmijën, e ka për detyrë që me të marrë vesh ngjarjen, menjëherë ta raportojë. Nuk ka moment pritje, moment reflektimi, por duhet të ketë menjëherë reagim. Ne kemi vërtet disa pyetje serioze për sa i përket sjelljes së institucioneve në lidhje me këtë rast. A e kanë bërë detyrën dhe pse nuk e kanë bërë detyrën? A ishin paragjykimet shoqërore në lidhje me dhunën e vajzave, stereotipat gjinorë ndaj vajzave apo ka patur shkaqe të tjera? Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të kërkojnë llogari nga Ministria e Arsimit në lidhje me këtë çështje.

Çfarë nuk funksionoi në menaxhimin e kësaj ngjarjeje? Si duhej të ishte menaxhuar?

Ngjarja, sipas ligjit në Shqipëri, në momentin që u raportua para një mësueseje dhe para drejtoreshës, institucionet që në atë moment duhej të ishin njoftuar. Në momentin kur nuk u njoftua Policia e Shtetit, njësia e mbrojtjes së fëmijëve dhe i gjithë sistemi i mbrojtjes së fëmijëve tregon se shkolla u bë viktimë e mentalitetit shoqëror, ku dhuna kur ndodh ndaj vajzave duhet mbuluar dhe në fund të ditës krime të tmerrshme që bëhen ndaj vajzave mbulohen sikur nuk kanë ekzistuar. Mungesa e protokolleve të sjelljes së mësuesve dhe zyrtarëve arsimore dhe nga ana tjetër as për policinë nuk ka protokoll se si të sillen ndaj viktimave të dhunës seksuale, tregon që Shqipëria ka probleme serioze të respektimit të të drejtave të fëmijëve.

Si e komentoi vizitën e ministres Spiropali në familjen e viktimës? A ishte kjo një lëvizje që cenonte privatësinë e viktimës?

Rekomandimi është që vizita të tilla të mos bëhen, por edhe kur bëhen të mos jenë vizita kortezie, por të shërbejnë për të fuqizuar viktimën, familjen dhe të adresojnë të gjitha shqetësimet, problematikat dhe zgjidhjet që kanë të bëjnë me çështjen. Në çdo vend të botës tendenca e politikanëve që janë në pushtet është për të treguar se shteti është në krah të viktimës. Uroj që vizita e Spiropalit të jetë në këtë kuadër, për të treguar se qeveria është në mbështetje të çdo viktime. Por e dyta, dhe këtu jemi kritikë. Ne nuk e shikuam momentin e fuqizimit të familjes. Ajo që vlen është që vetë këta prindër të ktheheshin në agjentë të ndryshimit për të kërkuar që të gjithë viktimat e krimeve seksuale të dalin e të flasin publikisht e të denoncojë. Sepse viktimat dhunës seksuale në shumicën e rasteve nuk kanë zë, në shumicën e rasteve refuzojnë ta tregojnë dhunën. Në këtë aspekt nuk shikuam një fuqizim të familjeve që t’u bëhej thirrje nga ana e ministres nga ana e qeverisë për viktimat e dhunës seksuale. Qeveria mund të bënte thirrje; ka numër telefoni për dhunën ndaj fëmijëve e ndaj grave, merrni denonconi se policia është në anën tuaj, ne jemi në anën tuaj. Vetë qeveria duhet t’i bëjë analizë kësaj vizite që të ketë objektiv të qartë herën tjetër.

Nga përvoja juaj çfarë ndodh me viktimat e dhunës? Me rastet që ju keni ndjekur nga afër, si jetojnë fëmijët që kanë përjetuar dhunë seksuale, arrijnë ta tejkalojnë traumën?

Nga rastet që ne kemi ndjekur kemi eksperienca nga më të suksesshmet deri nga ato më të hidhurat. Së pari, gjykatat kanë patur dhe kanë shumë probleme me mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale. Në qoftë se në të gjithë botën e përparuar viktimat e kësaj dhune trajtohen në mënyrë të posaçme nga gjykata duke marrë njësoj lehtësish, në Shqipëri kjo nuk ndodh. Vite më herët, pas vitit 2001, kur kemi mbrojtur viktima të dhunës seksuale në gjykatë. Bëhet fjalë për të mitur që janë dhunuar nga prindër ose të afërm të tyre dhe gjykatat nuk merrnin as masën më minimale që të largonin agresorin nga familja. Në dy-tri raste nuk është marrë në konsideratë deklarata e vajzës edhe kur është vërtetuar humbja e virgjërisë dhe marrëdhënia me dhunë, por përkundrazi gjykata ka vendosur “për mungesë provash” për të liruar ushtruesin e dhunës, që ka qenë babai ose xhaxhai i viktimës. Kemi patur momente shumë të hidhura, kur vajzat ose kanë përfunduar në viktima të trafikimit ose në një rast ka qëlluar që ka vrarë veten vetëm 1 vit pasi kishte rënë pre e dhunës. Edhe sot kur ke një ligj për drejtat e fëmijëve përsëri mënyra se si i trajton policia e prokuroria këto viktima nuk janë mirëfilltës profesionale. Për më tepër ajo që përbën shqetësim janë të dhënat e gjykatave në lidhje me krimet seksuale. Në Shqipëri raportohen rreth 100-150 raste në vit të dhunës seksuale nga të cilat arrijnë të dënojnë ndërmjet gjysmës ose më pak, që do të thotë se vetëm për gjysmën e krimeve që raportohen, pa marrë parasysh ato që nuk raportohen, ka dënime të agresorëve. E vërteta është se shumica e krimeve të tilla nuk raportohen.

A dështuan institucionet përgjegjëse në trajtimin e çështjes? Si duhej të vepronin?

Çështja është se për mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve, zyra jonë ka që prej vitit 2010 që ngre shqetësimin dhe përpiqemi që të ndërtojmë një sistem të plotë për mbrojtjen e fëmijëve në të gjitha bashkitë e vendit. Por e vërteta është se një pjesë e mirë e bashkive kanë dështuar për krijimin e këtij sistemi. Këto institucione kanë së pari, detyrë ligjore që të ngrenë njësinë e mbrojtjes së fëmijëve, e më pas të ndërtojnë një plan social dhe të adresojnë se cilat janë nevojat për shërbime, sa fëmijë të dhunuar ka etj. Të gjitha këto kërkojnë mbështetje financiare nga taksat dhe nga fondi social. Bashkitë vendosin për hapjen e shërbimeve sociale pasi kanë miratuar planin social. Vetëm Tirana ka shërbime të kufizuara për trajtimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, ndërsa thuajse të gjitha qytetet e bashkitë e tjera në Shqipëri bazohen vetëm në shërbimet e Organizatave Jofitimprurëse, shërbime të cilat për më tepër nuk i financojnë bashkitë. Sikur të mos jenë donatorët e huaj që japin fonde në këtë drejtim këto shërbime do të mbylleshin dhe qytetarët do të mbeteshin pa asnjë shërbim kujdesi, rehabilitimi e të tjera shërbime mbështetëse. Kjo vlen jo vetëm për fëmijët, por për gjithë shtresat dhe grupet shoqërore. Po në këtë kuadër, edhe në bashkitë ku ky sistem është ngritur, personat që janë përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve janë lënë nga bashkitë si “trima” të vetëm në luftë. Ata janë aty për të mbrojtur fëmijët, por ndërkohë, nuk kanë asnjë shërbim shoqëror në dispozicion, asnjë shërbim mbështetës, janë pa fonde, pa celular, pa transport.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Përgjimet e policit në rrjetin e prostitucionit: Na duhet një “taksi” e mirë

Efektivi i policisë rrugore Elton Shtrepi është përgjuar në të paktën dy...
Read More