Detajet: Rama gati sa nuk i tha Biberajt ‘nuk jam kryeministër’

 

Tashmë po qarkullon një si barsoletë nëpër rrjetet sociale. Thonë se kur e pyetën kryeministrin Edi Rama në Perëndim se ai është ndopak përgjegjës që dy ministra të Brendshëm i kanë rezultuar me lidhje me krimin e organizuar, ai u tha se Saimir Tahiri ka qenë ministër në kohën e qeverisjes së Sali Berishës.

Ironia nxjerr në pah një problem të qeverisjes së kryeministrit Rama. Edhe kur i vihen nën akuzë ish-ministrat, edhe kur ndërron shumicën e kabinetit qeveritar, ai të krijon idenë se nuk është kryeministri i këtij vendi prej 6 vitesh pasi nuk mban asnjë përgjegjësi.

Kështu ndodhi edhe një ditë më parë, kur iu përgjigj gazetarit të Zërit të Amerikës Elez Biberaj. Në këtë rast, Rama tha se askush nuk ka sjellë asnjë provë që ta implikojnë atë personalisht në raste korruptive.

“Por desha t’Ju pyes zoti Elez, a e dini Ju se “i korruptuar” është akuzë ligjërisht e rëndë e jo opinion dhe a keni Ju ndonjë provë për ta mbështetur këtë akuzë?! Natyrisht kjo është një pyetje retorike. Sepse deri më sot, askush nuk ka sjellë dot asnjë provë, për ta mbështetur etiketimin e rëndë “i korruptuar”, lëshuar rëndom në adresën time nga palë e individë të angazhuar publikisht, në fushata a në maskarada të shumta kundër meje. Por personi im ka lidhje me këtë etiketë, aq sa ç’ka lidhje kjo lloj gjuhe me gazetarinë e vërtetë!” tha Rama.

Kështu, Rama kryeministër lau duart me qeverisjen e tij dhe foli vetëm për veten. Kryeministri duket i lumtur se nuk e kanë filmuar me tufa dollarësh nëpër duar.

Por referenca e Biberajt, që ka raportuar tek Zëri i Amerikës jo pak afera korruptive të qeverisjes, normalisht ishte për Ramën kryeministër. Dhe për qeverisjen e tij të korruptuar nuk është nevoja të shkohet larg. Mjafton të shohësh raportin e fundit të Departamentit të Shtetit për korrupsionin galopant dhe të pandëshkuar në nivelet më të larta të qeverisjes. Ose raportin e Transparency International.

************************************

Elez Biberaj është ndër shqiptarët e Amerikës që ka ecur lart në karrierën e tij, duke u bërë një nga drejtuesit më të rëndësishëm të një mediumi me ndikim global siç është Zëri i Amerikës. Disa thonë se për shkak të staturës së Biberajt, të tjerë fajësojnë qeverisjen e dobët të Edi Ramës, por fakt është se në Shqipëri po duket sikur po përjetojmë një situatë që së fundmi ishte parë këtu e 30 vjet më parë. Studentët janë ngritur në protestë, opozita është në rrugë dhe Zëri i Amerikës po tregohet i ashpër me qeverinë.

Si për t’i vënë kapak, vetë Biberaj mbajti një fjalim të ashpër ndaj Ramës para pak ditësh në 110-vjetorin e gazetës Dielli. Fjalimi i tij u bë viral dhe provokoi një reagim të ashpër nga kryeministri Edi Rama, që merret më shumë me anën gazetareske të përmbajtjes së asaj që tha Biberaj. Por teksa shumë shqiptarë duan të projektojnë tek fjalimi i Biberajt një qëndrim që jehon më shumë se emri i tij dhe ngjan si një reagim i Uashingtonit, fakt është se një fjali e vetme duket se e ka trazuar fort kryeministrin Edi Rama.

Biberaj parashikon dështimin e reformës në drejtësi, për të cilën janë investuar shumë amerikanët. Ndërsa në Tiranë po flitet se edhe të huajt po e kuptojnë se ajo që u nis me bujë të madhe, mund të mos sjellë frutet e pretenduara, raportet ndërkombëtare nuk po e përmendin më reformën në drejtësi si arritjen e madhe që do shpëtojë shqiptarët.

“Rama është përpjekur ta forcojë pushtetin e tij në maksimum, duke ngushtuar hapësirën publike, duke minuar institucionet e pavarura, duke e mbushur gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave dhe duke margjinalizuar opozitën,” tha Biberaj.

Kaq është dashur dhe Rama ka reaguar me forcë, duke thënë diçka që duket si rrëshqitje frojdiane. “E pranoj dhe e pranoj me krenari, se kam minuar një sistem të tërë të kalbur e të korruptuar drejtësie”, thotë Rama. Pra e paska bërë Rama i vetëm të gjithë këtë? Nuk ishte një reformë e mbështetur nga të gjithë palët?

“Është befasuese që Ju të flisni për gjyqësor të mbushur me besnikë, sepse e vërteta është që kaq larg s’ka shkuar askush, as brenda vetë oborrit opozitar, përveç Dr.Berishës!” thotë Rama.

Fakti se shumicën e shkrimit të tij, Rama e mbështet tek kjo akuzë e Biberajt, tregon se historia është më e komplikuar. Mjafton të shihni një sondazh të Fondacionit Soros të hënën, që thotë se shumica e shqiptarëve nuk e besojnë vetingun. Është thuajse ajo përqindje njerëzish, mbi 63 përqind, që nuk duan të jetojnë më në këtë vend.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rrjetet Telekom kryesojnë garën në Europë

  NJOFTIM PËR SHTYP – P3: Telekom Albania është rrjeti më i...
Read More