Detaje të reja nga plani terrorist për ndeshjen Shqipëri-Izrael

10622896834141436629996765890220-3395956_p9

Personat e arrestuar në Shkodër pak ditë më parë nën akuzën e akteve terroriste të mbetura në tentativë, dyshohet se kishin planifikuar katër sulme terroriste në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Burime pranë prokurorisë bëjnë me dije se, Xhezair Fishti, Medat Hasani, Ergys Faslia dhe Bekim Protopapa dyshohet se do të kryenin secili prej tyre një sulm terrorist ditën e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Izraelit, e cila do të luhej mbrëmjen e 12 nëntorit në Shkodër. Këta persona ishin urdhëruar nga drejtues të ISIS që të kryenin sulme terroriste, por dyshohet se do të vepronin në mënyrë individuale, pasi secili prej tyre dyshohet të jetë kontaktuar veçmas nga njëri-tjetri, me qëllimin e vetëm që sulmi të realizohej të paktën nga njëri prej tyre. Sipas të njëjtave burime mësohet se, Policia e Shtetit dhe shërbimet e inteligjencës po mbajnë nën vëzhgim edhe 20 personat e ndaluar gjatë operacionit të disa ditëve më parë, së bashku me rreth 80 të dyshuar të tjerë, në Shkodër, Tiranë, Dibër, Elbasan e Pogradec. Në të njëjtën ditë kur u zhvillua operacioni për kapjen e katër personave në Shqipëri, në Kosovë u arrestuan 7 persona. Materialet për celulën që vepronte në Shqipëri dhe atë në Kosovë kanë mbërritur nga agjencitë partnere të inteligjencës, të cilët qëndronin prej disa kohësh në vendin tonë. Dy grupet dyshohet se ishin nën drejtimin e xhihadistit më të njohur shqiptar që lufton përkrah ISIS, Lavdërim Muhaxheri. Të njëjtat burime bëjnë me dije se, këta persona ishin të gatshëm të sulmonin vende të caktuara ku kishte grumbullime të mëdha njerëzish për të shkaktuar sa më shumë panik. Të dielën e kaluar në Shkodër u zhvillua ceremonia ku u lumturuan 38 martirët e kishës katolike dhe për këtë, autoritetet kanë vendosur që t’i arrestojnë të premten, pra dy ditë më parë, për të shmangur çdo situatë. Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda edhe Policia e Shtetit nuk kanë konfirmuar zyrtarisht asnjë variant, ndërsa katër të arrestuarit qëndrojnë nën masën e sigurisë “arrest me burg”. Nga ana tjetër, asnjëri prej tyre nuk i ka pranuar akuzat e ngritura nga prokuroria.

Shkruar Nga
More from Revista User

Rikthehet Klaudia Pepa, por diçka e habitshme i ka ndodhur fytyrës së saj

Balerina e njohur, Klaudia Pepa është rikthyer pas një periudhë pauze disa...
Read More