“Detaje nga mashtrimi 900 mijë euro”: Historia e Olesias dhe emri i biznesmenit

 

Një stomatologe e njohur në Tiranë, mike me disa prej VIP-ave të ekranit, por edhe politikës u prangos ditën e djeshme pas një vendimi të Gjykatës së Durrësit, si e dyshuar për mashtrim në vlera të konsiderueshme.

Olesia Duka, 38 vjeç, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit i ka marrë një biznesmeni durrsak dhe disa qytetarëve të tjera shumën e 900 mijë eurove

Ndërkohë mësohet edhe emri i biznesmenit të mashtruar nga Duka. Sipas Report Tv, ai është Idlir Hoxha, biznesmen në qytetin e Durrësit, ku ka një pikë këmbimi valutor.

Ka qenë biznesmeni Idlir Hoxha ai i cili ka bërë denoncimin kundrejt Dukës.
Ndërsa sot në policinë e Tiranës janë bërë edhe 6 denoncime të tjera për mashtrim nga 38-vjeçarja stomatologe.

Duke përdorur personazhe të njohur të ekranit, por edhe deputete, Duka ka përdorur njohjet dhe famën për të siguruar shuma të konsiderueshme parash të cilat më pas nuk i ka kthyer më.

Kjo situatë ka nisur që prej nëntorit të vitit 2016, kur 38-vjeçarja nga Tirana është njohur me biznesmenin nga Durrësi, të cilit i ka kërkuar ndihmë për të investuar në fushën e stomatologjisë.

Ajo ka deklaruar se disponon të paktën 8 klinika dentare dhe nëpërmjet këtij investimi synonte të krijonte një rrjet klinikash dentare.

Paratë i duheshin për pajisjet mjekësore dhe shumë shpejt premtonte kthimin e investimit.

Por për më shumë se një vit e gjysmë ajo ka mundur të përfitojë shumën e 900 mijë eurove nga biznesmeni, para të cilat nuk i ka kthyer asnjëherë.

Pas disa tentativave për të marrë paratë mbrapsht, biznesmeni i është drejtuar me një kallëzim penal Prokurorisë së Durrësit, ku ka denoncuar mashtrimin sipas tij nga stomatologia 38-vjeçare Olesia Duka.

Hetimi ka nisur rreth një muaj më parë nga Prokuroria e Durrësit , e cila të premten i është drejtuar gjykatës së këtij qytetit për të kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Dukës, e cila dyshohet për mashtrim me pasoja të rënda në dëm të disa personave.

Në një njoftim për mediat Prokuroria e Durrësit thotë se hetimi për këtë çështje është bërë në bashkëpunim me Sektorin kundër Krimit Ekonomik në Tiranë, pasi dyshimi ka qenë se bëhej fjalë për një mashtrim me vlerë 900 mijë euro.

Nisur nga dëmi i madh i shkaktuar të dëmtuarit nga vepra penale, nga ana e Gjykatës është vendosur sekuestroja preventive për pesë pasuri të autorit dhe familjarëve të tij me një vlerë mbi 300 mijë Euro.

Prokuroria thotë se hetimet vazhdojnë për identifikimin e shumave të vjedhura dhe të fshehura nga ana e autorit të veprës penale, pasi në prokurori janë bërë edhe kallëzime të tjera përveç biznesmenit.

Olesia Duka është personazh i njohur në Tiranë. Ajo ka qenë pjesë e emisioneve televizive, ndërsa ka njohje me disa personazhe të njohura të ekranit dhe politikës.

Siç duket këto njohje ajo i ka shfrytëzuar në favor të saj me qëllim krijimin e besimit te të dëmtuarit se paratë e investuara do të shërbenin për krijimin e një biznesi serioz. Më herët Olesia Duka ka qenë e martuar me kantautorin e njohur Bojken Lako.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Gjermania të ndalojë përpjekjen e rrezikshme për ndarjen e Kosovës

  Ndërsa SHBA dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së po...
Read More