Detaje nga ekzekutimi gjakftohtë i Nard Polias, zbulohet e kaluara

 

Policia e Shkodrës ka marrë dëshminë e shokut të Nard Polias që ishte në të njëjtën makinë me viktimën në momentin e vrasjes. Dëshmitari okular Xhovan Mirashi, i cili fatmirësisht shpëtoi nga ky atentat pa dëmtime, ka treguar përpara policisë se  kishte dalë me viktimën nga servisi për të provuar fuoristradën.

Pak minuta pas daljes nga servisi, Mirashi dëshmon se është afruar në drejtim të tyre një person i veshur me te zeza me motor dhe me kaskë në kokë, i cili fillimisht ka prerë rrugë duke detyruar Polian të ndalë mjetin, raporton A2 CNN.

Më pas me qetësi i është afruar makinës së tyre dhe pasi ka nxjerre nga xhaketa armën ka qëlluar me breshëri në drejtim të 35-vjeçarit Nard Polia. Dëshmitari tregon se e kishte pyetur shokun e tij se kush ishte personi që u preu rrugën, por Polia i ishte përgjigjur se nuk e kishte idenë. Gjithashtu dëshmitari ka pohuar se vrasësi, që kishte një motor T Max, nuk e kishte hequr kaskën nga koka dhe nuk bëri asnjë komunikim me viktimën.

Nga ana tjetër policia dyshon se ekzekutori mund të jetë një vrasës me pagese dhe se qitja e plumbave me breshëri ka qenë shumë e saktë, duke eleminuar vetëm objektivin pa prekur shokun e tij që kishte në krah. Sipas policisë, ky fakt tregon se ekzekutori mund të jetë një person i përgatitur mirë me armët e zjarrit dhe se ka studiuar zonën, lëvizjet e shënjestrës së tij si dhe mënyrën se si do të humbte gjurmët duke djegur motorin rreth 2 km larg vendit ku kreu atentatin.

Ndërkohë policia po verifikon të kaluarën e viktimës në Itali. Raportohet se Nard Polia ishte arrestuar në vitin 2011 bashkë me 8 anëtarë të një grupi kriminal për trafik kokaine dhe shfrytëzim prostitucioni në një lokal nate në Trevizo të Italisë.  Gjatë hetimit të autoriteteve italiane policia zbuloi edhe dy vjedhje të kryera dhunë nga Polia, ku në njërën prej tyre i riu nga Shkodra ka mbetur i plagosur nga pronari i shtëpisë.

Pas qëndrimit në Itali, Polia është kthyer në Shkodër duke u vendosur në Theth ku njihej për aktivitetin në fushën e turizmit. Ai ishte aktiv në trajtimin e problematikave që ka zona, ndërsa kolegët e tij në Adminsitratës së Zonave të Mbrojtura nuk kanë dijeni që ai të kishte konflikte.

Ata thonë se ishin takuar me Nard Polinë vetëm dy orë para se ai të ekzekutohej në pritën me armë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vijojnë përplasjet, rëndohet bilanci i viktimave në Rripin e Gazës

  Mijëra palestinezë në Gaza marshuan drejt kufirit izraelit, në nisje të...
Read More