Debati: LSI-PD, aleancë në Kuvend për pajisjen e përgjimit

Saimir TahiriDeputetët demokratë kanë kërkuar që të raportojnë në komision Tahiri, Çako, Llalla dhe Ajazi. PS ka kundërshtuar dhe është larguar nga mbledhja. Deputetët e LSI nuk janë larguar bashkë me aleatët e tyre, por e kanë konsideruar si një skandal shumë të madh, nëse vërtetohet ekzistenca e kësaj pajisjeje

Pajisja e përgjimit që gjendet në ambientet e Policisë së Shtetit ka futur në debat edhe Komisionin Parlamentar të Sigurisë.

Dhe jo vetëm mazhorancën dhe opozitën, por ajo ka bërë që edhe mes vet deputetëve të koalicionit qeverisës të shfaqen diferenca të mëdha.

Kërkesa e përfaqësuesve të djathtë në këtë komision për të thirrur për të dhënë shpjegime ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako, kryeprokurorin, Adriatik Llalla dhe kreun e SHISH, Visho Ajazi, ka hasur në kundërshtimin e deputetëve socialistë, të cilët e kanë konsideruar të panevojshme ardhjen e këtyre zyrtarëve të lartë, së pari, se bëhej fjalë për një informacion mediatik dhe së dyti, se për këtë çështje është hapur një hetim kryesisht nga ana e Prokurorisë.

Ndërkohë që përfaqësuesit e LSI-së, kanë mbajtur një qëndrim të ndërmjetëm, duke u shprehur se në rast se një gjë e tillë do të ishte e vërtetë, kjo do të përbënte një skandal që i kalon përmasat e një individi, qoftë ky edhe ministri i Brendshëm.

Ndërkohë që socialistët, duke kundërshtuar procedurën e ndjekur nga drejtuesi i kësaj mbledhjeje, Flamur Noka (Spartak Braho nuk merrte pjesë pasi është sëmurë), janë larguar nga mbledhja duke u përpjekur që të bllokojnë vendimmarrjen e komisionit, në lidhje me thirrjen e këtyre zyrtarëve në seancë dëgjimore, por atyre nuk i janë bindur deputetët aleat të LSI-së, të cilët kanë vijuar të qëndrojnë në sallë së bashku me deputetët demokratë.

Më konkretisht deputetët, Luan Rama, Ylli Shehu dhe Shkëlqim Selami kanë vijuar të qëndrojnë në mbledhje, ndërsa kanë kërkuar që fillimisht të thërritet në mbledhje vetëm drejtori i SHISH, Visho Ajazi dhe pasi të merren informacionet prej tij, të vendoset nëse do jetë e nevojshme që të vijnë për të raportuar edhe tre zyrtarët e tjerë të lartë.

Por duket se në fund komisioni nuk ka mundur dot të marrë një vendim për këtë çështje, pasi PD ka këmbëngulur për të thirrur edhe 3 zyrtarët e tjerë, por që të realizonin këtë u duhej edhe firma e një deputeti të LSI-së, të cilën në këtë rast nuk e kanë gjetur.

Por duket se qëndrimi i djeshëm i deputetëve të LSI-së tregon se gjërat mes dy partive kryesore të koalicionit nuk po shkojnë ashtu siç duhet.

Këtë e vërteton edhe deklarata e bërë nga Luan Rama, gjatë një interviste mediatike ku tha se nuk është e sigurt nëse PS dhe LSI do dalin bashkë në zgjedhjet e pjesshme për kryetar të bashkisë së Peshkopisë.

Ndërkohë që për një cenim të ecurisë së koalicionit, mësohet se ka folur edhe deputeti socialist, Erion Braçe, gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar, ku ka theksuar se ministri i Drejtësisë duhet të kërkojë falje për deklaratat e tij kundër eksponentëve socialistë, pasi ndryshe mund të cenojë koalicionin.

Më poshtë, debati i plotë në komision:

Flamur Noka: Ka dalë lajmi i një pajisjeje përgjimi, që fillimisht u mohua. Më vonë rezultoi se prokuroria ka nisur një hetim. Kjo përbën krim të rëndë, ndaj ne, një grup deputetësh të opozitës kemi thirrur Tahirin, Llallën, Vishon dhe Çakon. Sepse ekzistenca e pajisjes shkel ligjin dhe të drejtat e njeriut. Nesër në ora 10:00 presim Tahirin të japë përgjigje. Në 11:00 presim Adriatik Llallën. Në 12:00 do thirret Haki Çako, dhe në 13:00 kreu i SHISH, për të dhënë shpjegime. Kjo përbën kërcënim jo vetëm për shtetin ligjor, por edhe për liritë dhe të drejtat e njeriut. Një akt i tillë që është jo vetëm shkelje ligjore por është akt kriminal shumë i rëndë. Nuk mund ne si anëtarë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare ta lëmë në heshtje këtë çështje. Ky përbën një skandal të paprecedentë.

Luan Rama: Të shqyrtojmë projektin dhe ta miratojmë dhe pastaj nëse ka çështje jashtë rendit të ditës, t’i diskutojmë. Propozimi juaj është korrekt në anën formale, por mos t’i bëjmë gjërat lëmsh.

Noka: Ju keni ardhur vonë në mbledhje, por ne diskutuam çështjen në rend të ditës. Ne kemi respektuar pikë për pikë procedurën dhe rendin e ditës. Kjo ngjarje është një ngjarje e rëndë, nuk ka ndodhur kurrë, është e paprecedentë. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e shtetit shqiptar që të futet një pajisje e paligjshme përgjimi. Çdo qytetar i këtij vendi nuk është kundër përgjimeve të ligjshme.

Rama: Marrëveshja duhet miratuar në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Noka: Në votimin në parim thash a është kundra kush? S’ka.

Pirro Lutaj: Nuk mund të kalojë kështu, zoti drejtues. Nuk mund të kalojë kështu…Futja e një pike tjetër e rendit të ditës miratohet në seancë. Prandaj hidheni në votë nëse do fusni këtë pikë në rend dite. I nderuar drejtues i mbledhjes, në respekt të komisionit duhet të them se keni bërë një drejtim jokorrekt të komisionit. Rendi i ditës së komisionit është shumë i qartë dhe futja e një pike tjetër në rendin e ditës miratohet në komision. Ndaj hidhni në votë nëse çështja që ju doni të trajtoni do miratohet apo jo. Por për këtë çështje ka filluar hetimi penal dhe nuk mund të kërkoni që të vijnë këtu institucionet shtetërore, gjithmonë nëse sipas jush ka filluar një hetim.

Rama: Ju parashtruat një shqetësim dhe bëtë një propozim. Çka do të thotë që ne kemi një informacion që është shfaqur mediatikisht. Fillimisht nga një gazetë dhe më pas edhe nga media të tjera për futjen e një pajisjeje përgjimi. Por tashmë kemi vetëm informacione mediatike dhe jo zyrtar. Nuk kemi as nga prokuroria që ka nisur një hetim, as nga kryetari i shtetit dhe as nga shërbimi që e ka evidentuar. Prandaj ne duhet të nisim a është i vërtetë si informacion dhe pastaj të bëjmë verifikim. Unë rezervoj të drejtën që ta besoj këtë informacion. Nëse do të ishte kështu, do ishim para një skandali të madh se atje ka njerëz të përgjegjshëm dhe kjo nuk do kishte pasoja vetëm mbi një individ, por shumë të mëdha. Këtu nuk kemi të bëjmë me një telefon, stilolaps, një çakmak që e fut në xhep dhe e fut, por kemi të bëjmë me një pajisje që kalon edhe në doganë. E dyta nuk është pajisje që përdoret vetëm nga një individ…

Paulin Sterkaj: Po e bën fakt këtë ti?

Rama: Nuk po e bëj fakt Paulin, pse mërzitesh ti…

Noka: Është fakt zoti Paulin.

Rama: Nuk besoj se kanë lajthitur drejtuesit institucionit e ta kenë vendosur këtë pajisje. Do ishte skandal institucional…

Sterkaj: Nëse çështja është në hetim, nuk kemi të drejtë të thërrasim Llallën.

Qefalia: Ju e keni burimin e informacionit shumë të qartë. Pajisja mund të jetë vendosur dhe në institucione të tjera.

Rama: Nëse Lutaj e di që çështja po hetohet nga prokuroria, i bie që është e vërtetë. Po ta kishte nxjerrë Berisha, do e besoja. Letër SHISH nëse ka informuar presidentin. Letër Llallës nëse ka nisur hetim. Më pas të vijojmë me raportimet e institucioneve…

Noka: Nuk mjaftojnë letrat, të vijnë të raportojnë

Rama: Të thërrasim Ajazin fillimisht. Nëse ai e mohon, ndërpresim raportimet e tjera.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Numri i ri i revistës Mapo/ “Donald Lu, reformatori amerikan”

Nga data 03/09/2016 mund gjeni në treg numrin e ri të revistës...
Read More