Editorial

Debatet gjeopolitike dhe politike përfunduan, le të fokusohemi tek ekonomia këtë javë të fundit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:40 - 17/06/17 |
mapo.al

Nga Ervis Iljazaj


Sipas një raporti vlerësimi  të Institutit Europian Pashko mbi programet  elektorale të partive politike që u publikua disa ditë më parë, Presidenti i tij, profesori i ekonomisë Selami Xhepa theksoi se programet nuk sigurojnë instrumentet e duhura për mbështetjen e një rritjeje ekonomike të mjaftueshme. Sipas tij, në këto zgjedhje nuk ka prioritete të qarta për mirëfinancimin për dy nga sektorët me rëndësi për zhvillimin e vendit, atë të arsimit dhe shëndetësisë. Megjithëse vlerësoi pozitivisht që në programet elektorale të partive kryesore ka një tendencë për uljen e taksave.


Ky raport thekson edhe njëherë atë që është problematika më e madhe në këto zgjedhje, alternativat për zhvillimin ekonomik dhe modelin e tij që paraqiten nga forcat politike kryesore.  Në këto zgjedhje, për shkak të kontekstit politik dhe mënyrës se si shkuam drejt tyre, ekonomia u la në plan të dytë. Kjo reflektohet te programet elektorale, që ende shqiptarët nuk i kanë të qarta, edhe pse në sloganet e partive kryesore mbizotëron fjala ekonomi.


Në plan të parë deri në momentet para fushatës zgjedhore politika shqiptare u përball me probleme sistemike dhe me ato gjeopolitike duke drejtuar fokusin në çështje të tjera që përbënin shqetësimin kryesor.


Me zgjedhjen e Donald Trump si President i Shteteve të Bashkuara, Ballkani Perëndimor si pasojë edhe e ndërrimit të administratës atje, kaloi një moment të vështirë gjeopolitik. Me zgjedhjen e tij politika ndërkombëtare amerikane për këtë rajon kishte paqartësi. Mjafton këtu të përmendim zhvillimet e fundit në Maqedoni apo trazira të ndryshme që ndodhën në këtë periudhë. Shqipëria dhe klasa politike e saj nuk mund të përjashtoheshin nga këto “turbulenca”. Rreziku i influencës ruse ndihej kudo, edhe në vendin tonë.

Pas kësaj periudhe paqartësie, SHBA me politikat e saj tregoi se Ballkani vazhdon të jetë prioritet në politikën e jashtme të tyre. Në këtë kuptim vendi ynë evitoi këtë rrezik gjeopolitik dhe klasa politike shqiptare u rreshtua qartësisht pro aleatëve tanë amerikanë.

Gjithashtu, kriza politike e brendshme me protestën e Partisë Demokratike rrezikonte të kthehej në një krizë e cila vinte në dyshim vazhdimësinë e gjithë rendit kushtetues me kërcënimin e bojkotit të zgjedhjeve që vinte nga opozita. Megjithatë, liderët e partive kryesore me marrëveshjen e arritur e futën vendin në një kurs normal politik duke garantuar qëndrueshmërinë politike dhe shoqërore.

Duke patur parasysh të gjithë periudhën parazgjedhore të politikës, kontekstin e jashtëm dhe të brendshëm në të cilën u zhvilluan ngjarjet kryesore të saj, mangësia e platformave ekonomike apo në rastin më të mirë, paqartësia e tyre nga ana e elektoratit shqiptar deri diku është e justifikuar.

Tanimë që jemi futur në javën e fundit të fushatës elektorale dhe çdo debat politik apo gjeopolitik mund të konsiderohet i shteruar, nuk ka asnjë justifikim për  partitë politike kryesore që modeli i zhvillimit ekonomik i tyre të jetë i paqartë dhe i paartikuluar me rëndësinë që i takon.

Deri më tani kemi dëgjuar t’iu premtohet qytetarëve taksa të ulëta dhe shpenzime sociale të larta. Një paradoks i mendimit ekonomik dhe politik.

Do të ishte momenti i duhur të kishim një përballje alternativash që bazohet në reformat që i duhen i vendit dhe larg populizmave të dëmshme që luajnë me emocionet popullore.

Le të ketë kjo javë e fundit zgjedhore në qendër të saj ekonominë. Në fund të fundit, përtej çdo debati politik, ajo që iu intereson më shumë qytetarëve është pikërisht përmirësimi i jetës së tyre.



CLOSE
CLOSE
Pas