Dashuria që mund urrejtjen…

Nga Esido Barkaj

Ngjarjet e fundit mes Greqisë dhe Shqipërisë, kanë acaruar marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Duket se Tirana dhe Athina zyrtare kanë lënë në tryezë për momentin të gjitha bashkëpunimet dhe marrëveshjet mes tyre, të paktën sa të kalojë kjo valë e nxehtë nacionalizmi që ka pushtuar dy popujt.

Ekzekutimi i Konstandin Kacifasit dhe më pas të Petrit Zilfës, janë dy ngjarje të lidhura me njëra-tjetrën.

Policia shqiptare tha se i ndjeri Kacifas ka qëlluar mbi policinë para se të ekzekutohej, ndërsa policia greke tha se i ndjeri Zilfa, është vrarë nga një shtetas grek ekstremist pas debatit të tyre për rastin Kacifas.

Cilido qoftë shkaku, të dyja familjet janë në zi dhe secili prej nesh duhet të shprehë ngushëllimet e tij.

Por rritja artificiale e nacionalizmit, që i shërben vetëm disa qarqeve ekstremë dhe dashakeqe në vendin tonë, nuk ndihmon në zbardhjen e ngjarjeve dhe as në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

Them rritje artificiale, sepse populli shqiptar, nuk është brumosur me ndjenjë të nacionalizmi ekstrem. Por kjo lloj rryme po përhapet në Shqipëri nga disa individë me qëllimin e vetëm për të sulmuar disa institucione dhe për të krijuar trazira dhe pakënaqësi në vend.

Duke marrë armët dhe duke nisur sulmet me shpifje, akuza apo aq më rëndë duke sulmuar një person fizikisht, nuk tregon nivel civilizimi dhe nuk shpreh atdhedashurinë tonë.

Në Shqipëri, në zonën e Jugut, jeton komuniteti grek dhe në Greqi jetojnë mbi 500 mijë shqiptare. Vetëkuptohet se mes nesh dhe mes tyre, përveç marrëdhënieve të përditshme, mund të lindin edhe konflikte mes dy individëve, që mund të ketë pasoja të rënda. Duke qenë se bashkëjetojmë dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, këto janë ngjarje fatkeqësisht të pashmangshme.

Por kjo nuk do të thotë që pse një shtetas grek vrau një shqiptar, ai përfaqëson të gjithë Greqinë dhe anasjelltas.

Të gjithë ne, duke ruajtur vlerat e kombit dhe autonominë e vendit tonë duhet të tregojmë faqen më për të përmirësuar marrëdhëniet mes vendeve fqinje.

Ajo që është e papranueshme, është sulmi menjëherë pas këtyre dy ngjarjeve tragjike, ndaj Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, nuk ka asnjë lloj përfshirjeje në këto ngjarje të trishtuara dhe i gjithë komuniteti ortodoks shpreh keqardhjen e tij.

Disa individë, që e dinë se po shave Kishën Ortodokse del në media, dolën dhe hodhën helmin e radhës ndaj kryebariut të Kishës, Imzot Anastasi.

U ngrit pyetja pse Kryepeshkopi Anastas nuk reagoi në lidhje me rastin Kacifas. Ky i fundit nuk ishte klerik dhe nuk përfaqësonte Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, pavarësisht nëse ishte apo jo besimtar.

Arsyet pse Kacifas doli kundër policisë shqiptare mund të jenë të shumta, por nuk ekziston mundësia që përplasja e tyre të jetë nxitur nga Kisha Ortodokse.

Ajo që i ngelet Kryepeshkopit Anastas është që të lutej dhe të shprehte ngushëllimet për të ndjerin dhe për familjen e tij.

Por fakti që Kacifas ishte i minoritetit grek, individë fundërrina që vuajnë për dy kacidhe lekë dhe për të bërë bujë artificiale dolën dhe hodhën baltë mbi gjithë komunitetin ortodoks, sulmuar sërish Kryepeshkopin Anastas.

Duhet ta kenë mjaft të qartë, që Kryepeshkopi Anastas është drejtuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe përfaqëson të gjithë komunitetin ortodoks në vendin tonë, por vetëm në anën shpirtërore.

Nëse një ortodoks apo një mysliman kryen një krim, ai nuk përfaqëson Komunitetin e tij fetar.

Më pas erdhën sulmet pse Kryepeshkopi nuk ka ngushëlluar familjen e të ndjerit Petrit Zilfës. Edhe këtu dolën blof. Kryepeshkopi kishte ngushëlluar të dyja familjet.

Këto sulme ndaj Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, kanë një qëllim të errët dhe dashakeqës, jo vetëm kundër Kryepeshkopit Anastas, por ndaj të gjithë komunitetit ortodoks.

Para pak ditësh, një vajzë e re studente në Rodos të Greqisë, u rrah dhe u godit me sende të forta në kokë nga një shqiptar. Ky i fundit tentoi ta përdhunonte të renë e cila e kundërshtoi. Ai bashkë me një mikun e tij, e goditën dhe më pas e hodhën në det ku dhe e reja u mbyt. Asnjë prej shqiptarëve nuk doli të ngushëllonte familjen e kësaj vajze të re. Po të ishte vajza me origjinë shqiptare, sulmet do kishin nisur edhe një herë nga fillimi. Ashtu siç ndodh edhe në vendin fqinj, i cili nuk mban më pak gabime sa i takon nacionalitetit të verbër.

Ky i ri shqiptar që vrau këtë vajzë të re, nuk përfaqëson as shtetit shqiptar, as origjinën e tij. Ai do të përballet në gjyq për kafshërinë e tij që i mori jetën një vajze të re.

Ajo që dua të theksoj është që këto individë, duhet të heqin dorë nga sulmet helmuese ndaj Kryepeshkopit Anastas dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë sepse nuk kanë asnjë lidhje me ngjarje të shëmtuara që fshihen pas nacionalizmit ekstrem. Prej 26 vitesh, kryepeshkopi Anastas është kujdesuar që vreshtën ortodokse në Shqipëri ta kultivojë me farën e paqes dhe të dashurisë, kundër dhunës dhe urrejtjes. Por fatkeqësisht, disa individë, ende nuk kanë mësuar as si t’i luten Zotit, por është dashuria ajo që mund urrejtjen.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tirana, qytet i studentëve ndërkombëtarë: Prezantohet nisma në UET

Shkëmbimi studentor përmes programit Erasmus po bën që Tirana të kthehet çdo...
Read More