Danielsson: Po i bëhet “kurth” Shqipërisë në prag të negociatave

Drejtori për fqinjësi dhe zgjerim në BE Christian Danielsson pas vizitës që pati me drejtuesit politik të vendit e konsideron fatkeqësi që Shqipëria gjendet në kurth dhe mungesë stabiliteti. Kritikat ndaj opozitës për çështjen e djegies së mandateve dhe thirrja për mazhorancën që të angazhohet për dialog. Basha: Zgjidhja është largimi i Ramës dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kryeministri: “Po punoj për të hequr baltën që hodhi opozita”.

Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim në Bashkimin Europian, Christian Danielsson e konsideron “kurth” dhe fatkeqësi mungesën e stabilitetit politik në Shqipëri, që mund të sjellë pasoja për integrimin drejt BE-së. “Është fatkeqësi që Shqipëria sot gjendet në kurth, le ta themi nga mungesa e stabilitetit. Forcat politike duhet të luftojnë për reformat e përbashkëta. Duhet udhëheqje e përgjegjshme për ta afruar vendin me BE”, – tha ai. Këtë deklarata e dha menjëherë pasi takimit që pati me kreun e opozitës Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama. Duke iu referuar vendimit të opozitës për djegien e mandateve ai ishte në të njëjtën linjë me përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë, pjesë e Parlamentit Europian, duke e konsideruar vendim që bie ndesh me rrugën e integrimit drejt BE. “Sa i përket opozitës kam theksuar që vendimi i anëtarëve për të djegur mandatet në bllok minon rrugëtimin e Shqipërisë në BE. Pasiguria duhet kaluar në mënyrë urgjente. Parlamenti është shtyllë e shtetit, motori i çdo demokracie të pjekur. Duhen krijuar kushtet për një dialog konstruktiv në Parlament. Ndaj duhet theksuar thirrja e Mogherinit dhe Hanh që ky vendim e minon integrimin”, – tha ai. Nga ana tjetër, kryedemokrati Basha ka vijuar i qetë qëndrimin e zakonshëm duke vlerësuar partnerët ndërkombëtarë, por këmbëngulur në vendimin e prerë për: “largimin e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”. Ndërsa kryeministri, si gjithnjë ka zgjedhur rrjetet sociale për reagimin, duke mbajtur edhe ai qëndrimin e përhershëm se vendi është në situatë normale, ndërsa opozita po baltos Shqipërinë.

Denielsson: I shqetësuar për qershorin…

Gati të ngjashëm me lojën “mos u nxeh” mazhoranca dhe opozita tentojnë të tregojnë qetësi në kaosin që po përfshin vendin, pas vendimit të opozitës për djegien e mandateve. Kreu i qeverisë po e “përballon” situatën me tur diskutimesh dhe si një “analist” në mediat ndërkombëtare. Nga ana tjetër opozita nuk ka mbetur vetëm me aktin ekstrem politik të djegies së mandateve, që më 21 shkurt, por ka mbajtur katër protesta të mëdha, çka duket edhe nga pakënaqësie e theksuar qytetare ndaj mënyrës qeverisëse. Përshkallëzimi i situatës mund të sjellë pasoja të rënda për vendin dhe këtij skenari i druhen ndërkombëtarët, që edhe ata deri tani kanë mbajtur qëndrim dukshëm të njëanshëm, duke kritikuar vendimin e opozitës dhe ndonjë syresh nuk ka lënë pas edhe lëvdatat maksimale për qeverisjen. “Parlamenti është thelbësor, duhet të luajë rolin e vetë plotësisht. Kjo është përgjegjësi e shumicës por edhe opozitës”, deklaroi Danielsson. Pas takimeve që pati ai në një status në Twitter u shpreh se kishte biseduar me Ramën për të çuar më para reformat e nisura, në mënyrë që në qershor të ketë raport pozitiv për hapjen e negociatave me Shqipërinë si vend kandidat për në BE. “Një bisedë shumë e hapur me kryeministrin Edi Rama për situatën aktuale politike dhe reformat. Shqipëria duhet të vazhdojë përparimin në të gjitha fushat e reformave, dhe në veçanti luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për të na bindur në qershor, kur Shtetet Anëtare të BE do të shqyrtojnë përparimin”, shkruan Danielsson. Deri në qershor ujërat mund të jenë edhe më të trazuara, pasi situata politike në vend duket se ndryshon me orë. Opozita tashmë ka në duar argumentet e saj, duke këmbëngulur se Parlamenti është ilegjitim, pasi sipas tyre është faktuar se ka dalë nga shitblerjet masive të votave nga elementë të krimit të lidhur me politikën në pushtet.

Basha jep “formulën” që zgjidh krizën

Kreu i PD-së Lulzim Basha është i bindur se faktet për shitblerjen e votave janë në dy dosje që qëndrojnë ende të pazbardhura në prokurori. Ndërsa iu përgjigj interesit të medias, në përfundim të takimit me zyrtarin e lartë të BE-së, Basha tha se opozita e bashkuar e konsideron regjimin e Edi Ramës të mbaruar, duke e perifrazuar si një kufomë që pret të kallet. “Do dialogojmë brenda opozitës, hapat e mëtejshëm. Ne e konsiderojmë regjimin e Edi Ramës të mbaruar, një kufomë që pret të kallet. Formula e zgjidhjes është kjo: Regjimi i Edi Ramës ka mbaruar, shqiptarët e kanë përcaktuar rrugën ku do të ecet dhe opozita e ka për detyrë të konkretizojë këtë rrugë, me vizionin që edhe në Shqipëri të ndërtohen ato praktika ku respektohet dinjiteti, nuk shkelen të drejtat, ku qeveria e parlamenti janë në krah të njerëzve, jo kundër njerëzve” deklaroi Basha. Sipas tij, për të arritur deri në këtë pikë nevojitet një reformë e thellë kushtetuese, një reformë e re elektorale, por mbi të gjitha duhet vullneti politik. “Hetim i plotë i dosjes 339 dhe 184, dhe çuarja para përgjegjësisë e politikanëve që kanë vjedhur votat, janë po aq të rëndësishme se sa ndryshime në ligj që shkruhen e nuk zbatohen”- tha Basha. Ai gjithashtu ka bërë përgjegjës për mbajtjen ende të pazbardhur të dosjes kryeprokuroren e përgjithshme dhe atë të krimeve të rënda. “Donikaprelizimi i drejtësisë e ka shndërruar atë në bisht dhelpre për Edi Ramën. Ndaj është e rëndësishme zbardhja e plotë e dy dosjeve hetimore, këto dy dosje vërtetojnë se jemi autokraci, me një parlament të zgjedhur nga krimi dhe një kryeministër që është vegël e krimit të organizuar. Kështu nuk shkohet në BE, këtë e di unë, çdo qytetar, jam i bindur se këtë e di çdo europian”, shtoi Basha. Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama ka vendosur të shmangë debatin e thellë, por është aktiv në deklarime, duke u ndalur në atë që: po punon për ta pastruar baltën që hedh opozita”. Në një reagim të gjatë me shumë tjerrje, kryeministri reagoi në profilin e tij në Facebook teksa u shpreh se balta e hedhur për vendin dëmton jo vetëm Shqipërinë por edhe shqiptarët që jetojnë e punojnë nëpër botë duke akuzuar PD dhe LSI se po godasin vendin. Në rubrikën “Përgjigjja ime”, duke iu përgjigjur komentit të një qytetareje që kritikonte intervistën e kreut të PD-së Lulzim Basha transmetuar në emisionin “Porta a Porta”, në Rai Uno Rama tha se shtëpia nuk është skenë për të shfaqur në lagje sherret e brendshme. Nuk mungoi dhe një goditje për aleaten e PD, LSI-në.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gruaja nuk ekziston

Nga Klementin Mile*  Shprehja e zakonshme e grave, kur u zhgënjehen pritshmëritë...
Read More