fbpx

Kryesore

Çmim nga Akademia franceze, Agron Tufa: Të shkruash në shqipe, një akt sacral edhe nëse s’të vë re kush





               Publikuar në : 09:00 - 30/01/18 |
mapo.al

Më 26 janar, Akademia Europiane e Shkencave, Arteve dhe Letërsisë në Paris ka vlerësuar për poezinë më të mirë në vitin 2017 shkrimtarin shqiptar, Agron Tufa. Kjo është një garë për poezinë më të mirë të përkthyer në gjuhën frënge, me disa fitues me çmime të ndryshme (japoneze, amerikane, ruse) sipas figurave poetike emblematike për Europën, kryesisht poetë kombëtarë. Shkrimtarit shqiptar, Tufës iu dha çmimi “Taras Shevchenko”, poeti kombëtar i Ukrainës.  


Më 26 janar, Akademia Europiane e Shkencave, Arteve dhe Letërsisë në Paris ka vlerësuar për poezinë më të mirë në vitin 2017 shkrimtarin shqiptar, Agron Tufa.



Kjo është një garë për poezinë më të mirë të përkthyer në gjuhën frënge, me disa fitues me çmime të ndryshme (japoneze, amerikane, ruse) sipas figurave poetike emblematike për Europën, kryesisht poetë kombëtarë. Shkrimtarit shqiptar, Tufës, iu dha çmimi “Taras Shevchenko”, poeti kombëtar i Ukrainës. Në një kohë që flitet për krizë leximi, e për poezinë sidomos ka një tërheqje dyshuese, Tufa ndan vlerësimin, por dhe qëndrimin e tij, në një gjuhë që shpesh konsiderohet e papërfillshme, dhe autorët e saj me mure të pakapërcyeshme kufijsh.  


“Poezia do të vazhdojë të lexohet gjithnjë e më pak, por ajo është përshpejtuesja më kolosale e ndërgjegjësimit të njeriut mbi të bukurën dhe dramën që shkakton raporti ynë ndaj së bukurës. Vlerësimi im për këtë çmim, as më pak, as më shumë, është një kënaqësi, si të gjitha kënaqësitë që na jepen pa interes. Forcon edhe më shumë besimin tim në shkrimin e poezisë, dhe më jep një kënaqësi të epërme për faktin se shkruaj në gjuhën shqipe. Të shkruash në gjuhën shqipe është vetë një akt sacral, mjaftueshëm i rëndësishëm, edhe nëse nuk të vë re kush. Një gjuhë që mbijetoi dhe një gjuhë që izolohet përditë e më shumë, aq sa sot krijimtaria letrare në këtë gjuhë për të huajt është njësoj si të shkruash në një gjuhë të vdekur, madje më keq se latinishtja. Ne jemi në kulmin e izolimit, në terrin e qorrsokakut. Gëzohem për gjithkënd nga shkrimtarët e poetët shqiptarë, që dalin në faqe botës. Kësisoj i bëjnë me dije botës se ka një gjuhë shqipe, në të cilën krijohen kudo vlera letrare të denja”, është shprehur poeti e romancieri, për gazetën MAPO. Tufa ka treguar se mori pjesë në këtë konkurrim me 20 poezi me përkthime të Ardian Marashait dhe Edmond Tupjes, që si duket kanë marrë vlerësime nga Akademia franceze, duke shkuar në nominim dhe bërë fitues për çmimin letrar për poezinë 2017, që jepet çdo vit. Aktualisht drejtues i Institutit të Studimit të Krimeve Komuniste, Tufa ka ndjekur studimet në Universitetin e Tiranës, më vonë vazhdoi studimet në Moskë, ku u diplomua në Filozofi Arti, e me pas përfundoi ciklin e tretë të studimeve në Teori Përkthimi, me përqendrim të veçantë në krijimtarinë e poetit Joseph Brodsky. Por janë dhe shumë autorë të tjerë rusë si Anna Akhmatova, Osip Mandelshtam, Boris Pasternak, Andrei Platonov, Mikhail Bulgakov, Vladimir Nabokov dhe Vladimir Sorokin etj. Ndërsa veprat më të njohura të Tufës janë romanet “Dueli” (Tiranë 2002), “Fabula Rasa” (Tiranë 2004), “Mërkuna e zezë”, “Tenxherja”, “Gurit të varrit ia rrëfej”, por njëkohësisht është vlerësuar edhe për poezinë e tij. Institucioni që e nderoi shkrimtarin shqiptar De  L’Academie e Europënne des Sciences, des Arts et lettres është një projekt ambicioz që pati idenë fillestare të themelimi, në vitin 1973, për të sjellë së bashku krijuesit më të shquar të Europës, studiues, por edhe shkrimtarë, artistë. Por themelimi i saj u vendos në vitin 1980, me seli në Paris, një institucion i pranuar dhe me mjaft influencë në UNESCO. V.M

 

 

Vlerësimet

2004- Çmim kombëtar “Pena e argjendtë” për romanin “Fabula rasa”

2004 – Çmimi Ndërkombëtar i poezisë “NOSIDE”, edicioni XX, Itali (3.12. 2004)

2005- Çmimi “Europa – atdheu ynë i përbashkët” – për romanin “Mërkuna e zezë”

2006 – Çmimi “Skënder Luarasi” për përkthimin e Josif Brodskijt

2009 – Çmimi i Madh Kombëtar i Letërsisë (i karrierës për gjithë veprën letrare)

2010 – Çmimi “Rexhai Surroi”, për romanin më të mirë të vitit në gjuhën shqipe, në Kosovë

2016 – Çmimi i Panairit Kombëtar të Librit “Autori më i mirë i vitit” me vëllimin “Kafsha apo fantazma”, Tiranë

2017 -Çmimi “Flaka e janarit” për poezinë më të mirë në Festivalin e Poezisë, në Gjilan, Kosovë



Pas