Çfarë i kërkohet Bashës, padrejtësisht

Alfred LelaNga Alfred Lela

Në shtypin e ditëve të fundit kanë ‘rrjedhur’ debatet e zhvilluara përgjatë takimit të përjavshëm të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Disidenca ndaj Bashës dhe lidershipit të tij është konturuar kryesisht nëpërmjet Eduard Selamit dhe Majlinda Bregut, ndërkohë që Astrit Patozi e ka mbajtur në terma makro argumentin.

Deputeti Selami, ish-Kryetar i Partisë Demokratike, e ka zhvilluar në terma të institucionales pakënaqësinë e vet duke i kërkuar shefit të partisë një përgjigje për mosmbledhjen e strukturave, përkatësisht të Këshillit Kombëtar. Me anashkalimin e strukturave, edhe në rastin e caktimit të kandidatit të Dibrës, Sherefedin Shehu, Selami ka shoqëruar edhe humbjet e PD nën Bashën.

Në Partinë Demokratike, të shumtë janë ata që ankohen për këtë mosbegenisje të Bashës, qoftë në nivel personal apo institucional. Selami ka kurorëzuar, me sa duket, ankimimet e të gjithëve, por me zemërim dhe haptaz. Nëse nuk mund ta qortosh kur i kërkon kryetarit të partisë respekt ndaj strukturave të njohura me statut, një pikëpyetje megjithatë shkon për qëndrimin e deputetit demokrat në lidhje me numrin dhe cilësinë e humbjeve. Basha ka humbur vetëm një palë zgjedhje: ato lokale të vitit 2015. Sfidat e ndërmjetme, ato të Korçës dhe të Dibrës, janë derivate. Kjo sa për sasinë.

Sa i takon cilësisë, apo vendosjes së humbjes/eve në një kontekst politik, duhet thënë se kryetari i ri i PD nuk del jashtë ‘rregullit’ të historisë së zgjedhjeve në Shqipëri. Palët kanë ndërruar vend çdo tetë vjet dhe, përjashto Nanon që ka qenë liberali i vetëm ndër kryetarët e partive në Shqipëri, të tjerët e kanë pritur me shpirt në dhëmbë përfundimin e ciklit tetë vjeçar të pushtetit të kundërshtarit. Pa e ravguar dorëheqjen apo pendimin. Sigurisht, në mes të durimit dhe pritjes kanë hyre si rrufe përbetimet për vjedhje të zgjedhura, hapje kutish, dhunë elektorale, mujshari politike, e të tjera. E gjitha për të mbushur hendekun kohor të ciklit tetë vjeçar.

Mbetet në të drejtën e disidentëve në Partinë Demokratike që një gjë të cilën nuk ia kanë kërkuar Berishës t’ia kërkojnë Bashës. T’i bëjnë presion; t’i shtojnë humbjet; t’i përmendin mosfrymëzimin; t’i kujtojnë bjerrjen e shpresës; ta tregojnë me gisht, e me radhë. Por, lumturinë e pushtetit në dy vjet është pak si shumë t’ia kërkojnë.

Gjithaq e palumtur është edhe deputetja Majlinda Bregu së cilës, ashtu si Bashës, i duhet pikasur një element, ai i ‘jetës qeveritare’ dhe jo asaj opozitare. Që të dy kanë mbërritur, të rinj e pa zoritje, në qilimat fluturues të pushtetit duke i njohur opozitarizmit vetëm atë majën e bukur të rrëmbushjes me frymëzim e shpresë, bash në mbyllje të atij ciklit tetëvjeçar të pushtetit të kundërshtarit, të përmendur në fillim të këtij shkrimi. Kështuqë, sjellja e znj. Bregu sikur vjen nga një planet tjetër stërmundimesh opozitare, ku z. Basha nuk rri me shpi, është së tepërmi e kërkuar si dallesë. Jo dallesat, por të përbashkëtat janë ato që si Basha, Bregu dhe Selami duhet të gjejnë. Kjo përbashkësi e bashkqëllimësi mund t’i çojë drejt pushtetit. I cili, kjo është një ‘shpresë’ tjetër që duhet t’i ngjallin publikut, nuk duhet të jetë qëllim në vetvete.

Astrit Patozi, i konsideruar ‘olldashist’ dhe kritik i Bashës, ka qenë më realisti ndër debatuesit. Ai e ka përmbledhur te fryma pafuqinë e opozitës për të triumfuar në Dibër. Ajo që Besnik Mustafaj e quajti ‘shpresë’ nuk rezultoi e tillë, ndërsa ajo që kërkon Patozi është një opozitë cilësore. Hapat e së cilës, duhet thënë, nuk duhet t’i tradhtojë padurimi. Sepse, ndër të tjera, ka padurim të ashpër në radhët e demokratëve para pafuqisë për të ardhur në pushtet TANI, dhe fuqisë që ndjell pushteti. Sidomos ata që e kanë pasur e njohin këtë rrënim, sa të ëmbël, aq dhe të hidhur.

Roger Scruton autori i Si të jesh i djathtë (përkthyer edhe në shqip), i pyetur se me çfarë strategjie mund të vijë e djathta në pushtet në Shqipëri, u përgjigj: me anë të kohës dhe duke e lënë të majtën të gabojë. Dhe, e majta gabon shumë. Një teoricien i së djathës si Scruton nuk sugjeron revolucionin. ‘Teoricienët’ lokalë mund ta ofrojnë gjithë ditën alternativën e  revolucionit, por nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë zhurmën e cila i duhet, i del dhe i tepron së majtës për të varur në portën e këtij tërbimi siglën ‘këta janë qeveria e vjetër’.

Te ndjesia e ‘qeverisë së vjetër’ do të varet dështimi i z. Basha dhe te asnjë disidencë e kujtdo qoftë në PD: znj. Bregu, z. Selami, z. Patozi. Dhe te cikli i ndërrimit të pushtetit. Jashtë këtyre dy kushtëzimeve mund të veprojë ndonjë mrekulli. Mrekullitë janë një gjë fort e rrallë në këtë vend.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Si zbatohet Traktati i Lisbonës për daljen e Britanisë nga BE

Si parashikohet të kryhet procesi i gjatë dhe i vështirë i daljes...
Read More