Ç’do të ndodhë me Roshin dhe dy deputetët e Vlorës

Elvis-RroshiProkuroria i ka ndarë barazim tri partitë e mëdha, kur publikoi dje tre emrat e parë që ju pezullohen mandatet për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Deputeti i LSI, Shkëlqim Selami, ai i PD, Dashamir Tahiri dhe kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Rroshi, janë një hap larg humbjes së mandatit

Nga Fejzi Braushi

“Rrjeta” e dekriminalizimit ka mundur të kapë tre “peshqit” e parë, nga një për secilën prej tre forcave të mëdha. Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shkëlqim Selami, ai i Partisë për Drejtësi Integrim (sot pjesë e Partisë Demokratike), Dashamir Tahiri dhe kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Rroshi, janë një hap larg humbjes së mandatit si të akuzuar për vepra penale dhe rrezikojnë deri edhe burgun për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve nëpërmjet dhënies së të dhënave të rreme në formularin e dekriminalizimit.

Prokuroria e Përgjithshme, pas kërkesës së ardhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka mbyllur dje procesin e verifikimit të hollësishëm për këta zyrtarë të lartë, duke i gjetur ata në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit dhe mbajtjen e mandatit si të zgjedhur të popullit, ndërsa ka “falur” të paktën përkohësisht kryebashkiakun Artur Bushi, i cili ishte dhe zyrtari i katërt për të cilin KQZ kishte kërkuar verifikim.

“Sektori i posaçëm i ‘Verifikimit të Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’ ka kryer verifikim të thelluar, në bazë të të cilit ka konkluduar se janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës, funksionarët: Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami, me funksion ‘Deputet’, si dhe Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë”, bëri të ditur dje Prokuroria e Përgjithshme nëpërmjet një deklarate për mediat.

Shkeljet

Sektori i “Dekriminalizimit” në Prokurori ka siguruar të dhënat, se deputeti Tahiri rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” se, në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave, në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena (për të vuajtur 9 muaj burgim) për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar dhe se gjatë kësaj kohe ai është kontrolluar disa herë nga policia.

Lidhur me këto konstatime prokuroria bën të ditur se vetë Tahiri ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të dënimit me burgim në Ravena dhe se lidhur me procedimin për “falsifikim parash”, ka deklaruar se bëhet fjalë për një episod në autostradë, kur ai është mashtruar nga një kamerier lokali, i cili i ka dhënë para false.

Sa i përket deputetit tjetër të Vlorës, Selamit, prokuroria u shpreh se rezulton që nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna për një masë sigurimi “arrest me burg”, nxjerrë ndaj tij nga ana e gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “Trafikim të qenieve njerëzore”.

Masa ndaj tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006 dhe në kuadër të kësaj mase, ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë, në vijim të hetimit.

Gjatë ditës deputeti Selami u pyet nga prokurorët për shkak se ai mohon të ketë patur probleme me drejtësinë.

“Në vitet 94, 95, 96, 97 veja dhjetë herë në muaj në Itali sepse bëja biznes. Të isha i dënuar dhe të veja në Itali, kjo është… Janë gjëra falso. Nuk do të merresha me politikë nëse do të kisha bërë një gjë të tillë”, deklaroi Selami për mediat.

Ndërkohë që kryebashkiaku i Kavajës rezulton se nuk ka deklaruar në formularin “Për Dekriminalizimin”, një dënim për veprën penale të “Përdhunimit” në grup, në vitin 1995 në Itali, nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër.

Sipas Prokurorisë në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil, dhe në 14 maj 1993, është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë.

Gjithashtu, në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme në Zvicër dhe ka kërkuar azil dhe në gusht të po atij viti është dëbuar sërish.

Madje prokuroria bën të ditur se ndaj Roshit në vitin 2015 DEA/US, ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash.

Procesi në vijim

Prokuroria ka dërguar rezultatet e verifikimit në KQZ, dhe tashmë ky i fundit duhet të marrë në shqyrtim konstatimet e bëra nga institucioni i akuzës.

Burime nga KQZ kanë bërë të ditur se pavarësisht konstatimeve që ka bërë Prokuroria, KQZ do të bëjë verifikimin nëse veprat të cilat kanë kryer këta funksionarë bëjnë pjesë në grupin e veprave ndaluese të ligjit të dekriminalizimit.

Sipas të njëjtave burime, KQZ nuk mund të marrë të mirëqenë përfundimet e nxjerra nga Prokuroria, por do kryejë edhe ajo verifikimet, që në këtë rast janë formale.

Më pas në rast se gjatë këtij verifikimit formal nuk do ketë ndonjë surprizë, administrata e KQZ-së duhet të përgatisë projektvendimin për shpalljen e ndërprerjes së mandatit të këtyre tre zyrtarëve.

Ligji i dekriminalizimit përcakton në mënyrë të qartë se KQZ menjëherë pas kësaj vendimmarrje njofton Kryetarin e Kuvendit, në rastin e pavlefshmërisë së mandatit të deputetit, dhe Kryeministrin, në rastin e kryetarit të bashkisë.

Por heqja e mandatit për këta zyrtarë mund të jetë më e pakta, pasi ata në bazë të përcaktimeve që bën ligji i dekriminalizimit dhe për të cilat ata kanë rënë dakord kur kanë plotësuar formularin e deklarimit, ata rrezikojnë të dënohen sërish, kësaj here për veprën penale të “Falsifikimit të formularëve”, e parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, sipas të cilit ata rrezikojnë të dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë deri në një milion lekë.

Por duket se ky proces sapo ka nisur pasi organi i akuzës krahas verifikimit të kërkesave të ardhura nga KQZ ka nisur edhe vet disa hetime kryesisht.

Këtë e bëri të ditur dje vet prokuroria në deklaratën e saj, ku theksoi se po vijon procedura e verifikimit në kuadër të ligjit “Për dekriminalizimin” edhe për një numër të konsiderueshëm zyrtarësh.

Një pjesë e konsiderueshme zyrtarësh, deputetë dhe kryetar bashkie deklaruan vet në formularë se ishin ndaluar apo ishin dënuar për një sërë veprash.

Mes tyre mund të përmendim edhe Mhill Fufin, Arben Ristanin, Alban Zeneli, Tom Doshi apo edhe kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj, ai i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, Artur Bardhi i Laçit, si dhe Xhelal Mziu i Kamzës.

LSI: Para ligjit, të gjithë të barabartë

E vetmja që ka reaguar ndaj konstatimeve të Prokurorisë ishte LSI, e cila nëpërmjet kryetarit të saj të grupit parlamentar, Petrit Vasili pohoi se mbështet plotësisht zbatimin e dekriminalizimit, duke theksuar se para ligjit janë të gjithë të barabartë.

“Mbështetje të plotë zbatimit të dekriminalizimit, përpara ligjit të gjithë të barabartë. Dekriminalizimi, standard i panegociueshëm për LSI, pasi jep garanci për Reformën në Drejtësi. Dekriminalizimi, premisa bazë për zgjedhje të lira e të ndershme”, -tha Vasili.

Pak ditë më parë PD do të akuzonte pikërisht deputetin e LSI-së Shkëlqim Selami se ka qenë dënuar për trafik qeniesh njerëzore në Itali. Tashmë pritet edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili duhet të jetë bërë pishman që disa muaj më parë nuk e firmosi dorëheqjen e Elvis Roshit.

Procedura deri në heqjen e mandatit

  1. Organi përgjegjës, pasi merr rezultatet nga Prokurori i Përgjithshëm, shqyrton nëse janë evidentuar nga procesi i verifikimit të dhëna që përfshihen brenda sferës së ndalimeve, të parashikuara nga neni 2, i ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
  1. Nëse ekzistojnë të dhëna që përfshihen brenda sferës së ndalimeve, të parashikuara nga neni 2, i ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, organi përgjegjës verifikon nëse ato përfshihen brenda periudhës së ndalimit, të përcaktuar në nenin 4 të ligjit nr. 138/2015.
  1. Nëse të dhënat përfshihen brenda periudhës së ndalimit, organi përgjegjës, brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, zbaton masat për pengimin e zgjedhjes ose emërimit apo largimit nga funksioni publik të personit, sipas rregullave të përcaktuara në nenet 10, 13 dhe 14, të ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.
Shkruar Nga
More from revista mapo

Takimi pa media, Blushi: Partia shpallet në nëntor, ja organizimi

Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi kanë zhvilluar dje në Muzeun Kombëtar një...
Read More