Botimi i UET-Press/ Kush e porositi vrasjen e Esat Pashës dhe dëshmia e Avni Rustemit

Nga Ilir Ikonomi

Pjesë nga libri “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta dhe pushteti”

Në polici, Avni Rustemi u mor në pyetje nga komisari Eugène Jublin, të cilit i shpjegoi me një frëngjishte të rrjedhshme se po rrinte në hyrje të hotelit duke pritur Gjergj Gogën për t’i kërkuar një informacion, por papritur kishte parë Esatin të dilte dhe në kokë i kishte hipur gjaku. “Pashë se si ecte i kapardisur dhe në mendje m’u shfaqën të gjitha krimet që kishte bërë ky diktator kundër bashkatdhetarëve të mi. Në kokë m’u shfaq si në një pasqyrë e tërë e keqja që i kishte bërë atdheut tim…Eca drejt Esat Pashës, nxora revolverin dhe e qëllova dy herë”, -tha Avniu. “Nuk më vjen keq për aktin tim. E quaj një shërbim ndaj çështjes shqiptare dhe ndaj gjithë patriotëve të vendit tim që e hoqa qafe gjeneralin”, -tha ai, duke u kujdesur të shtonte se vrasjen nuk e kishte bërë me paramendim. Kur Jublin i tha se nuk ishte e nevojshme të kishte me vete armë zjarri për të kërkuar një informacion, Avniu iu përgjigj: “Te ne, njerëzit dalin gjithnjë të armatosur”. Shtypi i Parisit i kushtoi vrasjes shkrime në faqet e para. Kryesisht, Esatit i thureshin elozhe si mik i Francës dhe i Serbisë. Le Temps botonte tekstin e plotë të promemories së Esatit, që gazetës i kishte arritur vetëm pak minuta para ngjarjes. Le Monde Illustré shkruante se bashkë me Esatin “u shua një personazh i një epoke tjetër, u zhduk ai pak romantizëm që kishte mbetur. Me të u zhduk klefti dhe Orienti, të cilëve iu kënduan me aq zjarr Hygoi dhe Bajroni.”

Auguste Gauvain, i cili e kishte njohur Esatin qysh në Luftën e parë Ballkanike, aludonte në Journal des Debats se vrasja duhet të ishte nxitur nga qeveria italiane, meqenëse atentatori kishte ardhur nga Roma dhe thoshte se e kishte blerë armën në Itali. Ai shkruante se hetuesit duhet të përcaktonin se nga erdhën mijëra frangat që Avniu kishte në xhep. “Janë shumë për një shqiptar… në një kohë kur francezët nuk gjejnë dot shtëpi ku të fusin kokën në qytetin e tyre”, shkruante Gauvain. Le Temps nuk ishte e vetmja që bënte aluzion për Italinë si porositëse e vrasjes. Ambasadori italian në Paris, Bonin Longare, i kërkoi Ministrisë së Jashtme franceze që t’i jepej fund kësaj “gjuhe skandaloze”. Për t’i përgënjeshtruar zërat, ambasadorit iu desh të flasë vetë me gazetarët, të cilëve u tha se në fakt, marrëdhëniet e Italisë me Esatin po shkonin drejt përmirësimit kohët e fundit.

Edhe në shtypin e Beogradit pati shumë elozhe për Esatin dhe aludohej se dora e vrasësit ishte e armatosur nga Italia. Miku i Esatit, Kryeministri Vesniç, mbajti një fjalim të gjatë në parlament, ku e quajti pashain “martirin e parë të idesë kombëtare shqiptare”. Duke iu referuar tërthorazi Italisë, ai tha se shpëtimi i popullit shqiptar nuk mund të kërkohej jashtë një marrëveshjeje me fqinjët, sidomos me Serbinë. Në Paris, Pashiçi i tha agjencisë së lajmeve Radio se vrasja e Esatit ishte për të ardhur keq. “Së pari, – tha ai, – sepse pashai ishte mik i serbëve dhe i francezëve; së dyti sepse ky shef i fuqishëm i klaneve veriore, i vrarë nga një shqiptar i jugut, mund t’i ngrejë klanet njërin kundër tjetrit”. “Ne serbët, – tha Pashiçi, – mendojmë se Shqipërisë i duhet dhënë pavarësia, sepse kështu ajo do të qetësohet përgjithnjë. Esati e ndoqi këtë qëllim me të gjitha forcat.

Që kjo të arrihet tani, më duket shumë e pamundur…”. Serbët kishin edhe një merak, siç del nga një telegram që zyrtari i tyre i lartë, Momçillo Ninçiç, i dërgonte Pashiçit nga Beogradi: “Esat Pasha, – shkruante ai, – mes sendeve të tjera ka patur edhe një sënduk metalik, ku ruante arkivën sekrete dhe aty mbante marrëveshjen që ne kishim me të. Në rast se ai nuk ia ka dhënë sëndukun për ruajtje përfaqësisë sonë në Paris, atëherë duhet ta shtiem në dorë përmes ndonjërit prej njerëzve të pashait sa nuk është vonë. Gjithsesi, sënduku nuk duhet të bjerë në dorë të ministrit të Jashtëm shqiptar, sepse është njeri i pandershëm”. Ninçiç siç duket e kishte fjalën për Pavli Terkën, që ai mendonte se mund t’ia dorëzonte arkivën italianëve.

Në të vërtetë, të gjitha sendet e Esatit ishin dyllosur dhe bllokuar nga qeveria franceze menjëherë pas vdekjes. Autoritetet franceze kontrolluan në të gjitha bankat kryesore dhe rezultoi se Esati kishte llogari rrjedhëse në Bankën Franceze të Tregtisë dhe Industrisë në shumën 266,017 franga, ose 225,600 dollarë me vlerën e sotme. Një ditë para se të vritej, ai kishte tërhequr nga kjo llogari 20 mijë franga, që iu gjetën në xhepin e pantallonave. Sipas dëshmive të Elizës, Esati kishte edhe një kasafortë në Crédit Lyonnais, ku, përpara syve të saj, kishte depozituar “sasi shumë të rëndësishme parash”. Për kasafortën dëshmon edhe shërbëtori i pashait,

Anton Papadhopullos. Më 15 qershor, Pashiçi i raportoi Beogradit se njerëzit e pashait në Paris kishin mbetur pa asnjë mbështetje materiale. “Esat Pasha nuk e ka marrë ndihmën tonë prej disa muajsh. Është e domosdoshme që nëpunësit dhe njerëzit e tij të shërbimit të paguhen, të paktën me një shumë prej 100 mijë frangash (rreth 85 mijë dollarë sot)”, shkruante Pashiçi. “Ata e dinë se ne nuk e kemi shlyer atë që i detyrohemi Esat Pashës dhe nuk kanë se kujt tjetër t’i drejtohen për ndihmë. Mendoj se ky është borxhi ynë moral dhe interesi ynë politik”. Nga Durrësi, Castoldi i raportonte Romës se kishte zbuluar disa të dhëna që kishin lidhje me vrasjen e Esatit. “Më rezulton, – shkruante ai, – se kur vrasësi kishte qenë në Tiranë kohët e fundit, kishte siguruar 8 mijë lira nga arka qeveritare. Pas kësaj i ishin paguar edhe shuma të tjera”.

“Duhet besuar, – shtonte Castoldi, – se për eliminimin e Esatit, vrasësi ka marrë porosi nga grupet kundërshtare të pashait, sidomos nga Ahmet bej Zogolli, armik i tij personal”.

Castoldi nuk thotë se nga e ka marrë këtë informacion, por gjetjet e tij përputhen me disa dëshmi të mëvonshme.

Sipas Mustafa Krujës, ka qenë Ahmet Zogolli që ka premtuar para për Avniun. Në librin “Plumba politikës”, autori Kastriot Dervishi shkruan se Avni Rustemin e gjeti mësuesi Sali Çeka, që vepronte në zonën e Elbasanit. Çeka ia përcolli Avniun Aqif pashë Elbasanit, që ishte anëtar i Këshillit të Naltë dhe armik i betuar i Esatit. Ali Asllani, funksionar i lartë i administratës, plotësoi çekun me para nga arka e Këshillit të Naltë. Castoldi raportonte se “qeveria shqiptare kishte filluar përpjekjet për shpëtimin e vrasësit” dhe se ajo do të dërgonte në Paris njeriun e duhur, që do të ndërhynte pranë shtypit dhe qeverisë franceze. Ky njeri, sipas tij, do të shpjegonte aktin politik të Avniut dhe do të përpiqej të ndikonte mbi procesin gjyqësor. Do të ishte në interesin tonë, – shkruante Castoldi, – që edhe shtypi italian të ndiqte një kriter të tillë. Me vrasjen e pashait, esatizmi duhet quajtur një kapitull i mbyllur”. Dy muaj pas vrasjes, Ministria e Jashtme franceze ngarkoi përfaqësuesin e saj për të hapur në praninë e familjes dhe të noterëve kasafortën e dyllosur të Esatit në Crédit Lyonnais, ku ai mbante para dhe dokumente. Fatkeqësisht, përmbajtja e kasafortës nuk rezulton në dokumentet e arkivit francez. Kur u hoqën vulat e dyllit në baulet dhe në kasafortën metalike në Villa Said, letrat ishin në rrëmujë të plotë. Dokumentet, që kishin të bënin me subjekte fare të ndryshme, si qeveria e përkohshme në Durrës, administrimi i pronave të Esatit, apo komanda e Taborrit në Selanik, ishin vendosur pranë e pranë në të njëjtat zarfe. Në grumbullin e dokumenteve, mes të cilave një pjesë ishte në turqisht, ndodhej propozimi i Komitetit Mysliman të Tiranës në vitin 1915 që Esati të arrestonte Krajewskin bashkë me të dërguarin serb në Durrës dhe të shpallte luftën e shenjtë. Ishin gjithashtu letrat që ai i kishte dërguar në korrik dhe gusht 1918 ambasadorit amerikan në Paris, William Sharp, të cilit i shpjegonte gjendjen në Shqipëri dhe shërbimet e saj për Antantën. Në një dokument tjetër ishin shënimet e tij për takimin me Presidentin Wilson në prill 1919. Në një grup të veçantë ndodheshin dokumentet personale të Castoldi për Ministrinë e Jashtme, Durrës, Princeshës Sofi, të kapura nga shqiptarët kur kishin marrë Konakun pas ikjes së Vidit. Disa dokumente personale të Esatit, që zyrtari i ministrisë franceze i shqyrtoi me vëmendje, ishin korrespondencë me përfaqësuesit e Italisë dhe Serbisë në Durrës. Zyrtari raportoi se në asnjërën prej letrave nuk gjeti diçka të padëgjuar, apo që të vinte në dyshim besnikërinë e Esatit ndaj Francës. Në raport nuk përmendej gjetja e ndonjë marrëveshjeje të pashait me Serbinë, ose me Greqinë. Familja e Esatit nuk e kundërshtoi hapjen e dokumenteve nga francezët, madje tha se do të ishte më mirë që ato të depozitoheshin në Ministrinë e Jashtme të Francës sesa në ndonjë vend tjetër.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Romeo Çollaku: Veprat me vlerë po vijnë nga letërsitë “periferike”

Pjesën më të madhe të rafteve në bibliotekën e tij e zë...
Read More