Botim i UET-Press/ Berluskoni: I dhashë trëndafil të kuq, ajo qau, unë qava….

Nga Bruno Vespa

Marrë nga libri “Dashuri dhe pushtet. Nga Rakela te Veronika, një shekull histori italiane”

“Dashuria ime e parë? Kështjella e Baradelos në Komo. Isha në klasë të tretë fillore. Kishte kaçurrela të zeza. Nuk e kam harruar asnjëherë”. Kur biseda me Silvio Berluskonin shket nga politika drejt ndjenjave, ai përpiqet të tërhiqet. Xhani Leta thotë se sipërmarrja është e pamundur (“Do të duhej një libër vetëm për të…”) por mandej, dimensioni ‘historik’ i rrëfimit e bind Kavalierin të çlirohet nga kujtimet, të cilat bëhen të papërmbajtshme. “Në 1955-ën, duke ndjekur një kurs të frëngjishtes në Sorbonë, njoha vajzën e një korrespondenti britanik të luftës që banonte në Paris.

Lindi një simpati e ngrohtë, por befas ajo më lajmëroi se të nesërmen duhej të largohej me të atin nga Parisi. Shkuam së bashku në Bois de Boulogne. Duke lodruar mes pyjeve, dhe jo vetëm, ajo nxori kaviljen. E mora në krahë dhe u drejtova për nga shtëpia e saj: metrotë ishin në grevë kështu që munda të ndaloj një taksi vetëm kur kishim arritur tek Etoile. Arritëm përballë derës dhe aty kuptova se nuk i kisha bërë asnjëherë ndonjë dhuratë.

E ula mbi një stol dhe i thashë se do të kthehesha rrëmbimthi. Pak më parë, kisha vënë re një tufë trëndafilash të kuq, të ekspozuar në vitrinën e një dyqani lulesh, por paratë nuk më dilnin. Luleshitësja u mallëngjye. ‘Je italian, apo jo?’, -më tha. ‘Merri të gjithë trëndafilat. Pjesën tjetër të parave ma sill kur të kesh mundësi’. U ktheva te vajza me këtë tufë të stërmadhe trëndafilash. Ajo ia plasi të qarit. Ia vura në krahë dhe e shpura drejt derës.

Pastaj zbrita poshtë, në rrugën përgjatë brigjeve të Senës duke rendur për dy orë pa i ndalur dot lotët”.

Historia nuk përfundon këtu. “Në 1994-ën u bëra Kryeministër dhe mora një letër: ‘Më mban mend, apo jo? Do të vij në Romë, mund të kaloj për të të përshëndetur në Downing Street-in tënd?’ Erdhi me të shoqin dhe me dy fëmijët. E pranoj se më la një farë mbrese….” Mes moshës 16 dhe18 vjeç Berluskoni i kaloi pushimet verore në Rivierën e Adriatikut.

“Bëja shumë sport: boks, kanotazh dhe kisha rezultate të shkëlqyera në njëqindmetërsh. Fotot e atyre viteve janë ende krenaria e sime mëje. ‘Silvio është më i bukuri i plazhit’, thoshte pareshtur ajo. Në mbrëmje argëtoja publikun dhe këndoja në kafenetë verore në Miramare, Rimini dhe Katolika. Ishin shumë në modë suedezet….”. Pastaj erdhi periudha e kroçerave. “Kisha vënë bast me babanë tim se do t’ia dilja mbanë financiarisht me forcat e mia.

Në verë, gjatë pushimeve të provimeve, merrja pjesë në kroçierat e anijeve Kosta në Mesdhe me Original Lambo Jazz Band e cila gjatë dimrit luante në Santa Tekla të Milanos. Merrja ‘tri rroga’, si këngëtar në mbrëmje, zbavitës për lojërat mbi urë gjatë ditës dhe si guidë turistike në qytetet e ndryshme ku mbërrinim. Ishte zbavitëse, por sigurisht që nuk bëhej fjalë për pushime!”. Mandej erdhi bashkëpunimi muzikor me Fede Konfalonierin, që në Milano ishte drejtuesi i orkestrës në të cilën Silvio i binte basit dhe këndonte. “Isha edhe përgjegjës për marrëdhëniet publike. Veçanërisht me vajzat e bukura”, më rrëfen kryetari i Forza Italia, “sepse ishin ato që vendosnin ku do t’i çonin për të vallëzuar shoqëruesit e tyre.

Për t’i bindur akoma më mirë, vallëzoja edhe unë. Kur kthehesha për të kënduar, u kushtoja një këngë ‘për një zonjushe të sjellshme në sallë….’ Ua bëja qefin katër apo pesë vajzave njëherësh sepse të gjitha mendonin se kënga ishte për to. Dhe fundja, kishin të drejtë. Fedele tërbohej, sepse, thoshte ai, pa basin mungonte baza harmonike dhe ritmike dhe pas një debati më të ndezur sesa zakonisht, më pushoi nga puna. Brenda pesëmbëdhjetë ditëve lokali u detyrua të mbyllet, sepse i gjithë publiku femëror, me varganin e të përvëluarve, më kishte ndjekur pas në një lokal tjetër. Dhe Fedeles iu desh që bashkë me orkestrën të transferohej në Liban, pikërisht në vitet që atje ia kishte mbathur Feliçino Riva….”.

Takimi me Karlën: Vuajmë vetminë…

“Gjithmonë mes tridhjetë dhe tridhjetë e një pikë, – vazhdon Berluskoni, – arrita të bëhem ekspert në kornizat e artit dhe të ngrija një aktivitet të vogël tregtar që vizitonte CRAL-in e kompanive të mëdha për të shitur, me kushte të volitshme, elektroshtëpiake të firmave Ignis, Chiminello dhe Lincoln. I ati i Fede Konfalonierit ishte përgjegjës i filialit të Milanos për Ignis-in, pronar i së cilës ishte kavalier Xhovani Borgi, xhaxhai i tij. Një zonjë kishte blerë një frigorifer dhe ne e kishin siguruar se do t’ia dorëzonim ditën e ditëlindjes së saj, që i binte e shtunë. Për fat të keq frigoriferi mbërriti në fabrikën e Komerios vetëm të premten në mbrëmje vonë, kur në filial nuk kishte asnjeri për t’ia dorëzuar.

Por unë, që atëherë, mbajtjen e premtimeve e kisha çështje të pashmangshme nderi. Atëherë, e binda babanë e Fedeles që ta hapte personalisht magazinën të shtunën në mëngjes, mora me qira një kamion të vogël, e ngarkova frigoriferin dhe e transportova deri tek adresa e klientes. Ç’surprizë e pakëndshme! Banonte në katin e pestë dhe nuk kishte ashensor. Me ndihmën e portierit e ngarkova frigoriferin mbi shpatulla, ngjita të gjithë katet një nga një, me një stërmundim çnjerëzor, dhe e lumturova klienten tonë që ishte e sjellshme dhe e hijshme. … [Më duket se kuptova se zonja e kompensoi me kënaqësi sakrificën e të riut Berluskoni]. Që prej asaj dite konsiderata dhe respekti im për atë që ngarkon mbi kurriz ngarkesa të tilla është absolute.

Kompania e vogël nisi të shesë edhe produkte të Siemensit. “Kontribuova për hedhjen në treg të një tharëseje flokësh të lehtë, shumë të përparuar për atë kohë. Kur pas disa dekadash në pallatin Kixhi erdhi të më takojë presidenti i Siemensit, i tregova episodin dhe ai u zotua të më gjente një prej atyre tharëseve për të ma dhuruar”. (Ishte pikërisht ky momenti kur Xhani Letës, i cili ishte i pranishëm gjatë bisedës, i erdhi ndër mend se shefi i filialit italian të Siemensit, Luixhi de Vekis, i kishte telefonuar për t’i thënë se e kishte gjetur një nga ato tharëset e flokëve në muzeun e kompanisë.

Leta e telefonoi përsëri dhe dorëzimi i porosisë u bë të pasnesërmen: pajisja e zezë dhe me përmasa të vogla, ishte në formë konike të papërkulshme dhe pa krah, shumë e ngjashme me dorezat e vjetra të telefonave prej bakeliti. Në fakt, ishte një telefon tejet i përparuar për mesin e viteve pesëdhjetë, meqenëse mund të përdoret edhe sot nga ata që udhëtojnë. Berluskoni i premtoi De Vekisit se do ta vendoste në një nga dhomat ku ruante objektet e tij më të dashura). Në 1959-ën Berluskoni njohu gruan e tij të parë, Karla Elvira dal’Olion.

“Kisha shoqëruar një shoqen time në stacionin qendror të Milanos dhe, teksa e përshëndesja me dorë, pashë një dorë tjetër që tundej para meje për të përshëndetur një djalë që kishte hipur në të njëjtin tren. E zonja e dorës ishte shumë e bukur. Dola nga stacioni dhe m’u shfaq e përqendruar duke ngulitur një vitrinë. Mora makinën te parkimi dhe u nisa për në shtëpi. Por, në ndalesën e autobusit të unazës ja ku më doli sërish para syve vajza e bukur tek ngjitej në autobus. ‘Po shkon në drejtimin tim’ mendova.

‘Nëse zbret më parë….’ Morali: nga stacioni në stacion arrita deri te sheshi Etiopia, në anën tjetër të Milanos. Ajo zbriti, mori drejt qendrës së sheshit, ndërsa unë i parapriva, parkova dhe i dola përballë duke ardhur nga drejtimi i kundërt. ‘Është e pabesueshme’, – i thashë, – po ju gjysmë ore më parë a nuk ishit në stacionin qendror?

Ju pashë dhe ju admirova teksa përshëndesnit dikë… Ajo u skuq: ‘Po përshëndesja të dashurin tim….’. ‘Edhe unë të dashurën time. Por tani ama jemi vetëm. Vuajmë nga vetmia….’ ‘Kaq shpejt?’ Qe tamam ai moment kur duke huazuar një batutë të Alberto Sordit, i thashë: ‘Pikërisht në çastet e para vuhet më shumë….’. Ia rrëmbeva numrin e telefonit, nisa t’i shkoj pas siç i kishte hije dhe Karla u bë…. gruaja ime”. U martuan pesë vjet më pas, në 1965-ën. Karla ishte 25 vjeç, Silvio 29. Në 1966-ën lindi Marina, në 1969-ën Piersilvio.

Ndërkaq suksesi i Berluskonit si sipërmarrës ishte në rritje dhe në 1977-ën, në moshën 44-vjeçare, merr titullin Kavalier i punës, më i riu në tërë Italinë. Nga Karla u nda në 1985-ën, kur – siç do ta shohim – kishte njohur Veronikën. “Me Karlën, edhe pas ndarjes, vazhdimisht kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyer. Ka qenë një nënë e përsosur, ka rritur më së miri dy fëmijët tanë. Mes nesh nuk ka munguar kurrë dashuria dhe respekti, por Karla e kishte kuptuar se qe martuar me një burrë ndryshe nga ai që e konsideronte si bashkëshortin ideal. Cili ishte ideali? Dikush që kthehej në pesë në shtëpi, vishte pantoflat dhe i kushtonte asaj dhe fëmijëve tërë vëmendjen e tij.

E shprehte hapur. Ndërsa unë, kthehesha në mesnatë, punoja edhe të shtunën pasdite edhe të dielën, sepse ato vite ishin vendimtare për afirmimin tim si sipërmarrës dhe nuk i kisha ende 56 mijë bashkëpunëtorët që do të kisha më pas. Gjithsesi, me Karlan, jemi takuar edhe pas martesës me Veronikën. Me Karlan kam kaluar disa herë pushimet në Bermuda, bashkë me Marinën, Piersilvion, Fedelen dhe Xhanin”.

Përgatiti: Gëzim Cako

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Largohen Lu dhe Vlahutin, a do të kemi më shumë sovranitet?

Nga Ervis Iljazaj Kanë përfunduar misionin e tyre diplomatik në Shqipëri, Ambasadorja...
Read More