Bojkoti bllokon Reformën në Drejtësi: Ja çfarë parashikon ligji

Bojkoti që opozita i ka bërë parlamentit ka bërë të mundur ngrirjen e institucioneve që do të bëjnë vettingun. Ligji i njeh opozitës një rol të pazëvendësueshëm. Mungon mekanizmi zhbllokues. Xhafaj: Qëllimi i protestës, bllokimi i reformës.

Nga Fejzi Braushi

Protesta pa afat e opozitës në sheshin përballë kryeministrisë ka futur në ngërç Reformën në Drejtësi dhe në mënyrë të veçantë procesin e vettingut.

Ndërsa ngritja e institucioneve që do të bëjnë procesin e vettingun ka hyrë në fazën finale, atë të votimit të kandidatëve që kanë plotësuar kriteret formale për të qenë pjesë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Pavarur të Apelimit dhe komisionerë publik, largimi i opozitës nga Kuvendi e ka bërë këtë gjë të pamundur.

Kjo pasi ligji “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” i ka dhënë opozitës një rol të barabartë me mazhorancën dhe të pazëvendësueshëm në përzgjedhje dhe votimin e 27 anëtarëve dhe zëvendësuesve në KPK, KPA dhe komisionerët.

Mazhoranca pavarësisht kujdesit gjatë miratimit të këtij ligji ka lënë procesin e zgjedhjes së institucioneve të vettingut pa një shtegdalje në rast se opozita nuk do të bëhej pjesë e procedurës parlamentare të përzgjedhjes dhe votimit të kandidatëve, ashtu sikurse po ndodh dhe tani.

Rama

Ashtu si edhe dy ditë më parë gjatë komunikimit të përjavshëm për mediat, edhe dje kryeministri Edi Rama e ka lidhur protestën e opozitës dhe bojkotin parlamentar pikërisht me Reformën në Drejtësi.

Siç u raportua dje në media Rama ka deklaruar gjatë kësaj mbledhjeje se qëllimi i protestës është bllokimi i reformës.

“Nëse opozita bojkoton Parlamentin dhe bllokon Vettingun, atëherë del qartë se qëllimi i protestës është frika e opozitës nga Vettingu. Nga pikëpamja politike kjo është një dhuratë për ne. Nga pikëpamja e interesit të vendit, kjo është një goditje e rëndë që synon të shpëtojë prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar nga Vettingu”, mësohet të jetë shprehur Rama para deputetëve.

Ish-kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, duke folur dje në emisionin “Top Story” pranoi se ky proces nuk mund të ecë përpara nëse nuk është opozita e pranishme.

Sipas tij marrëveshja e arritur në korrikun e shkuar mes të dyja palëve dhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve e ka lidhur procesin e ngritjes së institucioneve të vettingut me praninë e mazhorancës dhe opozitës.

“Marrëveshja e 21 Korrikut e bën të domosdoshme praninë dhe rolin e opozitës në ngritjen e komisioneve të vettingut. Pikërisht më duket si diçka e kalkuluar, që tashmë kur ky proces është në fazën e votimit, opozita largohet nga Kuvendi duke ditur këtë rol që ka në këtë proces”, -tha Xhafaj.

Ai shtoi se kjo protestë e shoqëruar me bojkotin e parlamentit është në vazhdën e një sërë veprimesh të mëparshme të opozitës dhe aktorëve të tjerë jo vetëm politikë, për të bllokuar dhe për të zvarritur në pamundësi Reformën në Drejtësi.

Ligji

Por në fakt çfarë parashikon procedura ligjore e sanksionuar në ligjin “Për rivlerësimin e ndërmjetëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve” lidhur me procesin e vettingut?

Tashmë që Avokati i Popullit ka hartuar dhe shpallur listën me 29 kandidatë që plotësojnë kriteret formale ligjore dhe listën tjetër me kandidatët që nuk plotësojnë kriteret formale ligjore, një komision i përbërë nga të paktën tre përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit do të vlerësojë kandidatët.

Jo më vonë se 14 ditë nga paraqitja e dy listave nga Avokati i Popullit, ky komision, bazuar në vlerësimet e arsyetuara, lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve, i dërgon rekomandimet Avokatit të Popullit, i cili ia përcjell ato Kuvendit. Por ligji edhe në këtë pjesë lë vend për interpretim nëse ONM do të vlerësojë të gjithë kandidatët apo vetëm ata që kanë plotësuar kriteret formale.

Një burim nga Kuvendi ka konfirmuar se ONM ka për detyrim të vlerësojë vetëm ata kandidatë që plotësojnë kriteret formale, ndërkohë që juristë të tjerë të kontaktuar nga MAPO e kanë patur të paqartë rolin dhe të drejtën e ONM-së në këtë rast.

Por gjithsesi ONM mund të hartojë një listë të sajën me kandidatët që rekomandohen për t’u votuar dhe ata që nuk rekomandohen.

Kuvendi, brenda 3 ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale, dhe listës së rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, miraton krijimin dhe përbërjen e një komisioni ad hoc me gjashtë anëtarë, të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare.

Pra, pikërisht në këtë moment hyn në lojë roli që duhet të luajnë palët politike, mazhorancë dhe opozitë. Kryetari i Kuvendit, brenda ditës së dorëzimit të listave njofton datën dhe orën e mbledhjes së seancës plenare për krijimin dhe përbërjen e komisionit ad hoc të verifikimit të kandidatëve.

Në këtë njoftim, Kryetari i Kuvendit iu kërkon grupeve parlamentare të shumicës dhe pakicës parlamentare që të dërgojnë deri ditën e nesërme të njoftimit propozimet e tyre për përbërjen e këtij komisioni ad hoc.

Ndaj që në këtë moment mungesa e opozitës bën të detyrueshme stopimin e procesit, kjo edhe për vetë faktin se ndryshe nga momenti i votimit në parlament të emrave, ligjvënësi nuk ka parashikuar një mekanizëm zhbllokues që mund të shpëtonte procesin nga lojërat politike.

Gjithashtu, në këtë fazë të parë të përzgjedhjes së kandidatëve në Kuvend, roli i opozitës është sërish i domosdoshëm, pasi ky komision ad hoc duhet të përgatisë listën finale.

Por jo vetëm kaq, ligji parashikon në vijim edhe ngritjen e dy komisioneve të tjera ad hoc, të cilat kërkojnë po ashtu në mënyrë të domosdoshme dhe të pazëvendësueshme opozitën.

Neni 9 i ligjit në fjalë parashikon që brenda 10 ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale, dhe listës së rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, miraton krijimin dhe përbërjen e dy komisioneve ad hoc të përzgjedhjes.

Komisioni i parë përbëhet nga 12 anëtarë, gjashtë të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe gjashtë nga grupet parlamentare të pakicës dhe një komision të dytë me 6 anëtarë, tre të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe tre nga grupet parlamentare të pakicës.

Sërish, ashtu si edhe në fazën e parë, kryetari i Kuvendit, brenda 3 ditëve nga dita e dorëzimit të listave, njofton datën dhe orën e mbledhjes së seancës plenare për krijimin dhe përbërjen e dy komisioneve ad hoc të përzgjedhjes së kandidatëve.

Në këtë njoftim, Kryetari i Kuvendit iu kërkon grupeve parlamentare të shumicës dhe pakicës parlamentare që të dërgojnë, brenda dy ditëve nga data e njoftimit, propozimet e tyre për përbërjen e të dyja komisioneve ad hoc të përzgjedhjes.

Brenda 30 ditëve nga konstituimi i tij, komisioni ad hoc i përzgjedhjes, zhvillon procedurën për votimin e kandidatëve. Pra, edhe në këtë fazë të dytë, ligji e lidh gjithë procesin me praninë e domosdoshme të opozitës.

Ndaj në kushtet kur opozita ka vendosur të mos jetë më pjesë e jetës parlamentare paralizohet edhe ky proces.

Në këto kushte kur opozita nuk ka vendosur afat për protestën dhe për rrjedhojë edhe rikthimin në parlament, Reforma në Drejtësi mund të konsiderohet e bllokuar për një kohë të pacaktuar, duke bërë që të gjitha afatet ligjore të mos respektohen, çka me shumë gjasa mund të çojë moszbatimin e reformës të paktën deri pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Nard Ndoka: Propozimi i PDK kundër plakjes së Shqipërisë

Kreu i demokristianëve shprehet se në qoftë se Evropa po kalon një...
Read More