Blushi, opozitari që po godet dhe goditet majtas e djathtas

Roli i kryetarit të Partisë Libra në kaosin e krijuar politik dhe përballja e ashpër me kryeministrin Edi Rama. Çfarë e bashkon dhe e ndan me opozitën dhe personazhi që nuk shihet me sy të mirë nga asnjëra palë.

Nga Sebi Alla

Gjashtë muaj më parë, me stërmundim mbushi sallën e shfaqjeve në Akademinë e Arteve për të prezantuar krijesën e tij, Partinë Libra. Mblodhi rreth vetës disa të ikur e të zhgënjyer nga Partia Socialiste, por edhe kjo ishte pak për Ben Blushin për t’u bërë faktor. Shumë e mendonin një të humbur të sigurt, ende pa nisur loja, por gjashtë muaj më pas, Blushi është kthyer një problem për grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe aq më shumë për kreun e qeverisë Edi Rama. Pa e kuptuar, edhe PD po cedon para tij, pasi po ia vetofron rolin e opozitarit “institucional”. Tre mënyra kishte për kryeministrin apo personalitete të PS-së për të neutralizuar zërin e të ikurit Blushi. Injorimi qe një prej tyre, duke shpërfillur çdo fjalë të artikuluar nga ai, sado djegëse e të vërteta të ishin dhe tjetra, për t’i vënë përballë gratë politikane të së majtës, veçanërisht ministre, që ta kompleksonin, ose ta nxirrnin keq para opinionit: “Ja edhe ky që nuk ka etikë e merret me gratë”. Forma e tretë, më pak e “kushtueshme”, por shumë volitëse e PS-së, lidhet me artikulimin e shpeshtë se Blushi është një ish-socialist i dëshpëruar nga mungesa e ndonjë posti ministror, dhe në pamundësi të sigurimit të ofiqeve, sulmon Rilindjen, njësoj si Berisha. Përtej etiketimit dhe sulmit, strategjia që zgjodhi Blushi ngjan e saktë deri më tani. Kapi problemin e mungesës së zgjedhjeve të kryetarit në PS-së dhe arriti ta kthejë në kauzë këtë çështje, teksa i kërkoi Ramës që të përballej me të. Në fund kaloi në planin “B”, krijimin e një partie të re, duke shkëputur nga deputetët e PS-së edhe Mimoza Hafizin.

Për shkak të krizës politike, me një opozitë që ka braktisur institucionet dhe ngritur çadrën e protestës në mes të bulevardit, koha po shkon në favor të kreut të Libra-s. Kjo edhe për bilancet negative të qeverisë për sa i përket çështjes së drogës, korrupsionit, papunësisë, varfërisë dhe shtuar këtyre edhe të krisjes me aleaten LSI. Qëndrimet e Blushit janë kryesisht kundër qeverisë, me deklarata mjaft të ashpra që nëse thjesht do lexoheshin dhe jo shiheshin me zë e figurë, ai fjalim mund t’i përkiste ndonjë opozitari të mirartikuluar. Në të gjitha daljet e tij publike, Blushi ngjan se flet për “interes” të shtresave më në nevojë, të kapluar nga varfëria dhe zhgënjimi. Arrin të vërë në siklet jo pak herë kryeministrin, ministra dhe eksponentë të rëndësishëm të PS-së, teksa parashtron disa probleme që vërtet ekzistojnë, ose edhe kur ato nuk janë aq serioze, përsëri ka artikulimin për t’i kthyer në problem. Që pas bojkotit të PD-së dhe nisjes së protestës, Blushi nuk ka munguar asnjë ditë të vetme në Parlament, duke shfrytëzuar kohën që më parë mund të “zaptohej” nga lideri historik i PD-së, Sali Berisha. Aktualisht, Blushi po bën lojën e tij në fushën që pa dashje ia ofruan forcat e mëdha, teksa kryen fushatë pa “shpenzime”, duke mos pasur nevojën e bredhjes fshat më fshat, e të parit sy më sy votuesit, por ngritur nga Parlamenti, apo edhe studio televizive vizionin e krijimit të një force të re politike, që është kundër tri partive të mëdha, PD, PS dhe LSI. Në fokus mbetet gjithnjë sulmi ndaj Edi Ramës si kryeministër. Ndërsa është më i përmbajtur ndaj bashkë qeverisëses LSI, ndoshta edhe për disa llogari matematikore të mundësisë së krijimit të një poli të tretë me LSI dhe parti të tjera të vogla, por që mund të bëjnë surprizën e madhe, duke përdorur si mjet edhe populizmin.

Mbetet zëri më kritik kundër Ramës dhe Rilindjes, por një formë të veçantë gjeti për të mbështetur dhe sulmuar Partinë Demokratike, ku paçka se e konsideron si pa vizion dhe të mbajtur ende peng nga ish-lideri Berisha, përsëri ka ç’të ndajë me të. “Protesta është e Partisë Demokratike dhe unë i uroj dy gjëra: e para, të mos kalojnë në dhunë në ditët që vijnë dhe e dyta: i uroj sukses që të arrijnë të garantojnë standardet e domosdoshme zgjedhore. Nëse protesta, e theksoj e Partisë Demokratike, arrin të garantojë standarde më të mira zgjedhore, shumëkush prej nesh, përfshirë dhe mua, do të duhej ta falënderonim. Por ajo nuk është protesta ime dhe në çadrën e Sali Berishës nuk ka vend për mua” -u shpreh Blushi pak kohë pas nisjes së protestës. Kohët e fundit Blushi nuk po shihet me sy të mirë edhe nga opozita, mbase nga një drojë po ia lënë atij stafetën e “opozitarit institucional”, që godet edhe çdo nismë që vjen nga qeveria. Është kreu i një partie “foshnje” (vetëm 6-muajshe), por në shumë raste përfaqësuesit ndërkombëtarë në vendin tonë po e llogarisin në axhendën e tyre. Deputeti që kundërshton fort kryeministrin, mbështet vetëm në një pikë opozitën, (zgjedhjet e lira), ka kapur edhe një kauzë tjetër të ndjeshme duke dalë krah çështjes së vettingut dhe këmbënguljes për një drejtësi të re në vendin tonë. Me opozitën ndahet në një pikë që nuk është aq e vogël, pasi Blushi këmbëngul për zhvillimin e zgjedhjeve më 18 qershor, me apo pa Ramën kryeministër. Ngjan se kryetari i Partisë Libra është mes dy zjarresh të mëdha të ndezura nga dy forcat kryesore, por më shumë se ta “djegë”, po e ngroh. Duke goditur të dyja palët po mundohet të krijojë boshtin për një forcë të re politike anti-establishment. Blushi thekson se ky sistem politik do të dështojë shumë shpejt dhe se lëvizjet populiste anti-sistem do të marrin formë dhe do të shkojnë drejt një ndryshimi radikal. “Unë nuk jam populist, më akuzojnë se jam moralist, po kjo nuk prish punë. Po unë mendoj se sistemi aktual po shkon drejt dështimit” -deklaron shpesh Blushi, që nuk lë pa shtuar se janë rreth 30-40 për qind e votuesve që nuk besojnë dhe nuk votojnë asnjë parti. Paçka situatës aktuale, zhgënjimit të një pjesë të publikut nga forcat kryesore politike, Blushi e ka të qartë se me vetëm gjashtë muaj jetë politike me forcën Libra, e ka të pamundur të bëjë e vetme surprizën e madhe më 18 qershor. Për më shumë akoma nuk ka mundur të tërheqë masivisht pas vetes elektoratin gri. Një rast tjetër hipotetik, por jo i pamundur, është se opozita mund të bojkotojë zgjedhjet, çka do sillte probleme të thella për vendin. Në këtë situatë, Blushi mund të rimerrte rolin protagonist në kaosin që do krijohej dhe në zgjedhjet e ardhshme mund të shihej jo më si një zë i vetmuar kritik, por si platformë e mirëfilltë politike, me apo pa populizëm brenda.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Konflikti PS-LSI: Orët e tensionit në koalicionin qeverisës

Kryetari i LSI ka bërë thirrje për shmangien e retorikave konfliktuale brenda...
Read More