Blushi largohet zyrtarisht nga PS, Bojaxhi shpall partinë “Sfida për Shqipërinë”

blushi-per-kopertineDeputeti Ben Blushi zyrtarizoi dje në Kuvend largimin e tij dhe të Mimoza Hafizit nga grupi i Partisë Socialiste. “…Ne largohemi sot (dje) si njerëz të lirë, të cilët besojnë se Rilindja i tradhtoi me ndërgjegje të varfrit dhe shtresën e mesme të këtij vendi, duke marrë vazhdimisht masa që cenojnë jo vetëm besimin e tyre te një rend demokratik, por duke i varfëruar ata edhe më shumë për shkak të masave represive, çnjerëzore, të cilat nuk ishin asnjë ditë reforma, por një eksperiment njerëzor që duhej të ushqente nënshtrimin para detyrimit dhe të testonte poshtërimin e dinjitetit në emër të dëlirit të pushtetit. Rilindja beson se një vend duhet të ketë shumë të varfër dhe pak të pasur, kurse ne besojmë se një vend duhet të ketë sa më pak të varfër, në mënyrë që të ketë më shumë të pasur dhe në këtë çështje ndoshta nuk do jemi kurrë dakord. Rilindja ka zgjedhur të mbrojë pakicën, ne duam të mbrojmë shumicën…”, tha Blushi ndër të tjera. Nga Partia Socialiste, Blushi mori replikën e Taulant Ballës. “Dy deputetë të grupit parlamentar të PS-së, me dëshirën e tyre vendosin të largohen nga grupi ynë parlamentar dhe unë në emër të grupit tonë parlamentar ju uroj: udhë të mbarë. Shkofshi ku të doni. Madje po të doni hajdeni uluni edhe këtu, meqë Saliu dhe Jozefina nuk janë sot, mund të zini vendet e tyre… Keni vendosur të ikni; rrugë të mbarë. Po ti që fole këtu nuk u solle kurrë si socialist. Asnjëherë. Edhe atë karrige që ke aty, e ke qyl. Sepse ke mandatin e socialistëve dhe ke për detyrë që mandatin e socialistëve ta respektosh deri në fund. Nuk e ke mandatin tënd. Mandatin tënd provoje dhe merre në 2017. Mandatin e socialistëve o kthejua socialistëve, o mos e mbaj pandershmërisht. Ti ke braktisur socialistët në të gjitha betejat. Nuk ke bërë asnjë betejë me socialistët…”, replikoi Balla. Nuk mungoi as reagimi shpotitës i Blushit. “…Po, ç’e dua unë këtë mandat? Padyshim do ua kisha dhënë, në qoftë se do besoja me të vërtetë që mandati im do të mund të vlente për ndonjë gjë. Por pyetja që kam për ju sot dhe për të gjithë shqiptarët: kujt t’ia jap këtë mandat, Elvis Roshit, Armandos, Arben Ndokës? Kujt t’ia jap këtë mandat? Banditëve që të vijnë këtu dhe të gjejnë një strehë vorfnore që të mos i kapë ligji? Kujt t’ia dorëzoj mandatin, Taulant, Rilindjes, që të sillni këtu ndonjë kanabist? Ndonjë kanabist që i shpëton policisë me ndihmën tuaj? Me kë, pra, ta shkëmbej mandatin tim? Përkundrazi, përkundrazi, si njeri i cili nuk po shkon, siç është bërë zakon në këtë parlament prej 25 vjetësh… keni parë ndonjë njeri që shkon nga pushteti në opozitë? Përkundrazi”, tha Blushi.

Gjergji Bojaxhi shpall partinë “Sfida për Shqipërinë”

Partia e re e Gjergji Bojaxhi do të quhet “Sfida për Shqipërinë”. Sepse në këndvështrimin e tij Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje të re shoqërore.

“Unë jam anëtar themelues i lëvizjes dhe nuk jam kryetar i partisë, nuk kam ndërmend të jem kryetar i saj. Absolutisht do ta ndieja veten të nderuar, që në proceset e ardhshme ta përfaqësoja këtë parti. Të gjitha kandidaturat politike që do të nxjerrë ‘Sfida për Shqipërinë’ do të kalojnë një proces ‘një anëtar, një votë’. Kjo do të thotë se nuk mund të jesh një protagonist i lëvizjes, apo kandidat politik, nëse nuk kalon këtë proces”, tha Bojaxhi për “Top Channel”. Ai sqaroi se “Sfida për Shqipërinë” nuk do të bëjë marrëveshje as para dhe as pas zgjedhore me asnjë prej partive politike aktuale në Kuvend. “Janë të gjitha pjesë e këtij pazari dhe kësaj situate politike ku ne ndodhemi”, shtoi ai. “Sfida për Shqipërinë” nuk ka ende një numër të saktë anëtarësh, por ajo është regjistruar dhe logoja e statuti janë gati. Bojaxhi paralajmëron se mbështetja për këtë forcë të re do të jetë e madhe. “Si pasojë e përvojës, akumulimit të njohurive, besimit që njerëzit krijojnë ndaj njëri-tjetrit, kemi arritur në pikën ku gjykojmë se qytetarët shqiptarë kanë nevojë për alternativa të reja, në të cilat ata të jenë drejtpërdrejt të përfaqësuar”, tha ai.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Afrika dhe afrikanët në mendimin shqiptar të viteve ‘20-30

Nga Enis Sulstarova* Studiuesi Enis Sulstarova sjell në këto faqe të Mapo...
Read More