Biznesi ka nevojë për qartësi

Besart KadiaNga Besart Kadia

Andrea Leadsom, kandidatja e Partisë Konservatore për të qenë Kryeministre e Britanisë, u tërhoq nga gara në mënyrë të beftë. Përtej arsyeve politike të brendshme dorëheqja e saj i jep dorë të lirë kandidates rivale Theresa May, ministre e Brendshme me Cameron, që të udhëheqë vendin në negociatat e Brexit duke i dhënë një drejtim të qartë vendit dhe bizneseve të vendit. Që nga rezultati i referendumit para dy javësh, paundi britanik ka humbur vlerë në tregjet botërore dhe pikëpyetje të mëdha janë hedhur nga korporatat ndërkombëtare dhe bankat e nivelit të dytë për të ardhmen ekonomike të Britanisë.

Politika është e lidhur ngushtësisht me biznesin në Britani, në Bashkimin Europian në Kinë apo dhe në Shqipëri. Ndaj Andrea Leads në fjalimin e dorëheqjes tha “biznesi ka nevojë për qartësi, një qeveri të fortë e të bashkuar për të ecur përpara shpejt, për t’iu dhënë bizneseve një skenar të qartë të Britanisë jashtë BE-së”. Ndërkohë ministri i Financave Osborne është në Amerikë për t’i folur Wall Street se Britania do krijojë të gjitha politikat e nevojshme për ta mbajtur Britaninë konkurruese në Europë dhe më gjerë. Në tri javë politika në Britani ka prodhuar më shumë politikë se ç’prodhoi ishulli në dhjetë vitet e fundit duke bërë që fjalia e Leninit të përdorej gjerësisht se “janë dekada kur nuk ndodh asgjë, por ka javë që dekada ndodhin”.

Duke u rikthyer në Shqipëri, në vendin më të varfër të Europës që ka tashmë taksat më të larta në rajon për shkak të qeverisë Rama, Reforma në Drejtësi ka sjellë pasigurinë më të madhe politike që vendi ka përjetuar ndoshta që nga fund viteve 1990-të. Kjo pasiguri e krijuar në këto muajt e fundit i ka bërë bizneset të paqarta dhe pa partner. Investimet e huaja direkte apo dhe ato vendase janë frenuar. Qeveria Rama nëse do të kishte situatën ekonomike parësore duhet të kishte gjetur çdo mundësi negociuese me opozitën prej kohësh për të mos e lenë vendin dhe ekonominë në “limbo”. Në këtë terren pasigurie kemi parë vetëm në dy javët e fundit vjedhje të paprecedente të bankave në Tiranë e në Vlorë. Nga ana tjetër, abuzimet me biznesmenin e shërbimeve të Restoranteve në Tiranë kanë shtuar frikën e anshmërisë së përdorimit të pushtetit në mungesë të qartësisë së kryeministrit Rama për reformën dhe jo vetëm.

Shqipëria në vitin 1991 në pak javë prodhoi dekadat e saj, frymën liberale të ekonomisë dhe të sipërmarrjes në vend, të mirat dhe përfitimet e së cilës i kemi akoma dhe sot. Ai vizion i parë që në pak javë të arrinte të prodhonte dekada politikë duhet të jetë shembull edhe për sot. Por kjo pasiguri që kjo qeveri ka arritur të prodhojë ka sjellë humbje energjish dhe vëmendje për gjërat që kanë me të vërtetë rëndësi: ekonomia. Biznesi ka nevojë për qartësi.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Elvis Roshi dhe gjurmët e ikjes së tij mbi skenë

Nga Alfred Lela Elvis Roshi bëhet kryebashkiaku i dytë socialist, pas Shukri...
Read More