Bilanci i 2016-s: Dyfishohen parcelat me kanabis, 80 për qind e të arrestuarve, punëtorë

kanabis_3Numri i bimëve narkotike të asgjësuara deri më tani kap shifrën rekord të rreth 1.570 000 rrënjë kanabis, të zbuluar në gjithë vendin. Kanabisi i zbuluar dhe bima e shpëtuar. Nga 270 të arrestuar në flagrancë vetëm 20 për qind janë kultivues, pjesa tjetër punëtorë. Policia italiane kryen mbi 30 fluturime ajrore për të zbuluar drogën tonë.

Nga Sebi Alla

Nëse në 2015-n, një nga “mburrjet” policore ishte se u shkatërruan rreth 860 mijë rrënjë kanabis, ky vit ka kapur majat. Është gati dyfishuar numri i bimëve të zbuluara dhe asgjësuara deri më tani.

Nga 1 janari i këtij viti dhe deri në ditën e djeshme janë asgjësuar rreth 1.570.000 bimë kanabis sativa. Pa llogaritur se kjo shifër mund të rritet edhe më shumë, kur për tre javët e ardhshme pritet që të vijojë operacioni për zbulimin dhe më pas asgjësimin e bimës çudibërëse.

E “shtrirë” në numër popullsie, i bie një bimë narkotike për çdo dy banorë shqiptarë…

Kanabisi që iu “boshatis” mendjen atyre që e konsumojnë, por u mbush ngjeshur xhepat kultivuesve dhe trafikuesve është bërë “varieteti” më i kërkuar.

Ekspertët e policisë, veçanërisht të sektorit të luftës kundër drogës, kanë një shpjegim në lidhje me shtimin e numrit të bimëve të asgjësuara në krahasim me një vit më parë.

Kjo lidhet kryesisht me një “eksperiment” që bënë kultivuesit, duke synuar të kishin në duar drogën, sa më shpejt të ishte e mundur.

Vetëm një farë, e ardhur kryesisht nga Holanda kushtonte 2-3 euro, trafikantët i bënë reklamë të madhe: Kjo drogë nuk shkon më shumë se 80 centimetra lartësi, por të jep të paktën 400 gramë dhe për vetëm 45 ditë arrinte fazën e pjekjes.

Disa e kërkuan, bënë gati arat dhe mbollën farën e re të kanabisit. U doli keq. Shumica u rrit si bimë mashkullore, që nuk prodhonte boçin e shumëkërkuar. Ishte një dështim i plotë, por trafikantët iu kthyen farës së vjetër.

Asaj që vërtet rritet deri në tre metra dhe mund të dallohet më lehtë nga policia, por nëse arrin të shpëtojë, kjo bimë të “nderon”, pasi prodhon afërsisht 1-1.5 kilogramë.

Përtej shifrës së lartë të bimëve të kultivuara, qëndron një statistikë në numër të vogël, pikërisht numri i të arrestuarve për kultivimin e drogës.

Sipas shifrave zyrtare të policisë, të siguruara nga gazeta “Mapo”, për vitin 2016 janë proceduar 360 persona, por arrestuar 270.

Shumica e të prangosurve, në masën rreth 80 për qind, janë punëtorë të kanabisit dhe vetëm 20 për qind kultivues.

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit Gentian Mullai shprehet se një pjesë e konsideruar e strukturave policore janë të angazhuara në luftën kundër drogës, pavarësisht vështirësive të shumta që hasin si në zbulimin ashtu edhe në asgjësimin e parcelave me kanabis.

Italianët “pastrojnë” drogën tonë

Për shkak të mungesës së mjeteve logjistike, përfshirja e policisë italiane ka qenë më se e domosdoshme.

“Kemi një bashkëpunim mjaft të mirë me policinë italiane, ku deri më tani janë kryer mbi 30 fluturime nga avionë specialë, të cilët zbulojnë parcelat me kanabis” -shprehet Mullai.

Menjëherë pasi kryhet fotografimi ajror, materialet kalojnë në Universitetin e Napolit, ku prej nga aty dalin hartat e sakta në lidhje me vendndodhjen e parcelave me drogë.

“Sapo merren të dhënat mbi vendndodhjen e mundshme të bimëve narkotike, policitë e qarqeve, në bashkëpunim edhe me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, hartojnë planin operacional dhe më pas ndërhyhet në terren, duke shkatërruar kanabisin” -shton zëdhënësi i Policisë së Shtetit.

Ndërsa ndryshe mendon opozita, duke këmbëngulur se është bërë gjithçka nga qeveria që pala italiane të mos përfshihet në planin operacional të evidentimit të zonave të mbjella me bimë narkotike.

“Asistenca italiane e dhënë prej vitesh u refuzua nga qeveria Rama dhe rifilloi pas insistimit të opozitës në Tiranë dhe Romë. Megjithatë me rezistencën e atij që ka për të fshehur, qeveria lejoi fotografimin ajror të vetëm 18 për qind të sipërfaqes potenciale”.

Kështu shprehet në një analizë të tij deputeti i PD-së, Genc Pollo.

Kjo çështje ka hapur mjaft debate, pasi përgjatë viteve të fundit pikërisht pala italiane është vetofruar që të kryejë “punën tonë”, duke sjellë avionë specialë për fotografimin ajror dhe më pas përcaktimin e saktë të zonave ku është zbuluar droga.

Gjithsesi, pretendimet e opozitës hidhen poshtë nga ana e Policisë së Shtetit.

“Pala italiane ka pavarësinë e plotë dhe mbështetjen absolute të Policisë së Shtetit për të kryer fotografimin ajror në çdo territor të Republikës së Shqipërisë” -shprehen zyrtarisht burime pranë Policisë së Shtetit.

Në përplasjen politike mes pozitës dhe opozitës, ata që përfitojnë më shumë janë pikërisht trafikantët.

Disa prej tyre, ata më të mëdhenjtë, presin të qetë mirërritjen e bimëve, duke siguruar minimalisht mosprekjen e tyre, edhe nëse droga shkatërrohet nga ana e policisë. qëndrojnë larg arave të tyre me kanabis, paguajnë punëtorë, paga e të cilëve shkon 20-25 mijë lekë të vjetër dhe vetë nuk dalin në skenë, duke përdoruar lidhjet që kanë për t’u kujdesur për parcelat.

Për ta është një lloj biznesi.

Hedhin paranë për të blerë farën, siguruar plehun, vaditjen e kanë përmirësuar me tubacione dhe për punë krahu ka plot, ku shumë të rinj marrin edhe rrezikun e përballjes me burgun nëse arrestohen.

Bosat e mëdhenj askush nuk i di, as ata që derdhin djersën e trullosin mendjen mes aromës kundërmuese të kanabisit, për vetëm 20 mijë lekë të vjetër dita nuk e kanë idenë se e kujt është droga ku ata punojnë.

Droga cep më cep…

Dy ditë më parë u sekuestruan 28 900 bimë narkotike kanabis sativa në katër rrethe.

Policitë e Durrësit, Vlorës, Kukësit dhe Krujës kanë zhvilluar disa operacione në zona të ndryshme dhe mundi nuk u shkoi dëm, pasi bilanci ishte shkatërrimi i mijëra bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ushtruar në Fushë-Draç dhe Ishëm, zona të mbuluara nga qarku Durrës, u gjetën dhe u asgjësuan me anë të djegies 4 100 bimë kanabis.

Më pas një tjetër lajm do të vinte edhe nga Kukësi ku vetëm në fshatin Shëmri në dy zona të ndryshme u zbuluan 2700 bimë kanabis, të një lartësie deri në 2.5 metra dhe ishte thuajse në fazën finale të pjekjes.

Ndërsa në fshatin Shkozë-Bardhë, edhe pse në një zonë fushore, guximi kapërceu kufijtë, ku u zbuluan dhe më pas asgjësuan 13 100 bimë kanabis.

Nuk ka si të mbetet pas Vlora, aty ku fshatrat disi të thella të saj janë mbuluar me kanabis.

Në 36 parcela të ndryshme të vogla u zbuluan rreth 9.000 rrënjë kanabis në fshatrat Mifol, Aliban, Trevllazër, Kuç, Vezhdanisht, Karroq dhe Konispol.

Ky ishte vetëm bilanci i një dite, ndërsa nëse do shtrihet në një javë të dhënat flasin për një numër vërtet të frikshëm.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, përgjatë javës që lamë pas u kryen qindra operacione dhe u krye kontroll në 140 parcela duke zbuluar dhe asgjësuar afërsisht 120 mijë bimë kanabis sativa.

Në javët e fundit është parë që në aksionet policore të jetë i pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në Vlorë, Mallakastër dhe Pukë, ministri mbërriti për të inspektuar punën policore. Nuk ngurroi as të ftonte miqtë deputetë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë dhe gazetarët.

Një shfaqje qesharake e ka konsideruar opozita nismën e ministrit, por përtej qëndrimeve politike, duket qartazi se droga është “sheshit”, edhe në vende që më parë nuk ishin në hartën problematike të kultivimit të kanabisit.

Duket sikur shkojnë paralel si aksionet e shumta dhe asgjësimet e mijëra bimëve, ashtu edhe kultivimi në një nivel mjaft të lartë.

Prej të paktën gjashtë vitesh zonat më problematike vijojnë të mbesin Vlora, Tepelena dhe Malësia e Dukagjinit.

Për shkak të thellësisë së fshatrave dhe rrezikut që arat janë në pronësi të individëve me të shkuar kriminale, në aksionet policore kanë marrë pjesë edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Për këtë vit vetëm tri raste janë regjistruar të përplasjes me armë fatmirësisht pa pasoja në radhët e policisë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

NATO: Dritë – hije mbi aleancën

Nga Kostaq Xharo* Gjatë muajve të fundit, diskutimet për NATO-n kanë zënë...
Read More