Bibliotekat dhe pushteti

libratNga Enton Bido

Lajmi se Këshilli Bashkiak i Korçës paska vendosur këmbim ndërtesash, domethënë Këshillin Bashkiak ta zhvendosë në mjediset e Bibliotekës Publike “Thimi Mitko” dhe anasjelltas është pak të quhet skandal. Një nga bibliotekat publike më në zë në vend në një qytet me kulturës dhe traditë të vjetër librore, të bjerë në këtë nivel?

Kur e kam vizituar këtë institucion, bibliotekistet ankoheshin për pagën e ulët, ndërsa unë i sugjeroja shkëputjen e vartësisë nga Qendra Kulturore dhe daljen drejtori më vete, çka do t’i jepte më shumë kompetenca, financa të pavarura dhe pavarësi institucionale. Këtë e kemi nga përvoja e Bibliotekës Publike të Durrësit, që, me sa di është e vetmja që është shkëputur prej vitesh nga Qendra Kulturore. Ky qe thjesht një sugjerim, pasi ka dhënë fryte dhe është në logjikën e thjeshtë. Aty mësova edhe faktin që pasurimi me libra të rinj bëhej vetëm një herë në vit. Për fat të keq kjo ndodh në disa nga bibliotekat e mëdha publike (bashkiake. Ka qytete më të vegjël që mund të kenë 20 vjet pa blerë as edhe një libër të vetëm. Thjesht mbajnë fondet e vjetra, që doemos qarkullojnë gjithnjë e më pak dhe shtojnë atë fond të vogël vetëm me libra të dhuruar. Kur, tash pas 6-7 muajsh, lexoj që Këshilli Bashkiak i Korçës e paska marrë këtë vendim që në 2014-ën. Çudi  dhe turp njëherësh! Shpresojmë që pushtetarët vendor, edhe nën trysninë e qytetarëve kulturëdashës të qytetit të njohur t’i venë gishtin kokës.

Në Pogradec edhe më keq akoma. Nga katër specialiste kishin mbetur vetëm dy, pasi aty e kishte parë të arsyeshme bashkia të bënte shkurtime. Pasurimi zero, tavani po gërryhej përditë nga lagështia e, donte Zoti nuk u binte në kokë, siç pat ndodhur tri herë në Durrës. Pagesa nën minimumin jetik. Kjo është të vesh kujën. Dhe të mendosh që biblioteka mban emrin “Mitrush Kuteli”, ndërsa Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci”.  Po të ishin gjallë, të dy këtyre shkrimtarëve të mëdhenj do t’u vinte ndot nga kjo gjendje.

Në Berat po bëhet e anasjellta e Korçës. Biblioteka Publike “Vexhi Buharaja” po mbaron rikonstruksionin dhe, ndërkohë, sa të kryhet i plotë ai është zhvendosur përkohësisht në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”. Aty së paku vijojnë rregullisht veprimtaritë me librin. Problem ka qenë marrëdhënia me rrjetin bibliotekar online www.cobiss.net dhe heqja e pamotivuar e një specialisteje.

Në veri të vendit, ka një gjallërim të ndjeshëm biblioteka “Gjergj Fishta” e Lezhës në drejtim të gjetjes së financimeve. Edhe veprimtaritë me librin vazhdojnë me sukses traditën e mëhershme. Në kushtet e varësisë nga qendra kulturore, titullarja e re ka kërkuar dhe gjetur donacione, apo sponsorizime nga kompani të mëdha private, apo banka, të cilat fatmirësisht i janë përgigjur thirrjes. Kështu ka rinisur pasurimi i fondit libror, që kishte rreshtur prej kohësh.

Biblioteka “Marin Barleti” e Shkodrës është ndër të vetmet, në mos e vetmja nga bibliotekat publike (qytetëse) me një faqe të sajën online. Dhe ajo pasurohet vazhdimisht me rubrika të ndryshme, ku ndër më të vyerat është digjitalizimi dhe hedhja me tekst të plotë – full text – e periodikëve të vjetër, sidomos atyre të viteve ’30. Këtë përvojë shumë të mirë, pavarësisht se me vonesë po e pason tashmë edhe BK e Shqipërisë.

Për ta mbyllur me Tiranën, duhet thënë se Biblioteka Kombëtare do të marrë disi më lirshëm frymë me kthimin e mjediseve të dhëna privatëve. Edhe ajo është e mbingarkuar dhe bën detyra që funksioni i saj nuk i përmban fare. Ndërtimi i një biblioteke publike për Tiranën është domosdoshmëri, pasi ato pak biblioteka lagjesh nuk mund të përballojnë fluksin e përdoruesve të kryeqytetit afërsisht njëmilionësh.

Në fund të këtij shkrimi, shpresoj që së afërmi të nisin punimet për Sheshin e Drejtësisë në Durrës, ku thuhet se do të përfshihet edhe ndërtesa e re e bibliotekës. Nëse ka trysni dhe përgjegjësi qytetare, e cila deri tash ka qenë e zbehtë, pushteti edhe ndërgjegjësohet dhe nuk rri mospërfillës. Shpresoj që ky vullnet e kjo ndërgjegje të zgjohet përfundimisht. Kështu do të jetë më mirë edhe për qytetet tona, edhe për librin e materialet bibliotekare, në letër apo elektronike qofshin. Edhe pushteti ndoshta do ta kuptojë se nga dija vijnë vetëm përparimi dhe përfitimet dhe jo andrallat dhe shpenzimet.

*Bibliotekist, shkrimtar, n/kryetar i Konsorciumit të Bibliotekave Publike dhe Universitare të Shqipërisë

Shkruar Nga
More from revista mapo

Dekorimi i drejtë i Presidentit dhe shoqata ‘Vullnetarët e Mehmetit’

Nga Alfred Lela Një vendim i Presidentit Nishani për të dekoruar 67...
Read More