fbpx

Dikur

Besimi i shqiptarëve





               Publikuar në : 09:08 - 18/03/19 |
Nga Faik Konica

Pjesë nga libri “SHQIPËRIA: KOPSHTI SHKËMBOR I EVROPËS JUGLINDORE”, të botuara dhe të zgjedhura nga G.M. Panariti. Përktheu nga origjinali anglisht: Ferdinand Leka


Nga Faik Konica



I

Pasardhësit e kanë zakon t’i ngjitin një etiketë të shkurtër çdo shekulli, kurse bashkëkohësit, meqë jetojnë në vorbullën e ngjarjeve, nuk e ndiejnë nevojën të japin një përcaktim konciz të tipareve kryesore të kohës në të cilën jetojnë. Ka mundësi që pasardhësit ta cilësojnë kohën tonë si një periudhë sharlatanësh të nxituar. Një shfaqje e qartë e kësaj prirjeje të dëmshme të ditëve tona është mania për t’i dhënë publikut njohuri për ato gjëra për të cilat ne vetë s’kemi dijeni fare. Një mendim i tillë do t’i ketë ardhur në mendje shpeshherë cilitdo që e njeh mirë një problem dhe përnjëherësh e papritur i ka qëlluar të dëgjojë mbi të një mori fjalësh fantastike, pjesërisht të përafërta dhe pjesërisht të shpikura e të trilluara fund e krye, dhe jo të paraqitura si roman a si tregim, por si “informacion” mbi subjektin në fjalë. Kjo ngjan më shpesh kur trajtohen vende të largëta. Optimistët kanë shpresuar se përhapja e kinematografisë do të ndihmonte që puna të kryhej në mënyrë më serioze, me paraqitjen e dokumenteve fotografike autentike para syve të studiuesve e të kureshtarëve. Në të vërtetë ka ngjarë e kundërta e asaj që pritej. Zgjuarsia e paskrupullt ka gjetur mënyrën si të marrë fotografi të rreme dhe me ndihmën e kinemasë ta bëjë gënjeshtrën të besueshme.


Në gusht të vitit 1936 erdhi në Uashington një film i shkurtër mbi Shqipërinë dhje unë, natyrisht, vrapova të shkoj e ta shoh. I kishin mbledhur aktorët në një studio tri mijë milje larg Shqipërisë dhe i kishin futur të loznin, në një episod, rolin e disa personaliteteve të gjalla në Shqipëri. Gjatë shfaqjes së filmit, spikeri, plot frazeologji bombastike dhe me një ton vetëkënaqësie mburravece, nxirrte nga goja xhevahire “informacioni” që unë po i dëgjoja për herë të parë. sa s’u hodha përpjetë nga çudia, kur ai lajmëroi me pompozitet se e tërë popullsia e Shqipërisë është myslimane. Sikur ai orakull ta kish marrë punën pak më shtruar dhe të kishte marrë mundimin të pyeste, për shembull, për besimin e ministrave të qeverisë së Shqipërisë, do të kishte marrë përgjigjen e saktë se nga të gjashtë ministrat që formojnë kabinetin e sotëm, tre janë katolikë, një është ortodoks dhe dy janë myslimanë; edhe po të përfshihet në këtë numër kryeministri, i cili në këtë qeveri është mysliman, na del një shumicë prej katër të krishterësh dhe një pakicë prej tre myslimanësh. Por jeta është e shkurtër, studimi kërkon lodhje, njeriu përton të mendojë thellë, publiku është i durueshëm dhe ha çdo gjë që t’i vësh përpara; prandaj përse të lodhesh të kërkosh faktet, kurse pa pikë zori mund të këputësh, pa pehriz, lloj-lloj hamendësimesh e trillimesh me okë?

Shqipëria nuk është një vend mysliman. Është një vend me tri besime dhe pikërisht për këtë arsye nuk ekziston aty një besim shtetëror. Nën sundimin otoman, shqiptarët myslimanë kishin pozita në pushtet, krahas me turqit, dhe shikoheshin me sy të mirë, kurse pjesa e krishterë rrinte si e mënjanuar dhe nuk i dëgjohej zëri gjëkundi. Nga këto është krijuar përshtypja se Shqipëria është një vend islamik. Kur nisën të nxjerrin krye kombësitë në Evropë, dhe kur elokuenca e Gladstonit çoi peshë kundër turqve një lëvizje të tillë, që mund të krahasohet me atë të kryqëzatave në mesjetë, grekët dhe serbët, këta fqinj të nderuar të Shqipërisë, nuk vonuan ta kuptojnë se ishte në dobi të tyre të krijohej një pështjellim në mes të besimit dhe të kombësisë. Besimi mysliman, që ishte përqafuar nga një pjesë e madhe e Shqipërisë, pas pushtimit turk, u vu në dukje në çdo rast dhe, për hir të “hipnotizimit të përsëritjes”, shpresohej t’u mbushej mendja të tjerëve se shqiptarët na qenkan “turq”. Si grekët, ashtu dhe serbët kanë ca cilësi që unë, për vete, i admiroj, por as serbët, as grekët, nuk janë akuzuar ndonjëherë se luajnë kriket ose kanë ndonjë dobësi për markezën e Qucebery Rules-it. Nga të dyja palët, serbët kanë qenë më fajtorë, mbasi ata e kishin të dalluar ndjenjën e kombësisë nga besimi, por për grekët dalin shumë rrethana lehtësuese. Këta, për faktin se në përzierjen moderne greke janë futur shumë elementë heterogjenë, nuk e kanë kuptuar kurrë çfarë do të thotë kombësi dhe kurdoherë e kanë ndier besimin si të vetmen lidhje të tyre të përbashkët. Miku i tyre Finlay ka bërë një vërejtje të hollë në këtë drejtim: “Marrëdhëniet në mes të myslimanëve dhe të krishterëve shqiptarë kanë qenë shumë më miqësore se sa marrëdhëniet në mes të shqiptarëve myslimanë dhe të turqve. “Në këtë pikë shqiptarët dallojnë nga grekët, sepse, lidhjet e kombësisë i ndiejnë më tepër se lidhjet e fesë”. Për grekët mendjelehtë “feja ortodokse” dhe “kombësia greke”, kanë qenë e vazhdojnë të jenë ende dy terma që nuk dallohen nga njëri-tjetri. Ata nuk mund të kuptonin përse bullgarët, që ishin “ortodoksë”, nuk e konsideronin veten grekë, por donin të ishin të pavarur. Nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë dhe në fillim të nëntëmbëdhjetit, Ali Pashë Tepelena, kishte si komandant ushtri një shqiptar me emrin Thanas Vaja, të cilin autorët bashkëkohës anglezë e francezë e kanë quajtur “gjeneral Vaja”. Ky shqiptar trim i përkiste kishës ortodokse, dhe pasi i kishte qëlluar rasti t’i fashiste trazirat greke me një dorë të rëndë, grekët kanë shkruar mjaft gjëra për të. Thanas Vaja, i cili për grekët ishte Athanasios Vaja, nuk shikohej si armik, por si tradhtar. Është njëlloj sikur Franca t’i quante tradhtarë katolikët e Bavarisë, pse kishin luftuar kundër saj, duke u mbështetur në faktin që, si katolikë, ata nuk mund të ishin tjetër veçse frëngj.ù

II.

Një aspekt tjetër i studimit të Shqipërisë nga pikëpamja e fesë është skepticizmi i pretenduar i shqiptarëve. Ky opinion, jo fare pa bazë, e ka burimin te letrat e Ledi Mary Wortley Montagu. Kjo grua fisnike, bijë e dukës së Kingstonit dhe e shoqja e Eduard Wortley Montagu-së (i cili në vitin 1716 ishte emëruar ambasador i Britanisë së Madhe në Stamboll) shkroi, më datën 1 prill 1717: “Nga të gjitha fetë që kam parë, ajo e shqiptarëve (arnautëve) më duket më e veçanta. Janë nga Arnautliçi, Maqedonia e lashtë, dhe deri në ditët tona i kanë ruajtur guximin e trimërinë e lashtë. Janë ushtarët më të mirë të perandorisë otomane dhe i vetmi fre për jeniçerët. Ky popull, që jeton në mes të të krishterëve dhe muhamedanëve, pa hyrë në grindje me ta, deklaron se nuk është në gjendje të gjykojë se cila fe është më e mira, por, për të qenë më afër së vërtetës, ata me urtësi i ndjekin të dyja besimet, duke shkuar të premteve në xhami dhe të dielave në kishë. Si justifikim për këto thonë se në Ditën e Gjyqit (Ditën e Kiametit) do të gjenden nën mbrojtjen e Profetit të vërtetë por cili vallë është i vërteti, ata nuk janë në gjendje ta përcaktojnë në këtë botë. Nuk besoj të gjendet mbi dhé një racë tjetër njerëzore që të tregohet kaq modeste për aftësitë e veta”.

Duke lënë mënjanë gabimin e hapët të Ledi Montagu-së, që i ngatërron shqiptarët me një sekt fetar, gabim që është vënë në lojë nga komentuesit dhe që e ka burimin të shkujdesja për një letër familjare, del e qartë se autorja, me gjithë zgjuarsinë e saj të shkëlqyeshme dhe të famshme, nuk e kishte kapur dot humorin e atyre që e kishin informuar në atë mënyrë. Atë që i treguan asaj ata ushtarë mund ta dëgjosh edhe sot, orë e çast në Shqipëri: kjo është një mënyrë ironike dhe moskokëçarëse, më tepër një “cliché”, që e përdorin shqiptarët për t’u dredhuar kontradiktave fetare.

Por në shekullin e tetëmbëdhjetë Ledi Meri kishte kredi të lartë, dhe kur u botuan letrat e saj, pas vdekjes, u bënë menjëherë një vepër klasike. Lord Bajroni, që i kishte lexuar ato, nuk u përpoq t’i hetonte më thellë prirjet fetare të shqiptarëve, por e përmblodhi mendimin e vet në këto fjalë: “Grekët nuk i shikojnë ata si të krishterë, kurse turqit nuk i shikojnë si myslimanë; dhe në të vërtetë, ata janë një përzierje e të dyjave, dhe nganjëherë as njëra, as tjetra”. Bashkëkohësi i Bajronit, T. S. Hughes, është më i qartë. Hughes-i, i cili ishte klerik anglikan dhe në lidhje me këtë subjekt tregonte interes më shumë se një kureshtar i thjeshtë, bën një vërejtje, që shërben si çelës për të zbërthyer çdo keqkuptim: “Muhamedani shqiptar nuk i zbaton doktrinat, ritet e ceremonitë e rendit të ri, më me zell se sa i zbatonte dikur ceremonitë e vjetra, prandaj shikohet me përbuzje të madhe nga ana e osmanëve të ngurtë. Ai shpeshherë merr për grua një të krishterë, merr me vete në xhami djemtë, kurse vajzat i lë të shkojnë në kishë me të ëmën; edhe ai vetë, ndonjëherë, shkon me radhë, në të dy qendrat e kultit”.

Duhet kujtuar edhe fakti se gati deri në gjysmën e shekullit të nëntëmbëdhjetë ligjet e Islamit njiheshin vetëm në mënyrë fragmentare dhe të sipërfaqshme në Evropën Perëndimore. Vetëm në vitin 1834, kur arabisti i madh Gustav Fluegel botoi Kuranin me shënime kritike, filloi studimi shkencor i të gjitha fushave të Islamit.

Hughes-i nuk e dinte se feja islame e ndalon martesën me paganë, por e lejon me personat që u përkasin dy besimeve monoteiste: kristianizmit dhe judaizmit. Martesa të tilla nuk ishin diçka e rrallë në Shqipëri, dhe që në kohët më të hershme të sundimit turk, një zakon i vendit përcaktonte pozitën përkatëse të burrit, të gruas dhe të fëmijëve në martesat e përziera; burri dhe gruaja ruanin besimin e vet që kishin para martesës, ndërsa nga fëmijët, djemtë ndiqnin besimin e të atit, kurse vajzat besimin e nënës. Ajo që e kishte çuditur aq shumë Hughesin nuk ishte diçka e jashtëzakonshme, po në përputhje të plotë, pjesërisht me ligjet e shkruara e pjesërisht me zakonet e vendit.

Për ato që janë thënë për skepticizmin ka ndikuar mbi të gjitha çudia e grekëve dhe e turqve, kur shikonin tolerancën dypalëshe të shqiptarëve në këtë pikë. “Muhamedanët nuk janë këtu muhamedanë të vërtetë, ashtu dhe të krishterët nuk janë tamam të krishterë” – i kishte thënë Tozerit një oficer turk, tre çerekë shekulli më parë. Po, vërtetë nuk ishin të tillë, nëse për të qenë të krishterë ose myslimanë të mirë duhej t’i nxirrnin gurmazin njëri-tjetrit, siç ishte zakon në pjesët e tjera të perandorisë Turke.

III.

Njohuritë e pakta dhe fragmentare, të plotësuara me supozime fantastike mbi gjendjen e besimeve në Shqipërinë e lashtë dhe të sotme, e bëjnë të domosdoshëm një rishikim të gjithë kësaj çështjeje. Do ta përmbledh këtë në pak faqe dhe para së gjithash, do të them diçka në lidhje me besimin para përhapjes së krishterimit; kjo duhet bërë për hir të së vërtetës, por të jetë njëkohësisht diçka me vlerë njohëse.

Vepra më e re për problemet e ndryshme ilire, që përfshin të gjitha zbulimet e bëra në këtë fushë deri më 1931, është kontributi i një dijetari gjerman, doktorit Fluss. Ai ka përmbledhur kërkimet e të tjerëve, por fryma e kritikës me baza, që e përshkon veprën, i jep asaj një vlerë.

Dihet fare pak për besimin e ilirëve para pushtimit romak. Dihet një fakt kryesor, që besimi i ilirëve nuk ka pasur ndryshime themelore nga ai i romakëve, pasi kudo gjetiu në Perandorinë Romake kishte fërkime të vazhdueshme për arsye fetare, në mes të pushtuesve dhe të mundurve, kurse në Iliri nuk ngjante një gjë e tillë. Perënditë vendëse të ilirëve, megjithëse me emra të ndryshëm, përkojnë me perënditë e romakëve dhe altarët u ngriheshin nën emrin e vjetër ose nën emrin e ri. Një autor grek i cilëson ilirët “plot me nderim ndaj perëndive”. Enji ishte perëndia e zjarrit dhe emri i tij është ruajtur edhe sot e kësaj dite në fjalën shqipe e enjte (në anglisht Thursday – Thor’s day që do të thotë “dita e Thorit. Thori ishte perëndia e rrufeve). Bindusi besohet se ishte perëndia e burimeve të ujit: Prema ishte perëndesha e begatisë dhe e pjellorisë; emri i saj na ka mbetur tek emri i ditës së javës e premte dhe përkon me Venus-in e romakëve dhe me Treia-n e teutonëve. Surd-i ishte perëndia e ajrit. Silvanus-i, mbrojtësi i fshatit, megjithëse ka një emër romak, ishte një perëndi thjesht ilire dhe mendohet të jetë përhapur nga oficerët ilirë. Po ashtu dhe Diana ka qenë një hyjneshë ilire. Silvanusi dhe Diana figurojnë si përfaqësuesit e Ilirisë në harkun e Trajanit në Benevento; mund të mendohet se emrat romakë i kanë zëvendësuar emrat e tyre të vjetër ilirë. Saturnus-i në ilirishten quhej Shëtuni dhe na ka mbetur në fjalën shqipe e shtunë. Një perëndi tjetër, që përmendet shpesh, është Medaurus-i, i cili besohet të ketë qenë perëndia e shëndetit dhe një variant ilir i Asklepios-it të grekëve. Disa hyjni të tjera ilire si Latra njihen vetëm si emra, por nuk e dimë çfarë përfaqësonin. Ajo që e dallonte besimin ilir nga ai i grekëve dhe i romakëve, është me sa duket mungesa e një kleri; ky është një fakt me rëndësi, i cili, ndoshta mund të shërbejë për të shpjeguar disa tipare të jetës fetare të mëvonshme në Shqipëri. Besimi i vjetër u mbajt më këmbë në shumë vise të Ilirisë, deri në shekullin e katërt të erës së re, dhe nuk është e tepërt të kujtojmë këtu se perandori Julian ka qenë ilir. Vërehen edhe në ditët tona disa mbetëza zakonesh të bukura pagane në Shqipëri, për shembull, zbukurimi i dyerve dhe i dritareve të shtëpive me gjethe e lule, ditën e parë të pranverës. Në verë, kur thatësira vazhdon për një kohë të gjatë, veshin një djalë ose një vajzë me gjethe e me degë; ai ose ajo bën disa kërcime, ndërsa të tjerët e spërkatin me ujë. edhe sot përdoret njëlloj betimi solemn; betohen për diellin, për hënën, për ndonjë mal a ndonjë burim.

Siç e ka vënë në dukje Adolf von Harnack, historia e përhapjes së krishterimit në Evropën Juglindore, njihet fare pak. Për sa i takon Ilirisë, nuk ka dyshim që krishterimi hyri më parë në pjesën bregdetare e prej aty u përhap në brendësi të vendit. Një letër e njohur e Shën Palit ka një kuptim të errët: “Nga Jeruzalemi e për së gjati deri në Iliri, unë kam predikuar gjerësisht ungjillin e Krishtit”.

Këtë e lexojmë në përkthimin e autorizuar në anglisht. Teksti greqisht ka mekri domethënë aq larg sa (është Iliria). Është vënë në diskutim fakti nëse Shën Pali do të thotë se është futur në brendësi të viseve ilire, apo vetëm ka kaluar përpjetë brigjeve të Ilirisë. Shën Jeronimi, i cili është vetë ilir, ka kuptuar nga fjalët e Shën Palit se ky e ka vizituar Ilirinë dhe duhet quajtur si përhapës i krishterimit ndër ilirët. Sido që të jenë punët, është e sigurt që predikimi i ungjillit ka filluar në Iliri që në shekullin e parë të erës së re dhe, me sa duket, është punë e njërit nga apostujt e hershëm. Që në kohën e sundimit të Neronit, në vitin 58, bëhet fjalë për ekzistencën e një komuniteti të rëndësishëm të krishterë në Durrës. Selia ipeshkvnore e Shkodrës, kryeqytetit të Ilirisë, u themelua në vitin 385, dhe ka qëndruar si e tillë për një mijë e pesëqind vjet, deri sa u ngrit në rangun e argjipeshkvisë, në vitin 1867.

Kur u nda Perandoria Romake, në vitin 379, Iliria i përkiste politikisht pjesës lindore, por nga ana fetare mbeti nën Kishën e Romës, ndikimi i së cilës shtrihej deri në Maqedoni, me argjipeshkvin e Thesalisë si mëkëmbës të Papës. Prova e parë për ta trazuar këtë gjendje u bë në shekullin e tetë, gjatë Luftës së Ikonave, e cila u ndez në vitin 726 nga një edikt i perandorit Leoni i III, që urdhëronte zhdukjen e ikonave fetare ndër kisha dhe shtëpi private, kudo në Perandori. Papa Hregori III iu përgjigj me mallkim (anatemë) ikonoklastëve ose ikonathyesve, duke përfshirë në mes tyre edhe Leonin e III. Si kundërpërgjigje, Leoni III shkëputi nga juridiksioni i papës Kalabrinë, Sicilinë, Kretën dhe Ilirinë, të cilat i vuri nën autoritetin e Patriarkut të Stambollit. Ky ishte një prelat politikan, të cilin Gibbon-i e përshkruan si “një skllav i butë para zotërisë së vet, i gatshëm për të kaluar nga manastiri te froni dhe nga froni përsëri te manastiri, porsa t’i bënte një shenjë të vogël me kokë i zoti”.

Në shekujt e mëvonshëm nisin luftërat politike në mes të Lindjes dhe Perëndimit, duke pasur si sfond kontradiktat fetare. Skizma e vitit 1054 u pasua nga e gjithë Evropa Juglindore; këtu u përfshi edhe Shqipëria, me përjashtim të një pjese të vogël të Veriut, që mbeti dhe vazhdon të jetë katolike. Kështu pra Shqipëria hyri nën juridiksionin politik e fetar të perandorisë së Lindjes. Pas rënies së Kostandinopolit, në vitin 1453, Perandoria Bizantine mori fund, por Shqipëria mbeti nominalisht nën juridiksionin e Kishës së Lindjes, për aq kohë sa vazhduan luftërat heroike të Skënderbeut kundër turqve.

Mehmeti II, pushtuesi i Kostandinopolit, me qëllim që ta thellonte edhe më shumë përçarjen në mes të botës së krishterë të Lindjes dhe asaj të Perëndimit, vetëm dhjetë ditë pas rënies së Kostandinopolit, emëroi si patriark të Kishës Greke një klerik të quajtur Genadios. Ky kishte qenë një kundërshtar i madh i bashkimit të Kishës Greke me Kishën Latine.

Ganadiosi ishte garantuar për “mbrojtje dhe privilegje të posaçme dhe pushtet të madh mbi popullin”. Në fakt ai u bë sundimtari shekullor i mijëra e mijëra ortodoksëve të Kostandinopolit dhe gëzonte të drejtën “t’i rrihte, t’i burgoste dhe t’i vriste” vartësit e vet. Këto fuqi të gjera i dhanë mundësi Genadiosit dhe patriarkëve të tjerë, që të bënin përpjekje për helenizimin e të krishterëve jo grekë që gjendeshin nën juridiksionin e tyre. I detyronin besnikët ta ushtronin fenë e tyre në gjuhën greke dhe i terrorizonin të gjithë ata klerikë që nuk u nënshtroheshin. Kështu elementët jo grekë të Perandorisë filluan të dyshojnë se mos ishte për ta një zgjidhje më e lehtë të përqafonin fenë e pushtuesit sesa të pësonin vazhdimisht një trysni të dyfishtë, politike dhe fetare.

Të çudit fakti se si shqiptarët, që iu nënshtruan turqve njëzet e pesë vjet më vonë se fqinjët, qenë i pari grup racial që e përqafoi islamizmin në shkallë aq të gjerë. Kjo kthesë filloi me familjet e mëdha e u përhap në masat fshatare në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë islamizmi arrit kulmin e vet dhe si përfundim kemi sot në Shqipëri 70 për qind myslimanë, 20 për qind ortodoksë dhe 10 për qind katolikë. Ky kthim në masë mund të shpjegohet me faktin se shqiptarët ishin identiteti më i vogël racial në mes popujsh armiq sllavët nga njëra anë dhe grekët nga ana tjetër. Duke bërë një përpjekje të dëshpëruar për vetëruajtje, ata vendosën të qëndronin zotër në tokën e vet dhe përqafuan fenë e pushtuesve. Me këtë arritën të fitonin prestigj politik dhe ushtarak në Perandori.

Islamizmi i Shqipërisë pati anët e veta të mira dhe të dobëta. Si të të njëjtës fe me turqit, shqiptarët arritën të shtijnë në dorë poste të larta në ushtri dhe në administratën civile, por duke vepruar kështu, ata u njëjtësuan me pushtuesit dhe me këtë e vonuan çlirimin e vendit nga turqit. Kështu, Shqipëria, vendi i fundit që ra nën të huajin, qe e fundit për të fituar pavarësinë.

Në lidhje me sa u tha, është diçka interesante të vihet në dukje se si e shikon njeriu i zakonshëm në Shqipëri kthimin në masë të të parëve të vet në fenë islame. Nga diskutimet që bëhen nëpër kafenë mund të dallojmë dy “shkolla”, në lidhje me këtë çështje. Disa thonë se sikur shqiptarët t’u kishin qëndruar besnikë të parëve, vendi sot do të ishte më i madh dhe do të ishte i pari për të shkundur zgjedhën turke. Shkolla kundërshtare mbron tezën, sipas së cilës, po të kishin qëndruar shqiptarët të krishterë, do të ishin përthithur tërësisht nga fqinjët. Meqë historia nuk është kurrë prapavepruese, ne s’e shlyejmë dot të kaluarën dhe tjerrja gjatë e këtyre diskutimeve na duket një punë e kotë.


Etiketa: , , ,

Pas