Berlini kthen sytë nga Tirana dhe Prishtina

Berlini zyrtar nis “të flasë”, zërat kundër politikave të qeverisë shqiptare dhe problemit të korrupsionit, trafiqeve dhe pandëshkueshmërisë. A po mbështetet ideja e zgjedhjeve të reja? Krisjet politike menjëherë pas idesë së korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi dhe tentativës për imponimin e BE-së për të pranuar “pa kushte shtesë” Shqipërinë si vend kandidat për në BE. Si u kthye Rama nga “lider rajonal” në “problem” për politikat në Ballkan.

Nga Sebi Alla

Vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në Tiranë, katër vjet më parë, u keqlexua nga kryeministri Edi Rama, që më shumë se një mundësi që rajoni të dalë nga kriza dhe të shohë rrugën e integrimit, e mori si mbështetje personale. Që nga ajo kohë dhe pak muaj në vijim, Rama pati disa vizita në Ballkan dhe Berlin, duke tentuar të marrë rolin e “liderit rajonal”, një kostum që kurrsesi nuk i qëndroi, pasi vendi kaloi kriza të rënda të kanabizimit masiv, problemit të madh të korrupsionit, krizave të brendshme politike dhe problem me çështjen e zgjedhjeve. Për më shumë, duket se politikat zyrtare të qeverisë së Shqipërisë tashmë është kthyer në problem për Berlinin zyrtar, që në fakt përfaqëson më shumë se veten, është zëri dominues edhe në BE. Profesor Martin Henze, Kryetar i komisionit të Transportit në Këshillin Ekonomik të CDU-së gjermane, tre ditë më parë u shpreh se zgjedhjet e reja në Shqipëri janë domosdoshmëri për vendin dhe ndërkombëtarët. “Qeveria socialiste e Ramës do të jetë një problem i madh për bashkësinë ndërkombëtare. Korrupsioni në Shqipëri në të gjithë sektorët e qeverisë socialiste, Shqipëria është një qendër për trafikimin e drogës, kriminalitetin e rritur, ekonominë e lartë informale, pastrimin e parave të aktiviteteve kriminale, papunësinë e lartë…..”, shkruan Henze në një postim në rrjetin social “linkedIn”, ku paraqet disa nga gjetjet kryesore të raportit të DASH mbi Narkotikët, publikuar së fundmi. “Zgjedhjet e reja janë të nevojshme në Shqipëri për sigurinë e familjeve shqiptare dhe komunitetit ndërkombëtar”, përfundon ai. Mund të ngjajë mendimi personal i një politikani pjesë e partisë CDU të Angela Merkel, por ishin po këta përfaqësues që një vit më parë shprehën rezerva për qeverisjen Rama për sa i përket plotësimit të kritereve për të marrë anëtarësimin si vend kandidat për në BE. Tashmë një vit më pas, situata politike në vend është edhe më e rëndë, me opozitën shqiptare që ka djegur mandatet e deputetëve dhe nuk njeh institucionin e Parlamentit, ndërsa kërkon largimin e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ky vendim ekstrem i opozitës u kritikua nga faktori ndërkombëtar, përfshi edhe ambasadën gjermane në Shqipëri, por zërat mbështetës nuk po mungojnë. Dhe sinjalet vijnë nga Berlini…

Rama, “lider i vogël” për politikë të madhe…

Kryeministri Rama dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ishin nismëtarët e hedhjes në “treg” të idesë së korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi, gjashtë muaj më parë, që nënkuptonte kalimin e Mitrovicës së Veriut brenda kufirit të Serbisë dhe Kosova merrte Luginën e Preshevës. Për ta, ky ishte një opsion që do i jepte zgjidhje përfundimtare çështjes ku Serbia ta njihte Kosovën dhe njëkohësisht mbyllej një kapitull me mbi një shekull konflikt. I menjëhershëm ishte reagimi i kancelares gjermane Angela Merkel që në një vizitë në Kroaci e shprehu qartë se ishte kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, pasi kjo do sillte rrezikun e një konflikti zinxhir edhe në shtete të tjera. Pavarësisht deklaratës pa asnjë nënkuptim, kjo “lojë e madhe” nga dy liderë krejtësisht të vegjël do sillte të tjera qëndrime të së njëjtës linjë me Berlinin, këtë herë nga shtetet e tjera anëtare të BE-së. Gjithashtu, opozita zyrtare në Shqipëri (në atë kohë brenda institucioneve), e kundërshtoi idenë e korrigjimit të kufijve dhe i konsideroi qëndrimet e Ramës si të papranueshme. Gjithsesi, kryeministri shqiptar nuk e ka përmendur në ligjëratë të drejtë idenë e “korrigjimit të kufijve”, por la të kuptohej se do ishte pro një zgjidhje që vinte nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, pavarësisht termit “korrigjim” apo shkëmbim territoresh. Rama me tej shkoi edhe në “kërcënime të ulëta” që më shumë entuziazmonin enturazhin e tij në Shqipëri se sa të “çudisnin” Berlinin apo Brukselin. Në një “patriotizëm rapsodik”, Rama u shpreh se nëse BE nuk ofron Shqipërinë dhe Kosovën, atëherë ata kanë të drejtën që të bashkohen mes tyre; gjithashtu ngriti “alarmin” se BE duhet të ishte më dashamirëse me Shqipërinë, pasi Rusia, Kina apo Turqia ishin të gatshme të shtrinin ndikimin e tyre në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nëse BE do qëndronte indiferente. Një mënyrë për të anashkaluar problematikat e vërteta, por këtë herë Bashkimi Europian, e veçanërisht Gjermania po i shohin me lupë problemet që po kalon vendi ynë. Katrin Staffler, përfaqësuese e CSU, raportuesja e re për Shqipërinë u shpreh se për të vendosur për hapjen ose jo të negociatave duhet pritur raporti i ri i Komisionit të BE-së për Shqipërinë. “BE-ja nuk është vetëm një treg i përbashkët ose një hapësirë e përbashkët ekonomike. Në radhë të parë ajo është një bashkësi vlerash bazë. Këto janë: shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, disa të drejta themelore që ua garantojmë njerëzve. Dhe unë mendoj se për sa kohë që nuk shohim përparime në këto drejtime, bëjmë mirë të mos flasim për afate kohore, të mos bëjmë asnjë premtim, por të shohim se cilat janë pikat që duhen përmbushur”, – u shpreh Staffler për Deutsche Welle.

 

Deputetët gjermanë në Prishtinë: Jemi kundër shkëmbimit të territoreve

Deputetët e Bundestagut Gjerman, Peter Bayer nga (CDU) dhe Christian Schmidt nga (CSU), të shoqëruar edhe nga ambasadori gjerman Christian Heldt, thanë në Prishtinë se Kosova dhe Serbia, duhet të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, por ata janë kundër këmbimit të territoreve. Këtë ia bënë të qartë Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një takimi që zhvillua ditën e djeshme në Prishtinë. Deputeti nga radhët e CDU-së, Peter Bayer, tha se “Bundestagu gjerman është kundër shkëmbimit të territoreve”. “Ne jemi në vizitë zyrtare, por jemi me miqtë tanë. Biseduam për proceset, nëpër të cilat po kalon Kosova. Kemi folur për dialogun, të cilin e mbështesim mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për temën e këmbimit të territoreve, të cilën Gjermania e kundërshton fuqishëm. Ne do të jemi partner mbështetës i Kosovës për proceset e ardhshme, sigurisht me një sy kritik”, ka thënë deputeti Peter Bayer në një prononcimin të shkurtër për medie, pas takimit me kryeministrin Haradinaj. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputeti tjetër nga radhët e CSU-së, Christian Schmidt, i cili tha: “kushdo që mendon se një ide e tillë mund të jetësohet, e ka gabim, sepse shkëmbimi i territoreve do të krijonte probleme edhe më të mëdha në rajon”. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nga ana e tij, tha se ndihet i privilegjuar për interesimin e Gjermanisë për Kosovën dhe rajonin, ndërsa shtoi se “qeveria e Kosovës, mbetet e angazhuar për të krijuar një ambient të qëndrueshëm paqësor në rajon dhe në bashkëpunim me të gjithë”. Haradinaj, shprehu përkushtimin ndaj procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe angazhimin për arritjen e një marrëveshjeje, që do të rezultojë siç tha “me njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve”.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Monedhat virtuale, nga lehtësitë te rreziqet që krijojnë

Luhatjet e larta të çmimit të Bitcoin e bëjnë atë një mjet...
Read More