Ben Blushi: Negociatat në prag të rrëzimit të “Ramës” nga LSI e PD

ben-blushi4_2Deputetja Mimoza Hafizi e ftuar në Ora News ka deklaruar se kryeministri Edi Rama u ka ofruar post ministror asaj dhe deputetit Ben Blushi për t’i joshur që të mos largohen nga Partia Socialiste.

Hafizi nuk ka përcaktuar se kujt konkretisht iu ofrua posti, por shtoi se kjo ofertë është përbuzur me neveri nga dy deputetët që zyrtarisht nuk janë më pjesë e Partisë Socialiste.

E pyetur se pse socialistët duhet t’i besojnë Blushit dhe Hafizit se ata janë larguar për parime dhe jo për mungesë benefitesh, Hafizi u përgjigj:

“Gjatë korrikut, kur qeveria e zotit Rama ndjeu një farë rreziku, na kanë ofruar poste ministrash, ne e kemi refuzuar me përbuzje…”, -tha ajo.

Hafizi shtoi se nuk ka rëndësi se kujt konkretisht i është ofruar ky post.

“Ose njërit ose të dyve, kjo nuk ka rëndësi. Ne bashkë jemi dhe e vetmja gjë që ne kemi kërkuar për të mbështetur këtë mazhorancë, kemi kërkuar që të kthehen zgjedhjet në PS dhe të kthehet mendimi ndryshe”, -nënvizoi ajo.

Pak ditë më parë, dy deputetët Blushi dhe Hafizi zhvilluan në Muzeun Kombëtar një takim me mbështetësit e tyre.

Në këtë takim, Blushi sqaroi se partia do jetë një forcë e qendrës dhe opozitare. Ajo do të quhet “Lista”.

Ndërkohë mbrëmë në emisionin “Opinion”, deputeti Ben Blushi ka sqaruar se, ai dhe Hafizi nuk mund të rrinin më në një parti që nuk pranon zgjedhjet.

“Referendumi ishte qesharak. Nuk është një rrufe në qiell të pastër sepse në fillim të këtij viti kërkuam zgjedhje brenda partisë por Rilindja mori vendim personal dhe më hoqi të drejtën e garës, kandidimit. Ben Blushit i hiqet e drejta e garës. Kjo ndodhi me mua. Edi Rama është totalisht qesharak se u votua në referendum sikur të ishte çështje…”, -tha Blushi.

Ai mohoi të kishte lidhje largimi i tij me faktin se nuk ishte anëtar në kabinetin qeveritar.

Blushi shigjetoi Ramën edhe për listën e deputetëve.

“Nuk mund të kontestoja Ramën për emrat sepse e vetmja listë që njihja në detaje ishte vetëm lista që drejtoja. Ishte ekskluzivitet i kryetarit të partisë. I ka zgjedhur personalisht…”, -shtoi ai.

Blushi tha gjithashtu se gjatë 2-3 viteve të fundit ai e ka takuar Ramën vetëm dy apo tre here gjithnjë me njerëz të tjerë.

Blushi u pyet edhe për deklaratën e beftë të Hafizit se në muajin korrik atyre u ishin ofruar poste ministrore. Ai nuk pranoi të komentonte direkt këtë propozim, por diçka komentoi.

“Kjo qeveri humbi shumicën në korrik në vigjilje të votimit për Reformën në Drejtësi… Ishin nga 71 vota rreth 63- 64 vota. Pra në vështirësi numrash sigurisht që patën njerëz që erdhën për të më kërkuar votën…”, -tha Blushi duke hedhur edhe hipotezën e përfolur se atë kohë po diskutohej edhe mundësia e një mocioni nga LSI-ja dhe PD-ja.

“I kemi thënë vetëm një gjë, ka vetëm një rrugë që të ktheni zgjedhjet në PS dhe të korrektoni qeverisjen…”, saktësoi ai.

Por si janë sot marrëdhëniet mes Metës dhe Ramës?

“Bashkëjetesa mes Ramës dhe Metës është prishur tashmë, është formale… Meta u kthye sepse kam përshtypjen se LSI-ja është një parti që do të rrijë në pushtet… LSI është ndërmarrje private…”, -tha ai. Blushi nënvizoi gjithashtu se në metodë mes qeverisë së Berishës dhe Ramës nuk ka ndryshim.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Si u falsifikua dosja që ktheu 220 ha tokë në Karaburun

Policia arrestoi dje një avokat dhe një notere në qytetin e Vlorës,...
Read More