Ben Blushi flet për revistën Mapo: Revolucioni im politik

revista-mapo-coverA janë opsione radikale të majta apo diskursi antisistem, ai që propozon partia e re e Ben Blushit?

Në një intervistë për revistën Mapo, të cilën e gjeni në treg, Blushi shpjegon arsyet dhe historinë e tij politike, animin nga e majta dhe divorcin me PS dhe qëndrimet politike të LIBRA-s, një sprovë që ai e krahason me ngjitjen e malit.

“Themelimi i një partie të re politike në Shqipëri ka kohë që nuk është lajm. Në fakt shumë prej partive që themelohen, zhduken aty për aty, pa lënë pas as shenjën me të vogël në jetën politike të vendit. Vetëm në tetor dhe fillim nëntor, dy forca të reja politike bënë përpara. Njëra, një nismë e pavarur e drejtuar nga Gjergj Bojaxhi i cili kandidoi edhe në garën lokale të Tiranës dhe tjetra një forcë e krijuar prej skizmës në Partinë Socialiste. E disata edhe kjo,” shkruan redaktori përgjegjës i revistës Mapo, Vladimir Karaj.

“E megjithatë Ben Blushi nuk kalon kaq lehtë… Ai ishte pasardhësi. Njeriu i dytë për nga profili politik në PS, edhe pse jo aq i fuqishëm në strukturat e saj që dukej se i binden vetëm të parit. Deri vonë, shumë patën parashikuar një tranzicion të PS nga Rama te Blushi, po shumë patën parë se si beteja e këtij të fundit për të postuar kryeministrin zgjati gjatë pa prodhuar dot rezultat tjetër veç ikjes. Tani Blushi është më vete, për të qenë jo trashgmitar, por baba i një krijese të re politike”.

“Kjo është arsyeja pse ai, dhe jo dikush tjetër, është cover i revistës Mapo. Blushi shpalli partinë bashkë me mbështetësen e tij deputeten Mimoza Hafizi dhe qindra përkrahës me gjithë fillimin e paqartë duket se lëvizja i ka shkaktuar dhimbje koke socialistëve që janë rrëgjuar në numrat e tyre në kuvend, vetëm një vit para zgjedhjeve të reja.

Mapo tentoi ndërkohë t’u përgjigjej pyetjeve: Pse një parti e re? Pse tani? Pse Ben Blushi, një nga njerëzit më të rëndësishëm të socialistëve, vendosi të lërë forcën politike ku militonte prej dy dekadash dhe të ndërmarrë një sprovë që ai e krahason me ngjitjen e malit. Në intervistë Blushi shpjegon arsyet dhe historinë e tij politike, divorcin me PS dhe Ramën me të cilin dikur kanë qenë miq. Madje flet edhe për “njerëzit e Koha Jonë”, që dikur ishin bashkë e tani janë vendosur në pozicione politike të ndryshme deri “armiqësore”. Partia e re po përkundet në djepin e të majtës, ndonjëherë edhe i një të majte ekstreme dhe jo fort të pëlqyeshme, por Blushi i fton të gjithë brenda saj edhe pse ftesa mund të ngjajë revolucionare. 

Mapo e lexoi “LIBRA-n” si anagrama politike e Blushit jo pa qëllim. Ai është një projekt politik i sapo nisur dhe megjithëse i qartë për atë që kërkon të arrijë: “shembjen e sistemit të dy partive të mëdha” është e paqartë ende se si do ta arrijë”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Reforma në Drejtësi: Publikohet kalendari, nuk përfshihen në seancë 7 projektligjet

Kuvendi ka publikuar  programin e punës për pjesën e mbetur të këtij...
Read More