Bashkim Dedja bie në Apel: Vetingu rrëzon edhe kreun e Gjykatës Kushtetuese

Kolegji i Apelimit shkarkon nga detyra Kryetarin e Kushtetueses, Bashkim Dedja.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) arriti në konkluzionin se Dedja nuk arrin nivel të besueshëm të pasurive. Vlerësohet se ka pasaktësi mes deklaratës për vetingun dhe asaj vjetore, si dhe nuk ka shpjeguar të ardhurat.

Vendimi u mor pak çaste më parë, ndërsa Kolegji arsyetoi se subjekti ka pronësi më të madhe sesa mund ta justifikojë dhe ka mungesë burimesh financiare. Gjithashtu KPA ka gjetur pasaktësi në deklarimin e Dedjas sa i takon një apartamenti në Golem dhe një në Tiranë. Trupi gjykues, i caktuar me short, kryesohej nga Ardian Hajdari, me relator Luan Dacin si edhe anëtarë: Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz.

Kryegjykatësi kushtetues Bashkim Dedja e kaloi me sukses testin e vetingut në shkallën e parë. Por vendimi i Komisionit të Pavarur të kualifikimit u ankimua nga Komisioneri Publik si edhe nga ONM.

**************************

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashiim Dedja. KPA ka rrëzuar në këtë mënyrë vendimin e dhënë pak kohë më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që kishte dhënë ok-in për vijimin e detyrës nga Bashkim Dedja.

Një apartament me sipërfaqe 98 metra katrorë në Tiranë, i blerë në vitin 1997 për gati 20 mijë dollarë dhe një apartament i dytë me sipërfaqe 146 metra katrorë me vlerë 168 mijë euro, blerë në vitin 2013, ishin shkaqet kryesore të ankimimit të firmosur nga Komisioneri Publik, Darjel Sina.

Dedja e ka deklaruar apartamentin e parë të paguar me këste prej tij dhe vëllait të tij emigrant në deklaratën e parë të pasurisë të bërë në vitin 2003 ndërsa në deklaratën-veting apartamenti është deklaruar nën pronësinë e vetë gjykatësit.

Dedja ka shpjeguar para komisionit se paratë për blerjen e apartamentit në vitin 1997 ishin pjesërisht nga kursimet e tij dhe pjesërisht me ndihmën e të vëllait emigrant në Greqi, por kontrata e blerjes së pasurisë është bërë vetëm në emër të gjyqtarit. Më pas, sipas shpjegimeve të tij, i vëllai u stabilizua në shtetin grek me dokumente të rregullta dhe prona i mbeti të vëllait.

Shpjegimet e tij ndanë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku dy komisionerë i konsideruan ato të mjaftueshme, ndërsa njëra i konsideroi të pamjaftueshme. Sipas anëtarëve të shumicës së trupës gjykuese, nuk është e mundur të kërkohen dokumente për një shumë parash të fituar nga një emigrant i paligjshëm në vitet 1990.

Por Komisioneri Publik, Sina mendon se ecuria e kontratës së apartamentit dhe të ardhurat e pakta të një gjyqtari shqiptar nga paga në ato vite e vinin kryetarin e Gjykatës Kushtetuese në pamundësi financiare për të paguar apartamentin.

Dedja kishte të ardhura prej vetëm 510 mijë lekësh në tre vitet 1994-1996 ndërsa kësti i parë i apartamentit i kushtoi 588 mijë lekë.

Ndërsa Dedja deklaron pagesë me këste përgjatë disa viteve, kontrata e blerjes së apartamentit parashikon pagesën e plotë deri në çastin e kolaudimit të apartamentit, në korrik 1997. Komisioneri Sina argumenton se nuk është e mundur të vlerësohet ecuria e të gjitha pagesave për një ngjarje të zhvilluar shumë kohë më parë, por sa i përket pagesës së këstit të parë prej 588 mijë lekësh, argumenti i tij është se kjo dukshëm ishte një shumë përtej mundësive ekonomike të subjektit për atë kohë.

Por problemet e gjyqtarit kushtetues vijojnë me një apartament të blerë në vitin 2013 me vlerë 168 mijë euro dhe një garazh me vlerë 12 mijë euro. Dedja, i cili punon si gjyqtar që nga viti 1993, thotë se e financoi blerjen e apartamentit pjesërisht me kredi, pjesërisht me kursime dhe pjesërisht me dy hua pa interes nga persona të lidhur. Nga BKT Dedja mori një kredi prej 16.8 milionë lekësh ndërsa pjesa tjetër u pagua me hua nga persona të lidhur në masën 25 mijë euro dhe nga kursimet e veta. Komisioneri Sina vlerëson se huatë me persona të lidhura nuk mund të justifikohen.

Problemi tjetër i vërejtur nga Komisioneri Publik është që regjistrimi i apartamentit është bërë në nëntor 2013, rreth një muaj para disbursimit të kredisë bankare.

Sidoqoftë, pikëpyetjet më të mëdha lidhen me huatë pa interes të dhëna nga personat e lidhur me gjyqtarin, emigranti në Greqi dhe emigranti në Itali. Subjekti ka dorëzuar deklarata noteriale për huatë. Sipas komisionerit Sina, të dy subjektet huadhënëse duhej të justifikonin me dokumente ligjore disponimin e shumave të huadhënies nga marrëdhëniet e tyre të punës respektivisht në Greqi dhe në Itali. Dy nga tre anëtarët e KPK-së kanë arsyetuar në vendimin e tyre se të ardhurat e krijuara në emigracion nuk bien kriterin kushtetues të të ardhurave që duhet të justifikohen me burime të ligjshme dhe me tatime të paguara për shkak se janë krijuar jashtë Republikës së Shqipërisë.

Komisioneri Sina nga ana e tij argumenton të kundërtën që edhe të ardhurat në emigracion duhet të justifikohen me dokumente nga autoritetet fiskale përkatëse. Por Sina argumenton gjithashtu se vëllai emigrant në Greqi figuron ndihmues për Gjyqtarin Dedja në më shumë se një rast.

“Sipas dokumentacionit të administruar në fashikullin e Komisionit, vërejmë se personi tjetër i lidhur **, ka kontribuar në disa pasuri në Shqipëri, herë veçmas dhe herë në pronësi,” vëren Sina.

“…është e kuptueshme se ** i subjektit ka investuar në Shqipëri gati 10.355.540 Lekë. Madje figuron se në vitin 2014, ka marrë kredi pranë ***** në shumën 25.000 euro, ndërkohe që i kishte dhënë të ***, subjektit të rivlerësimit, hua pa interes në shumën 15.000 euro,” vijon argumentimi, duke kërkuar shpalljen e subjektit të lidhur në paaftësi paguese për kontributet për të vëllain.

Llogaritjet nga Komisioneri Publik i të ardhurave dhe shpenzimeve të gjyqtarit nxjerrin shpenzime të pambuluara me të ardhura të ligjshme edhe për vitet 2011 dhe 2015.

“Në vitin 2014, rezulton një diferencë e pambuluar prej 481,000 lekë. Në këtë vit subjekti dhe bashkëshortja kanë gjendje në bankë shumën 454,796 lekë, kanë kryer pagesa për shkollim, mobilim, paguar këst kredie dhe shpenzime të nevojshme jetësore, të cilat nuk i mbulon me të ardhurat e ligjshme”, shkruan komisioneri.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vrasja misterioze e motrës së ‘mbretit të prostitucionit’ në Ballkan, çfarë ndodhi 19 vjet më parë?

I njohur si mbreti i prostitucionit në Ballkan, Dilaver Bojku u vra...
Read More