fbpx

Kryesore

Bashkëqeverisja si provë e mosqeverisjes!





               Publikuar në : 09:18 - 20/11/18 |
mapo.al

Nga Gentian Kaprata


Shqipëria “udhëhiqet” nga dy qeverisje në të njëjtën kohë! Nuk ka një qeveri në dritë të mazhorancës, dhe një qeveri në hije të opozitës, sikurse kujtdo do t’i shkonte mendja nëse dëgjonte këtë pohim. Është praktikë e njohur në vendet demokratike që; përveç qeverisjes së drejtuar nga Kryeministri i votuar nga populli dhe i përbërë nga ministra, të përzgjedhur nga Kryeministri, të dekretuar nga Presidenti dhe të votuar në Kuvend; të ekzistojë edhe një qeveri hije e opozitës. Ajo nuk ka asnjë mandat të asnjë lloji nga sovrani (votuesit), përcaktohet nga vetë opozita, dhe roli i saj është opozitarizmi sipas tematikës. Që do të thotë se, sipas sektorëve dhe tematikave që mbulon në parti, ‘ministri hije’ formëson një ekip teknik e politik, dhe në drejtim të këtij ekipi, ai u bën opozitë politikave qeverisëse për sektorin që mbulon. Të gjithë së bashku krijojnë ‘qeverinë hije’ dhe opozitarizmi i tyre formëson projeksionin e ‘qeverisjes së nesërme’!



Kështu, sovrani krijon një pamje të qartë mbi qasjet partiake për çështjet që atë vetë e shqetësojnë, dhe mbi këtë pamje krijon bindje krahasuese midis qeverisjes aktuale dhe asaj potenciale. Në zotërim të kësaj bindjeje, sovrani reagon politikisht; nga dakordësimi me qeverisjen që ka, deri tek organizimi i protestave masive me synim zëvendësimin e parakohshëm të qeverisjes aktuale me qeverisjen potenciale. Mirëpo, kështu ndodh në perëndim, sepse në Shqipëri të dyja janë qeverisje të Rilindjes! Është qeverisja Kushtetuese e Rilindjes që organizohet e funksionon në bazë të Ligjit 9000/2003. Është, gjithashtu, edhe struktura paralele e bashkëqeverisjes që organizohet e funksionon në bazë të VKM-së 638/2017! Kështu, Shqipëria është i vetmi shtet në botë, përgjatë gjithë kohërave ku shoqëritë janë organizuar në formën e një shteti, në të cilin edhe strukturat qeverisëse edhe strukturat paralele drejtohen nga i njëjti person, Kryeministri Rama! Përtej dimensionit qesharak e antikushtetues, projekti kryeministror i bashkëqeverisjes dëshmon dhe provon, në një nivel ekzistencial, mosqeverisjen. Këtu mund të rreshtonim arsyetime pafund, por do ndalemi vetëm në pak prej tyre.


Së pari është pyetja; pse i njëjti zyrtari e “zgjidh” çështjen apo problematikën kur ngrihet nga strukturat e ‘qeverisjes paralele’ dhe jo nga strukturat e ‘qeverisjes kushtetuese’?! Në fund të fundit, çështjet dhe problematikat qytetare që kanë lidhje me qeverisjen, marrin kuptim ligjor dhe zgjidhje praktike vetëm nëse një zyrtar i qeverisjes kushtetuese nënshkruan një dokument shtetëror brenda të cilit çështja është përcaktuar në përputhje me kërkesën e qytetarit. Në këtë kuptim, zgjidhja e çështjes nga i njëjti zyrtar i qeverisë kushtetuese sipas procedurave të qeverisë paralele, por jo sipas procedurave administrative të qeverisjes kushtetuese, është dëshmi e pakundërshtueshme e mosqeverisjes. Sepse dy janë shkaqet potenciale të këtij përfundimi, ose administrata është gjendur në presion partiak dhe ka dhënë një zgjidhje të pëlqyeshme për qytetarin por joligjore, ose vetë administrata e ka penguar një zgjidhje të pëlqyeshme për qytetarin dhe ligjore në të njëjtën kohë, me synim mitmarrjen.

Të dyja këto mundësi të drejtojnë te keqqeverisja, e cila mund të argumentohet edhe me një arsyetim të dytë. Arsyetim që lind nga pyetja, pse trajtohen kërkesa individuale dhe specifike dhe nuk ndërtohen sisteme qeverisëse që zgjidhin problematikat qytetare? Nëse ndjekim shfaqjet e bashkëqeverisjes dhe tipologjitë e çështjeve që trajtohen aty, do kuptojmë se ato me lehtësi mund të grupohen në tre-katër grupe; çështje varfërie e papunësie, çështje pronësie apo çështje legalizimi. Dhe një qeverisje e mirë, në ndryshim nga një keqqeverisje, pasi i grupon shqetësimet qytetare, ndërton politikat, ligjet apo administratat e duhura për adresimin e tyre. Ekzaktësisht në të kundërt të asaj që propagandon për një përfshirje të qytetarëve në qeverisje, bashkëqeverisja vetëm thellon hendekun midis qeverisë kushtetuese dhe qytetarit. Jo vetëm se iu prezanton qytetarëve një rrugë të ndryshme nga ajo kushtetuese për të adresuar çështjet e veta, as sepse i atomizon çështjet duke i kthyer në individuale, por edhe sepse përjashton pjesën tjetër të qytetarëve.

Përveç dy a tre që gjejnë zgjidhje në shfaqet artistike të bashkëqeverisjes, a di qeveria e bashkëqeverisjes të na thotë çfarë ndodh me qytetarët e tjerë? Takimet rajonale janë një atentat ndaj autonomisë lokale. Qarqet dhe bashkitë po pushkatohen në oborr të shtëpisë së vet. Qarqet janë harruar që ekzistojnë, prej vitesh tashmë nuk dëgjojmë as të flitet për to. Kurse bashkitë janë duke ju lëpirë apo qurravitur (sipas përkatësisë së tyre partiake) qeverisë kushtetuese për para publike, ndërsa funksionet e tyre po bën sikur po i ushtron qeveria paralele e bashkëqeverisjes.


Etiketa: , , ,

Pas