Op Ed

Basha te Trump, jo si djali plëngprishës





               Publikuar në : 09:28 - 17/01/17 |
mapo.al

Ndricim KullaNga Ndriçim Kulla*


Kryetari i opozitës do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit amerikan Donald Trump. Ndriçim Kulla shkruan se Basha po shkon te republikanët që janë miqtë tradicionalë, pavarësisht se nuk mori pjesë në konventën e tyre, por në atë të demokratëve.



Në pamje të parë, prania e Lulzim Bashës në Washington, në 20 janar, në ceremoninë për marrjen e detyrës nga Presidenti i zgjedhur Trump, duke pasur parasysh marrëdhëniet preferenciale që PD ka pasur me republikanët amerikanë, mund të duket si rikthimi i djalit plëngprishës. Këtu kam parasysh që në fushatën zgjedhore amerikane, vitin e kaluar, Basha mori pjesë në konventën e demokratëve amerikanë që shpalli zonjën Clinton si kandidate në zgjedhjet presidenciale.


Një politikan, aq më tepër opozitar, si Basha, nuk do të kishte interes që të bënte një shkëputje kaq të madhe nga tradita e partisë së tij, në marrëdhëniet me palët politike në SHBA, në qoftë se kjo nuk do të bëhej në një situatë të jashtëzakonshme, për shkaqe madhore. Këtu nuk kam parasysh detyrimin që shqiptarët kanë ndaj familjes Clinton për çlirimin e Kosovës, por diçka tjetër. Këto zgjedhje presidenciale amerikane kanë qenë shumë të ndryshme, nga ato që kemi parë deri më sot, që nga koha e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në 1991.

Në vende të vogla si Shqipëria, disa fenomene që ndodhin në SHBA, reflektohen në veprimtarinë e përfaqësive diplomatike amerikane përkatëse në mënyrë shumë më të dukshme se në vendet e mëdha. Që në pranverën e vitit zgjedhor, kur u duk se Trump-i kishte shanse që të dilte si kandidati republikan, neve këtu në Shqipëri na u krijua përshtypja se shteti amerikan ishte kundër Trump. Si? Kur Kryeministri Rama bëri disa deklarata të njëpasnjëshme se Trump ishte rrezik për botën, ambasada amerikane në Tiranë heshti, heshti çuditërisht, duke mos bërë as reagimin minimal që t’i tërhiqte vëmendjen për këtë ndërhyrje në zgjedhjet amerikane dhe nëpërkëmbje të vullnetit të zgjedhësve amerikanë, kundër njërit prej kandidatëve që teorikisht disa muaj më pas mund të ishte shefi i diplomatëve amerikanë në Tiranë.

Ky qëndrim i ambasadës do ta bënte mirë të mendohej atë politikan shqiptar që kishte ndërmend të bënte diçka që mund t’i interpretohej si shenjë simpatie ndaj Trump-it. Për ta thënë troç, u krijua një frymë anti-Trump, e nxitur ndoshta edhe nga heshtja dhe mosreagimi i ambasadës amerikane në Tiranë, minimalisht me mosreagimin e saj ndaj deklaratave të Kryeministrit Rama kundër Trump-it, por edhe nga disa qëndrime mediatike. Duke pasur parasysh peshën e madhe që ka ambasada amerikane në Shqipëri, heshtja e saj në këtë rast, ishte baras sikur ambasada të lëshonte një komunikatë zyrtare: “O burra, bjerini Trump-it sa të mundni!”

Z.Basha në një deklarim publik të kohëve të fundit e justifikoi mospjesëmarrjen me axhendën e ngjeshur të momenteve finale të Reformës në Drejtësi, për të cilën u punua fort më shumë se një vit. Por prishja e neutralitetit në atmosferën politiko-shoqërore në Shqipëri, në lidhje me kandidatët presidencial në Amerikë duhet të ketë qenë një arsye shumë e fortë.

Në një situatë të tillë, pjesëmarrja në konventën që do të shpallte kandidaturën e Trump, nga ana e kryetarit të opozitës, do të ishte baras me një sfidë ndaj shtetit amerikan. Asnjë politikan i një vendi të vogël nuk i bën një sfidë të tillë vendit më të fuqishëm të botës. Unë mendoj se është e pamundur, që kryetari i opozitës shqiptare, duke qenë njëkohësisht edhe kryetari i një partie me marrëdhënie preferenciale me republikanët amerikanë, të ishte në dilemë për të shkuar ose jo në konventën republikane amerikane. Por për cilindo që i ka ndjekur zhvillimet politike në Shqipëri në atë kohë është e qartë ajo heshtje e atyre njerëzve në ambasadën amerikane në Tiranë, të cilët për të mos thënë e nxitën frymën anti-Trump në Shqipëri, nuk e refuzuan atë frymë qe kishte si protagonist të hapur kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama.

Gjykimi im personal është se ai që ka vepruar si ambasador politik në Shqipëri, duke qenë pjesë e shërbimit diplomatik amerikan, duhet të gjejë ndershmërinë profesionale dhe qytetarinë për ta ndjerë thirrjen që Presidenti i zgjedhur Trump iu ka bërë ambasadorëve të emëruar politikisht nga paraardhësi i tij, që së paku për hir të marrëdhënieve speciale ndërmjet popullit amerikan dhe popullit shqiptar të japë një shpjegim publik pse ka ndodhur kjo heshtje dhe ky tolerim për këtë ndërhyrje aspak diplomatike dhe aspak normale në marrëdhëniet ndërmjet mes dy vendeve? Mendoj se nuk mund të gjesh më kuptim që Presidentin Trump ta përfaqësojë në Shqipëri (ambasadorët janë përfaqësues të kryetarit të shtetit), ata që heshtën kur kryeministri shqiptar e bëri si sport që të tallej me Trump-in kandidat presidencial deri në CNN .

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të ndërtuara mbi themele solide, historike por edhe njerëzore dhe nuk mund të preken nga incidente të tilla. Por kjo nuk do të thotë se duhen toleruar precedentët e këqij. Në qoftë se ka precedentë të këqij në këto marrëdhënie dypalëshe, këta janë të njëanshëm dhe kanë ardhur përgjithësisht nga papjekuria politike ose etja për pushtet e liderëve shqiptarë të kohërave të ndryshme. Karriera e një ambasadori është shumë e parëndësishme kur është fjala që të vazhdojë me çmimin e krijimit të një precedenti të keq në marrëdhëniet dypalëshe, në vendin ku ai është akredituar.

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kanë njohur një plejadë ambasadorësh amerikanë në Shqipëri, të cilët në përgjithësi kanë qenë profesionalisht mbi nivelin e rëndësisë që ka Shqipëria si një vend i vogël, dhe kjo staturë e tyre është normale për shkak të specifikës që kanë marrëdhëniet mes dy vendeve. Kjo orkestër e shkëlqyer nuk ka arsye pse të marrë koston e një stonimi kaq flagrant. Z. Lu do mjaftohet duke lënë pas në Shqipëri emrin e mirë që bëri si ambasador shqipfolës, por edhe shqiptardashës, gjë për të cilën meriton respekt dhe mirënjohje edhe përtej mandatit të tij.

Sidoqoftë, nuk ka asnjë shkak që Lulzim Basha të ketë kompleksin e djalit plëngprishës ndaj Trump, duke pasur parasysh se Anti-trumpizmi dukej se u bë qëndrimi zyrtar i ambasadës amerikane në Tiranë, deri të nesërmen e zgjedhjeve presidenciale në këtë vend. Në qoftë se z. Basha nuk do të kishte shkuar në konventën republikane në rrethana normale, ai do të kishte bërë një gabim të madh. Por ai si përfaqësues i opozitës u privua nga kjo e drejtë që ishte njëherësh edhe detyrim i tij, për fajin e dikujt që kishte si detyrë zyrtare që të kujdesej që në Shqipëri Amerika të shfaqte një tjetër imazh në këtë rast, të cilin ai duhej ta mbronte nga çdo deformim, gjë që nuk e bëri aspak.

Në qoftë se z. Lu do të sillej sipas etikës së Etërve Themelues të SHBA, ai do t’i kërkonte falje opozitës që me qëndrimin e tij indirekt e pengoi përfaqësuesin e saj të merrte pjesë në konventën republikane amerikane ku do të shpallej kandidatura e z. Trump. Dhe mbi të gjitha, z. Lu duhet që së paku t’ i kërkonte falje Presidentit të tij të ri, z. Trump që ende hesht në suazën mbrojtëse të statusit të tij si anëtar i shërbimit diplomatik, duke mos dhënë asnjë shpjegim publikisht për mos mbrojtjen e kandidaturës së z .Trump.

*Publicist



CLOSE
CLOSE
Pas