Balluku u kërkoi kinezëve të heqin flamujt, Rama u thotë t’i shtojnë

 

Sulmet më të ashpra ndaj koncesionarit kinez që ka Aeroportin e Rinasit, pas grabitjes me armë në pistën e avionit, 4 ditë më parë, i bëri Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ajo jo vetëm nxori përgjegjëse kompaninë kineze, por në fjalimin që mbajti, shkoi pak më larg. Edhe etiketimi, kinezet, pra duke mos përmendur emrin e firmës por kombësinë e saj, ngjante aspak miqësor, madje agresiv.

Po kulmi arriti kur përmendi flamujt, simbolin e tyre kombëtar. Gati me një lloj bezdisjeje, ajo tha se kinezët tundin flamujt në Rinas, dhe të duket vetja sikur je në Pekin, e jo në Tiranë. Ky qendrim nuk ishte aspak diplomatik, por gati një sulm i drejtpërdrejtë, pa doreza. Me siguri, fjalori i përdorur nga Balluku është mbajtur shënim, dhe mund të ketë ngritur shqetësime.

Ish-Ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj, në një analizë të ngjarjes, u shpreh dje se mbajtja e flamujve është një gjë normale që ndodh kudo. Aty ku një biznes i huaj ka zyrën, është në të drejtën e tij të mbajë simbolin kombëtar, u shpreh ai.

Sot, kryeministri mesa duket ka gjetur rastin ta korigjojë deklaratën e thartë të ministres së tij. Ai në një farë mënyrë, u ka kërkuar kinezëve, jo ti heqin, por t’i shtojnë flamujt e tyre në Shqipëri.

“Shqipëria në mënyrë aktive mbështet projekte bashkëpunimi me Kinën dhe shpreson të zgjerojë eksportin e produkteve bujqësore në Kinë”, është deklarata e Edi Ramës, e shpërndarë sot në media, pas takimit që ka patur me kryeministrin kinez në Dubrovnik. Projekte bashkëpunimi, do të thotë biznes, do të thotë ndoshta koncesione të tjera, pra flamujt të rinj.

Dy qëndrime të ndryshme në harkun kohor të 24 orëve, nuk flasin për seriozitet dhe profesionalizëm. Ose ka mungesë kordinimi, dhe Balluku ka mbajtur një qëndrim të pakonsultur, ose nervozizmi në qeveri është aq i madh pas ngjarjes së Rinasit e shumë të tjerave, sa emocionet nuk kontrollohen më dhe kostot pastaj të daljes së tyre në publik kërkojnë shumë mund për tu amortizuar.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rusia nis stërvitjen më të madhe pas Luftës së Ftohtë

    Rusia nisi sot stërvitjen masive ushtarake me rreth 300 mijë...
Read More