Arnime në Kod: Si dështoi Reforma Zgjedhore

votime7 muaj para zgjedhjeve, tensionit politik mes palëve, do t’i shtohet edhe mungesa e një legjislacioni më të mirë që të paktën në letër të garantonte një hap para drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pse dështuan çështjet kryesore të votimit elektronik, listave të hapura, votimi i emigrantëve dhe depolitizimi i komisioneve dhe e kush e ka fajin për këtë?

Nga Fejzi Braushi

Pothuaj një vit nga krijimi, produkti i komisionit të reformës zgjedhore është zero, duke dështuar të përmbushë qëllimin për të cilin u krijua dhe duke vënë në dyshim vullnetin e palëve për të eliminuar parregullsitë e zgjedhjeve të mëparshme. I mbledhur vetëm njëherë për konstituimin e tij dhe në garë me afatet ligjore, (6 muaj para zgjedhjeve nuk bëhen ndryshime në Kod), komisioni pritet të bëjë vetëm disa arnime jodomethënëse, kryesisht korrektime dhe përshtatje me të rejat që ka sjellë reforma territoriale.

Këtë e pranon edhe kryetari i ri i KQZ, Denar Biba, i cili dyshon se ka kohë për të bërë ndryshime të mëdha në Kod. “Dyshoj se do kemi kohë për ndryshime të karakterit makro. Besoj se do të ketë vetëm ndryshime në mikro”, shprehet ai, duke shtuar se “mbetet pak a shumë të ndodhë ajo çka pritet, të bëhet ndryshim në respekt të atyre rekomandimeve që ka propozuar OSBE/ODHIR në zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2015”.

Por për shoqërinë civile çdo gjë varet nga vullneti politik për të realizuar një pjesë të nevojave që shtrohen për zgjidhje nga kjo reformë. Eksperti i zgjedhjeve, Kristaq Kume gjykon se mbetet në vullnetin e forcave politike për të bërë ndryshimet e nevojshme për ato çështje për të cilat ende lejon koha që të realizohen. “Praktika ndërkombëtare përcakton se ndryshimet e lejueshme ligjore mund të bëhen deri në 6 muaj para, ndaj mendoj se deri në dhjetor mund të bëhen ende gjëra të vlefshme”, -u shpreh Kume.

Ndërsa dy bashkëkryetarët e komisionit të Reformës Zgjedhore, Taulant Balla dhe Oerd Bylykbashi të kontaktuar nga MAPO nuk preferuan t’iu përgjigjen pyetjeve për dështimin e komisionit për të gjitha ato që konsiderohen si çështje të mëdha të zgjedhjeve.

Loja me votimin elektronik

Përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, shmangia e mundësive për blerjen e votave me paratë e krimit të organizuar dhe drogës, forcimi i politikës penale për krimet zgjedhore ishin disa nga kërkesat kryesore që opozita artikuloi që në fillim të këtij viti për këtë reformë. Teknologjia ishte kryekërkesa, por interesi ishte i njëanshëm, pasi mazhoranca s’kishte vullnet për t’u marrë me këtë çështje, ndërsa i mëshoi fort vetëm Reformës në Drejtësi. Demokratët do ta shpallnin votimin elektronik si kusht për votën e tyre për Reformën në Drejtësi. Por, pavarësisht kësaj Reforma në Drejtësi la në hije reformën elektorale dhe për rrjedhojë kërkesa për përdorimin e teknologjisë në votim doli jashtë kohe, pasi tashmë ishte e pamundur që një kërkesë e tillë të bëhet realitet. Përveç mungesës së kohës, të dyja partitë e mëdha e dinë shumë mirë se votimidhe numërimi elektronik ka vështirësi në terrenin shqiptar për shkak të numrit të madh të partive politike që janë në fletën e votimit. PD në heshtje, hoqi dorë gradualisht nga një kërkesë e tillë, pavarësisht se e konsideroi atë shumë të rëndësishme.

Financimi dhe depolitizimi

Financimi i partive në fushatat elektorale vetëm me paratë e buxhetit të shtetit, – kërkesë tjetër e PD, – si mënyra e vetme për të shmangur paratë e pista në zgjedhje, jo vetëm që nuk është diskutuar asnjëherë seriozisht, por edhe ka marrë tashmë refuzimin e socialistëve, të cilët e konsideruan të papranueshme. “Shqipëria nuk duhet të bëjë përjashtim nga financimi qoftë nga buxheti i shtetit, qoftë nga sponsorët”, -tha atëkohë, Taulant Balla. Ndërsa socialistët për kundërpeshë të kërkesave të opozitës paraqitën propozime, të cilat duken më shumë si populiste se sa të mundshme. E para, ka të bëjë me votën e emigrantëve. Bashkëkryetari i komisionit, Balla ka këmbëngulur në këtë pikë, por pa bërë të ditur nëse ajo mund të realizohet për zgjedhjet e ardhshme. Ajo që ka theksuar Balla është qëndrimi kundër i opozitës, pavarësisht se kjo e fundit nuk e ka artikuluar asnjëherë publikisht një gjë të tillë. Një tjetër propozim i PS është edhe depolitizimi i procesit të administrimit zgjedhor, çka në fakt përbën sërish një sfidë gati të parealizueshme për këto zgjedhje, për kohën e pamjaftueshme, jo vetëm për të gjetur njerëzit e duhur që do të angazhoheshin, por edhe për t’i trajnuar. E fundit çështje që mbeti pa adresim ishte ai i listave të hapura. I ardhur nga LSI e partitë e vogla deri më tani kjo ka qenë e vetmja pikë ku të dyja partitë e mëdha kanë pasur të njëjtin qëndrim për ta refuzuar atë, duke u justifikuar se për këto kërkohen ndryshime kushtetuese.

Por edhe pse asnjë nga këto pesë çështje nuk do të realizohet, kreu i KQZ është optimist kur shprehet se “kjo nuk do pengojë realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme sipas të gjitha parimeve ndërkombëtare. Ne kemi një ligj të mirë. Si në raportin e 2013 edhe në 2015, OSBE/ODHIR e ka thënë shprehimisht, që legjislacioni shqiptar mbi zgjedhjet siguron zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Ndërsa eksperti Kristaq Kume shpreson ende se do të ndërtohet një ngrehinë ligjore që do të bëjë të pamundur “atë nga e cila shoqëria jonë kërcënohet sot: Kapja e sistemit dhe procesit zgjedhor nga bota e krimit, për pasojë kapja e pushtetit”.

 

Pesë pikat e parealizuara për zgjedhjet

  1. Përdorimi i teknologjisë në zgjedhje. Votim elektronik nëpërmjet një sistemi kompjuterik ku qytetarët të votojnë nëpërmjet shenjave të gishtërinjve, duke shmangur votimin me karta identiteti.
  2. Financimi i partive për fushatë zgjedhore vetëm nëpërmjet fondeve të buxhetit të shtetit, si mënyra më e mirë për të shmangur financimet nga paratë e pista duke sjellë pabarazi në garë.
  3. Votimi i emigrantëve në vendet ku jetojnë, nëpërmjet votimit në ambasada ose nëpërmjet votimit me postë.
  4. Depolitizimi i administrimit të procesit zgjedhor, duke përfshirë mësues dhe juristë në KQV dhe KZAZ.
  5. Aplikimi i listave të hapura të kandidatëve ku votuesi të ketë mundësi të përzgjedhë kandidatin që dëshiron‎.
Shkruar Nga
More from revista mapo

Dëshmia e plotë e Anisës: Shukriu më kërkoi lidhje sekrete

“Pasi u prezantuam, kryetari i Bashkisë, Shukri Xhelili më pyeti nëse isha...
Read More