Arjan Dyrmishi: SPAK do i japë efektet pas një viti

Flet për gazetën Mapo, Arjan Dyrmishi, drejtori i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes

Reforma në Drejtësi ka nisur të marrë formësim, pas dy vitesh që nga momenti i ashtuquajtur “historik” kur 140 deputetë të Parlamentit votuan pro ndryshimeve kushtetuese. Tashmë kemi të ngritur KLGJ dhe KLP, dy institucione që i hapin rrugën krijimit të SPAK e BKH, si do e konsideroni procesin e vettingut në tërësi, ndërsa janë zgjedhur edhe gjyqtarë e prokurorë që përfaqësojnë KLGJ dhe KLP. Pavarësisht optimizmit, vonesat në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të listës prioritare mbajtën “peng” sistemin në tërësi, përse kjo vonesë? Si do i gjykoni emrat e përzgjedhur në aspektin profesional dhe integritetit?

Procesi i vetingut rezultoi i domosdoshëm për shkak të përhapjes së korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe rezultatet e deri tanishme të procesit e vërtetojnë këtë. Megjithatë, për shkaqe të vetëkuptueshme që lidhen me ngritjen e kapaciteteve të organeve për kryerjen e vetingut dhe procedurave komplekse të procesit, nga pikëpamja sasiore dhe kohore, rezultatet e deritanishme kanë qenë jo ato të parashikuara. Për pasojë, nga muaji Prill 2017, kohë kur ishte parashikuar ngritja e KLGJ dhe KLP, ato u ngritën me rreth 20 muaj vonesë, pra në dhjetor 2018.

Për sa i përket personave të zgjedhur kam prirjen që të besoj te profesionalizmi dhe integriteti i tyre. Kjo pasi për shkak se proceset ishin konkurruese, transparente dhe të hapura dhe për pasojë rezultatet e marra nga procese të tilla gjithmonë kanë prirje të shkojnë drejt optimumit. Praktikat dhe eksperienca që do të krijojnë këto institucione do të bëjnë që në të ardhmen të filtrohen edhe më mirë kualitetet njerëzore që do të synojnë këto pozicione.

Publiku i gjerë shqiptar dhe jo vetëm (përfshi edhe ndërkombëtarët), presin efektet e para të reformës së re të drejtësisë, nga analiza juaj, kur mendoni se do jenë formësuar institucionet e reja? Për vendin tonë nuk konsiderohet vetëm një “erë e re në drejtësi”, por është një kauzë e fortë edhe për integrimin e vendit në strukturat Europiane. Sa do ndikojë reformimi i drejtësisë në aspektin gjeopolitik të vendit? Kujtojmë që ka patur dhe ka një angazhim të fortë ndërkombëtar, SHBA dhe BE në këtë çështje.

Për sa u përket institucioneve, Reforma në Drejtësi parashikon dy komponentë: reformimin e institucioneve ekzistuese të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, dhe me ngritjen e KLGJ dhe KLP, ky proces është drejt përfundimit, dhe ngritjen e institucioneve të reja Gjykatave të Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe SPAK. Për shkak të rolit të tyre kyç në ngritjen e Gjykatave dhe SPAK, krijimi i KLGJ dhe KLP shënon një hap të rëndësishëm pasi hapi i ardhshëm është emërimi i Gjykatësve dhe Prokurorëve në strukturat e posaçme respektive. Ndërkohe që për Gjykatat e posaçme parashikohet që gjyqtarët aktualë të Gjykatës së Krimeve të Rënda të emërohen automatikisht dhe t’i nënshtrohen procesit të vetingut njëkohësisht me ushtrimin e detyrës së re, e kundërta do të jetë me prokurorët e SPAK. Këta të fundit do të duhet që më parë të kenë kaluar procesin e vetingut për vete dhe familjarët në mënyrë që të emërohen në detyrën e re. Për pasojë, përsëri ecuria e fillimit të ngritjes se SPAK do të jetë e lidhur me ecurinë e procesit të vetingut. Më tej, me emërimin e Gjykatësve dhe Prokurorëve, sfidë do të jetë ngritja e kapaciteteve administrative të Gjykatave dhe SPAK. Për këtë është e vështirë të parashikohet një kalendar i qartë kohor por mendoj se do të duhet ndoshta një vit nga koha kur SPAK do të jetë në gjendje të trajtojë dosjen e parë hetimore.

Që në fillesat e saj, Reforma në Drejtësi është mbështetur dhe nxitur nga BE dhe SHBA, të cilat të preokupuara nga shkalla e lartë e korrupsionit në vend dhe pasojat negative të tij në zhvillimin ekonomik dhe social, janë tepër të vëmendshme ndaj ecurisë së procesit. Reforma në drejtësi, dhe në veçanti ngritja e Gjykatave të Posaçme dhe SPAK shihen si kritere kryesore vlerësimi për ecurinë e Shqipërisë drejt hapjes së negociatave.

Duke u ndalur te SPAK dhe BKH, a janë të kushtëzuara këto dy institucione nga përfundimi i procesit të rivlerësimit? Duket se të gjithë sytë janë kthyer te SPAK, cilat janë pritshmëritë publike pasi ky institucion ngjan si “trungu” i rëndësishëm i drejtësisë që do hetojë e gjykojë zyrtarët e nivelit të lartë? Nga lista prioritare e konfirmuar në detyrë, për 10 gjyqtarë dhe prokurorë ka ankimim nga ONM dhe Komisioneri Publik drejt KPA-së, a është një arsye për një tjetër shtyrje në kohë?

Për shkak se në KLGJ nuk u zgjodh asnjë nga kandidatët të cilët janë akoma në proces rivlerësimi, nuk ka ndonjë preokupim për këtë institucion. Për sa i përket KLP, 3 nga 6 anëtarët prokurorë të këtij organi (në total 11 anëtarë nga të cilët 5 anëtarë janë jo prokurorë), janë akoma në proces rivlerësimi pasi dosjet e tyre po shqyrtohen nga KPA. Sidoqoftë, edhe në rast të moskualifikimit të 3 prokurorëve në fjalë, KLP tashmë quhet e konstituar, pasi 8 anëtarët e tjerë formojnë shumicën dhe kuorumin e mjaftueshëm për të marrë vendime.

Aktualisht vendi është në një lloj “kolapsi në drejtësi” për shkak të vettingut. Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionimit të saj, Gjykata e Lartë gjithashtu në të njëjtin shqetësim. Si ka ndikuar kjo situatë për sistemin e drejtësisë dhe a është një arsye më shumë që institucionet e vetingut të jenë në luftë me kohën për një proces sa më të shpejtë?

Për shkak të korrupsionit mjaft të përhapur, rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve ishte thelbësor për ngritjen e organeve të reja të drejtësisë. Numri i lartë i gjyqtareve dhe prokurorëve që nuk e kaluan vettingun vetëm sa e vërtetoi se sa i përhapur ishte problemi dhe sa thellë kishte hyrë në sistemin e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Nga muaji mars deri në nëntor 2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përfundoi rivlerësimin të 35 kandidatëve për Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë te cilat janë organet kryesore për ecurinë e reformës.

Në këtë fazë të procesit Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të duhet të kryejë rivlerësimin e 26 gjyqtarëve të Gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe 10 prokurorëve të SPAK. Meqenëse të dyja janë prioritet, dhe institucionet e reja edhe Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë, do të duhet që ritmet e vettingut të jenë shumë më të larta se ato që kemi parë deri në këtë fazë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

‘Fenomeni’ më i çuditshëm në Shqipëri që Lei Kraja nuk do ta pranojë kurrë…

Kur jeton mes dy kontinentesh ashtu si Lei Kraja, ndonjëherë përballesh me...
Read More