Alkimia subtile e Frederik Rreshpjes

Nga Prof. Dr. Viola Isufaj
Në shekullin XX, në poezinë shqipe bashkëkohore shfaqet një emër i tillë: Frederik Rreshpja, modeli i shkrimit i të cilit, nga e sotmja, sipas pikëvështrimit tonë vlerësohet se së bashku me dy modele të tjera shkrimi: atë të Zorbës e të Camajt e përcakton modernitetin e vargut shqip bashkëkohor.

I dalë nga vendi me fatin më të keq në tërë lindjen, mallkuar vetë me të njëjtin fat si vendi i tij, Frederik Rreshpja sjell një lirikë moderne, brilante në letrat shqipe.

Por fati sundon popujt e zotave

Të shumtë si rëra

Vjollcë e vogël, o shpirt-thuhet në një nga poezitë e tij.

I nëmuri me hënë dhe me art, i braktisur në jetë dhe në letërsi, i huaj dhe jashtë kohe, në një botë pa shpirt dhe pa dashuri, Rreshpja, antikonformist nga natyra, skandaloz dhe i lirë, vjen si biri i ajrit në ditën e parë të botës.

Rreshpja ishte një artist që punonte në mënyrë të shpenguar por shumë të rafinuar, shpesh karakterizuar nga shprehja e ndjesive intime e sentimentale, trishtimi i vetmisë dhe gjendja e papërcaktueshme përballë vdekjes.

Zhduket pas portes së ngjyrave djalëria
Dhe mua trishtimi më mbulon
Nën një hënë që nuk di të buzëqeshë,
Në një botë qe nuk më kupton.

Fryma krijuese, bukuria e konceptimit dhe stili janë të dallueshme nga ato të çdo poeti tjetër të letërsisë shqipe.

Trishtimi i bukur genuinin, mërzia kristalore ekzistenciale, si dhe përpjekjet dhe rrugët, të cilat i shfaqen poetit për të mposhtur ose për t’i harruar një çast këto, përbëjnë tema dhe motive të reja në vargun shqip.

Rreshpja preku edhe dashurinë, metamorfozën, melankolinë, pafajësinë e humbur “në sytë prej uji të fëmijës lakuri”, edhe ëndrrën.

Përtej risive të tij në motive, në vargëzim, dhe në përdorimin inteligjent të tingujve për të krijuar atmosferë -thelbësore për çdo vlerësim të vlerës letrare të veprës së tij- aspekte të tjera të kësaj vepre poetike janë: modeli i bohemit, ripërtëritja e gjuhës poetike dhe sugjestioni. Poezia e tij sugjeron duke e shdërruar vargun në përndjellje të pafund përmes një lloj alkimie subtile të verbit.

Vetmisë dhe mospërfilljes i Rreshpja kundërvuri kështu realitetet e tij eternale. Me alkiminë e fjalës dhe me brymë ëndrrash, mbi rendin material të kësaj bote të trishtë dhe rraskapitëse, Rreshpja projektoi dimensione paralele imagjinative, universin e tij metafizik, botën e trashendencës.

Për këtë, krijoi vizione kozmike të ndriçuara bukur, me penelata impresioniste dhe ekspresioniste, me teknikë shumë të lartë e artit poetik dhe me shije të hollë.

Bohemiadia e tij artistike kalon prej fatit personal, duke kaluar në fatalitetin universal të iluzioneve utopike, dhe është po kjo bohemiadë që përjetimin e të vetmuarit të përjetshëm e shndërron në vetmi kozmike; dhe ekzistimin temporal në metafizikë.

Ai është një poet i natyrës, i pyllit, i drurëve, i ujërave, i hënës -simbole në disa raste të aventurës së tij jetësore dhe artistike, të lirisë dhe të thellësisë, e, në raste të tjera, simbole të pashpjegueshmërisë së gjërave apo moskuptimit.

Jeta e brishtë, e pasigurt, pa ekuilibra të brendshëm, me kthesa aventurore ekstreme, ka ndikuar pa dyshim edhe në ndjeshmërinë e poezisë, në koherencat dhe analogjitë.

Ndonëse imazhet e dëshpërimit e të trishtimit, vijnë si një lloj paszgjatimi i romantizmit evropian dhe, nga anat tjetër, analogjitë, sugjestioni dhe simbolizmi na lidhin me modernitetin evropian të shek 19-të dhe fillimit të shek 20-të, shprehja autentike e dhimbjes së ekzistencës është unike në letërsinë shipe. Kali i zi i pikëllimit, imazhi i rrëzimit, zbulojnë para marrësit shqiptar territore të reja dhe të pashkelura në hapësira të trishta të bukurisë.

Rreshpja dallon dhe zbulon, falë një dhuntie të posaçme të tij, apo falë një sëmundjeje të bekuar lidhjet e fshehta midis dukurive të ndryshme të botës materiale dhe shpirtërore-çka na ndërmend vargun e famshëm të poezisë Analogjitë të Bodlerit; “Aromat, ngjyrat, tingujt, mes tyre dialogojnë”.

Që fëmijë ai ka ndier tinguj dhe ritme të padëgjueshme, ka parë vizone të mrekullueshme, të cilat kujtesa e tij, apo kujtesa e palexueshme e ajrit, i ka ruajtur për t’i kulluar më vonë në artin poetik.

Është një poezi e imazheve të ndryshme tepër mbrësëlënëse.

Dukshëm në disa poezi është përdorimi i imazheve të aromave, për të ndjellë ndjenjat e nostalgjisë dhe të sensualitetit të së shkuarës.

Duket sikur është derdhur në poezinë e tij tërë pikëllimi i bukur i planetit, gjithë verbimet e bronzit të shirave, gjithë argjendet e peisazheve që ndrijnë dhe rëndojnë me hir legjende.

Por një imazh nuk është thjesht dhe vetëm vizual. Ai mund të angazhojë çdonjërën nga shqisat, kështu poezia e tij na shpërfaq përpos imazheve pamore dhe imazhe tingullore. Organizimi sonor-një melodi shumëngjyrëshe- në poezinë e tij është një nga treguesit e një finese tepër të hollë.

Në disa vepra letrare roli i shtresës sonore është minimal, por në poezitë e Frederik Reshpjes, shtresa fonetike është përbërëse e kuptimit. Kjo ndodh me tërë poezinë e tij, e cila në thelbin e saj ka një organizim të veçantë të sistemit zanor të gjuhës.

Nuk ka varg muzikal brenda unitetit integral, pa një kuptim të përgjithshëm, ose të paktën pa ndonjë ngjyrim emocional në këto poezi.

Mund të dallojmë në lëndën letrare të Frederik Reshpjes përsëritje tingujsh që ndodhen pranë njëri-tjetrit në të njëjtin varg, ose tingujsh që ndodhen në fillim të një grupi a në fund të një tjetri, ose në fund të një vargu e në fillim të një tjetri, ose në fillim të vargjeve, ose thjesht në fund të tyre. Gjuha shqipe ka sistemin e saj të fonemave dhe prandaj, në sistemin e vet, të paralelizmit apo të kundërvënies së zanoreve apo bashkëtingëlloreve, efekte të tilla, vështirë se mund të veçohen nga kuptimi i përgjithshëm i poesis-it të tij.

Rreshpja kombinon, lidh ose kundërvë fjalët. Mund të dallojmë disa aspekte të këtij funksioni semantik të rimës apo përputhjeve tingullore në botën poetike të këtij autori. Mund të kërkojmë të dimë se nga ç’sferë semantike janë zgjedhur fjalët e rimuara: nëse ato i përkasin, për shembull, së njëjtës kategori gjuhësore apo kategorive të ndryshme (pjesë ligjërate, rasa), apo të të njëjtit objekt ose grup objekteshapo sesi ritmi i zanoreve përcaktohet nga përputhja e supertoneve të tyre. Mund të kërkojmë të dimë cila është lidhja semantike midis fjalëve të lidhura me anë të tingujve, nëse ato i përkasin të njëjtit kontekst semantik, siç ndodh psh më poshtë:

ëndërruar dikur; koka-zota; vetëm nën hënë, kujtesën e ujrave, mjegullat-ylberët rrëzë lisit, lirës i binin homerët; vrarë egërsisht, gravurat e vjetra, vështronin të trishtuar tërë lotë, kashta e kumtrit

Mund të gjejmë shembuj të tjerë brenda krijimtarisë së këtij autori, sintagma të rimuara që të befasojnë pikërisht me asociacionin dhe kundërvënien e sferave semantike krejt të ndryshme, ndonjëherë gati-gati skajshmërisht të kundërta:

perëndi që rrëzoheshin, tërfil i artë; ullinj…mallkuar etj.

Brenda sistemit gjuhësor tek Rreshpja mund të vërejmë një lloj “fizionomie” të fjalëve, një simbolizëm tingullor me një karakter më mbarëdepërtues se aliteracioni apo asonanca e thjeshtë. A mund të flitet për përtesa a procedime të tjera në sistemin gjuhësor të botës poetike të Reshpjes të cilat nxisin krijimin dhe harmonizimin e realiteteve poetike përmes ndijimesh të veçanta?

Një mënyrë tjetër për të perceptuar botën është ajo gjendje që krijohet kur një shqisë, si psh të parit, ngacmon një shqisë tjetër, si atë të të nuhaturit, në të njëjtën kohë (Sinestezia).

Ne shohim në poezinë e Reshpjes këtë fenomen të perceptimit në të cilin stimulimi i shqisave ose i rrugës njohëse çon në përvojat automatike, të pavullnetshme në një rrugë të dytë shqisore ose njohëse.

Është një ajër që tingëllin. Këputen telat

Dhe unë akordoj violinat e reja në erë.

Është një ajër që netëve vë vello të zezë

Dhe përsërit zëra e të vdekurve që mban në kujtesë,

Që nga dita e parë e botës.

Është një ajër ku unë ngjyros ylberë

Që shirat nuk i kanë njohur kurrë.

Apo poezia Çeli trëndafili:

Megjithatë e di: erdhi një trëndafil me shall

Dhe ishte një vajzë që çeli gjethe tek porta…

Aktivizimi i njëkohshëm i sferave të ndijimit a është i pavullnetshëm vërtet apo bëhet qëllim i poetit bohem?

Dhe shkalla e rëndësishme e simbolizmit tingullor të cilën do të vëzhgonim me kënaqësi dhe metafora tingullore -a përdoren ato inuitivisht apo në mënyrë të qëllimtë nga Rreshpja?

Zanoret e pastra kur dominojnë, mund të shprehin e të japin idenë e hapësirës a të vëllimit të gjerë, ndonjëherë të shpejtësisë, finesës. Ja disa shembuj nga poezia e Frederik Reshpjes ku përdorimi i dendur i zanoreve e, i dhe a (duke u përputhur, sigurisht, dhe me kontekstin semantik) të fton në përfytyrime plot hapësirë e frymëmarrje, në imazhe të bardha e të shndritshme:

Kopeja e reve, peizazhi arabik, …ngjyrave djalëria, hare…prerë nga hëna e majit

Eksperimentet akustike, na thonë Ëellek dhe Ëorren, vërtetojnë ekzistencën e asosacioneve të qëndrueshme midis zanoreve të përparme (e, i) dhe objekteve të lehta, të shpejta, të qarta e të kthjellta dhe midis zanoreve të pasme (o, u) e objekteve të ngadalta, të zymta e të errëta.

Arratisur, hutuar, dru, trishtuar rrotull

Por gjejmë çuditërisht dhe kundërvënie kuptimore të realizuara mahnitshëm përmes kundërvënieve akustike.

Nën një hënë që nuk di të buzëqeshë

Nën një botë që nuk më kupton

Apo

Ti s’ke për t’u skalitur kurrë

Apo,

Ullinjtë e Shqipërisë dhe paqja juaj e mallkuar

-varg që sugjeron mohimin e paqes- me anë të asosacioneve që lindin nga zotërimi të tingullit u ( që lidhet me errësirën, zymtinë) përmbi tingullin a (që lidhet me të çlirëtën, të dlirën, sublimen).

Këtu më shumë se figura metaforike, kemi asociacione të mbështetura në ngjashmërinë e padiskutueshme midis tingullit dhe cilësive të objekteve a fenomeneve me anë të cilat tingujt e dhënë lidhen në mënyrë asociative).

As ritmi i veçantë nuk mund të studiohet pa marrë parasysh kuptimin e vargut tek Rreshpja; sidomos ritmi i segmenteve përmbyllëse të frazës (“kadenca”) –dëshmon për mbylljen që i paraprin fillimit të një cikli vicioz.. Stinët, netët, trishtimi, vdekja, rikthimi, qarkullojnë në këtë rreth vicioz.

Fjalët në poezinë e Frederik Reshpjes nuk qëndrojnë thjesht për të përfaqësuar një objekt që mungon. Ka papritmas një përvojë të plotë në fjalë. Ka po ashtu, diçka sensuale, trishtim dhe emocion.

Ja, disa imazhe e asosacione origjinale e të mahnitshme në poezinë e këtij autori:

Ylber mbi planete të panjohura; Akuafortën e kohës vizatuar egër; Kthehen tek toka të skalitur; Kryq shiu te koka; Ullishtja me drurët e përdredhur nga dhembja; Muzgu që krisi dhe u yhye me trishtim; Shi prej mermeri; Arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin, I vrarë egërsisht Kali i zi i pikëllimit; Gravurat e vjetra; Arlekinët vështronin të trishtuar, tërë lotë; Kashta e kumtrit bie dhe bie; Tërfili i artë i qiejve; Peizazhi arabik
Por një imazh në poezi, nuk është thjesht vizual-mund të angazhojë çdonjërën nga shqisat. Dhe, në fakt, që ajo të jetë një imazh, duhet të angazhohet të paktën një nga shqisat duke përdorur detaje ndijore.

Moikom Zeqo shprehet për Reshpjen, se fëmijeria është një përrallë e shumëfishtë, atdheu i imazheve: dhe se Rreshpja pikturon si nje Van Gog.

Poezitë e Reshpjes përgjithësisht janë lakonike dhe falë përkujdesit për fjalën, hera herës ato përjetohen si forma të kulluara të bukurisë së gjuhës poetike. Duke rimarë teknikën e poezisë popullore, në poezitë si variacione rreth një motivi, përsëritja e figurave artistike përcjell rrekjen e palodhur të Mjeshtrit për të latuar formën me perfekte.

E gjithë poetika e Reshpjes është një arkitekturë kristalore, e ndërtuar me brishtësi dhe e mbushur me një frymë të epërme,delikate dhe qiellore, përballë banalitetit dhe vrazhdësisë tokësore. Kryemjeshtër i metaforave befasuese, këndonjës i vetmisë dhe pikëllimit universal, Reshpja ishte i ngjizur prej A(r) tit.

Falë distilimit që koha i bën Artit, emri i Fred Reshpjes është më domethënës dhe më i shkëlqyer nga ç’ishte dje: deri pak më parë, ai ishte poeti bohem me një model shkrimi interesant, sot markues ashtësor i poezisë shqipe moderne bashkëkohore.

Shijuesit e poezisë kanë në dorë një poezi të mahnitshme të një serie tingujsh, imazhesh e ndijimesh, plot sensualitet, trishtim dhe emocion të një poeti “tejpamës”, një poezi, që, si poezia e simbolistëve evropianë dallohet për “plotërinë dhe pastërtinë e veçantë të timbrit të saj” dhe e cila i rikthehet thelbit të vet.

(Ky shkrim do të botohet në revistën “Pasqyra e t’rrëfymit”, nr. 8,2019, në proces botimi)

Shkruar Nga
More from Redaksia

‘Unaza e re’, Rama: Nuk japim 30 milionë dollarë për zaptuesit. Fjala e Ramës ndez protestuesit…

Teksa banorët e Unazës së Re ishin mbledhur në një protestë jashtë...
Read More

More Stories