Alarmi i sociologut të njohur: “Shuarja” e popullsisë, në trojet tona nuk do ketë më shqiptarë

Plakja e popullsisë shqiptare përveçse ka marrë përmasa dramatike, kërkon përmirësimin e politikave. I këtij mendimi shprehet posaçërisht për “Albanian Free Press”, sociologu dhe profesori i njohur, Zyhdi Dervishi.

Duke komentuar shifrat më të fundit të Institutit të Statistikave për popullsinë shqiptare, ai ka shtuar se për këtë ka ndikuar ulja drastike e lindshmërisë, por edhe emigracioni.

Z. Dervishi. Para disa ditësh, u prezantuan shifrat më të fundit zyrtare rreth popullsisë shqiptare, të cilat e shfaqnin atë sërish në rënie dhe duke u plakur. Si do ta komentonit ju këtë situatë?

Pakësimi i numrit dhe i peshës specifike të lindjeve në shoqërinë shqiptare, me keqardhje të thellë, e konsideroj si fillimin e tragjedisë më të rëndë të popullit shqiptar; si populli me fatet më tragjike ndër popujt e Ballkanit dhe të gjithë Europës. Hapësira e shqiptarëve në Ballkan ka densitetin më të lartë të pasurive të shumëllojshme natyrore si asnjë rajon tjetër i botës. Atdhetari i madh dhe njëherazi kritiku me fuqi sarkastike më të madhe të të metave të shqiptarëve, Faik Konica, në fillim të shekullit XX ka shkruar se hapësira – pronë e shqiptarëve në Ballkan është e mjaftueshme për të jetuar më mirë se zvicerianët. Por nëse lindjet pakësohen me këto ritme të frikshme dhe hemorragjia e emigracionit do të vazhdojë me pasoja traumatike, nuk do të jetë e largët dita kur në trojet ballkanike të shqiptareve nuk do ketë më shqiptarë, por vetëm varret e tyre. Më pas, kujtimi i varreve, derisa të shuhet edhe kujtimi…

Por çfarë duhet bërë sipas jush, që popullsia shqiptare t’i shmanget një tragjedie të tillë?

Që kjo tragjedi të mos ndodhë është domosdoshmëri urgjente të merren masa komplekse për stimulimin e rritjes së numrit të lindjeve të fëmijëve. Këto masa që sugjeroj, mund të duken futuriste, jorealiste. Por unë mendoj se janë krejt të realizueshme.

Cilat janë konkretisht ato sipas jush?

E para, nënave që lindin fëmijë, tre vjet pas lindjes së tyre, t’u akordohet pushim me pagesë të plotë, me qëllim që të mirërrisin fëmijën, i cili të shkoje direkt në kopsht. E dyta,

nënat që nuk janë të punësuara për tre vite pas lindjes së fëmijës, të paguhen me një pagë mesatare dinjitoze. E treta,

familjet që kanë më shume se dy fëmijë, të kompensohen për fëmijën e tretë, të katërt, etj. E katërta, të punësohen me përparësi nënat me shumë fëmijë, prindërit me më shumë fëmijë.

Një mesazh që do të donit të lançonit publikisht lidhur me këtë situatë…

Hapësira shqiptare ka pasuri të shumëllojshme, të cilat duhen vënë në efiçencë për të rritur popullsinë shqiptare, që është pasuria më e madhe e tokës sonë të begatë, të vaditur me lumenj gjaku të të parëve tanë. Nderimi më i madh që do t’i bënim kryeheroit të popullit shqiptar, Gjergj Kastrioti, do të ishte pikërisht ideimi dhe fillimi i zbatimit të masave për shtimin e popullsisë shqiptare në Ballkan.

Shkruar Nga
More from Revista User

Hahn: Vuçiq ta shfrytëzojë me maturi pushtetin

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, tha se presidenti i...
Read More