Policia e Shtetit reagoi të shtunën, pas akuzave të opozitës se ka fshehur arrestimin e Orest Sotës, të cilit iu gjetën patentat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Sipas bluve, këto janë spekulime politike.
“Policia e Shtetit rishpreh keqardhjen për akuzat politike dhe pa asnjë bazë ligjore apo faktike, mbi ndalimin e shtetasit Orest Sota.
Policia e Shtetit rithekson se ka kryer detyrën dhe respektuar procedurën ligjore pikë për pikë.
Pretendimet e opozitës janë spekullime politike dhe s’kanë asnjë lidhje me të vërtetën e punës së bërë nga Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit ka ndaluar në flagrancë autorin, ka mbajtur të plotë procesverbalin në vendngjarje dhe i ka përcjellë menjëherë Prokurorisë dosjen e plotë të rastit për arrestin në flagrancë.
Policia e Shtetit i siguron të gjithë qytetarët se ajo ka bërë detyrën, po bën detyrën dhe do të bëjë detyrën e saj, pa asnjë ndikim politik në luftën me krimin e organizuar, krimin ekonomik e çdo lloj tjetër kriminaliteti.
Pas përmbylljes me sukses të plotë të luftës për çrrënjosjen e kanabisit nga territori i vendit, Policia e Shtetit ka hyrë në fazën e dytë të kësaj lufte, e cila do të përshkallëzohet javë pas jave.
Edhe arrestimi sot i një rrjeti trafikantësh në Tiranë e tregon qartë vullnetin e Policisë së Shtetit, për të goditur rrjetet dhe elementet kriminale që janë përfshirë në trafiqe, si edhe sekuestruar asetet financiare të përfituara nga aktiviteti kriminal,” thuhet në deklaratë.