Afrika dhe afrikanët në mendimin shqiptar të viteve ‘20-30

africaNga Enis Sulstarova*

Studiuesi Enis Sulstarova sjell në këto faqe të Mapo ide një panoramë të kthjellët të mënyrës se si ideja mbi Afrikën apo afrikanët gjendej në mendimin intelektual të viteve ‘20-30. Gjithashtu ai përmend aty se vetë Shqipëria në mjaft raste në Europë mendohej një vend në Afrikë. Sulstarova thotë se metafora e Afrikës dhe e afrikanëve gjente përdorim te shkrimet e intelektualëve shqiptarë të viteve ‘20-30, pikë së pari për të vënë në dukje kontrastin midis sjelljes të qytetëruar kombëtare sipas rregullave evropiane dhe anarkisë së turmave të padisiplinuara. Nuk mjaftonte që shqiptarët të kishin pavarësi, por duhej edhe që ata ta përdornin drejt lirinë e fituar.

Konica është ndoshta i vetmi ndër autorët shqiptarë të viteve ‘20-30 që e ka ndërtuar një vepër letrare, Katër pralla nga Zullulandi mbi metaforën e Afrikës dhe të afrikanëve. Te tekstet e shkrimtarëve e publicistëve të tjerë hasim vetëm përmendje sporadike të Afrikës dhe afrikanëve, pothuaj gjithmonë në funksionin e krahasimit të gjendjes së mjeruar të shqiptarëve të kohës. Artikulli ynë përpiqet që të mbledhë disa nga këto shënime për Afrikën dhe afrikanët dhe t’i analizojë pikërisht nisur nga funksioni i tyre krahasues. Periudha e mbuluar nga artikulli ynë është ajo nga fundi i Luftës së Parë Botërore (1918) deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia më 1939. Zakonisht kjo periudhë emërtohet si “vitet 20-30” dhe zë një vend të veçantë në mendimin shqiptar.

Neve na intereson kapërcimi i përfytyrimit të autorëve në Kontinentin e Zi, vend ku ata nuk kanë shkelur asnjëherë fizikisht, pra pikërisht ai kapërcim tek ata vise e njerëz që janë krejt të huaj, me qëllimin për të treguar më mirë se kush jemi ne, pra si janë shqiptarët bashkëkohës. Sekreti i metaforës së suksesshme ndodhet pikërisht te aftësia e autorit për të na dhënë kuptimin e diçkaje të panjohur me anë të krahasimit të saj me diçka që e njohim mirë. Në rastin e përmendjes së Afrikës dhe afrikanëve kemi të bëjmë me të kundërtën: situata apo karakteri shqiptar rreket të kuptohet më mirë me anë të krahasimit me zezakët, pavarësisht nga mungesa e familjaritetit të autorit me Afrikën. Atëherë, nga buron familjariteti i supozuar i autorëve shqiptarë me Afrikën? Pse ata e marrin (thuajse gjithmonë) Afrikën si një model negativ për Shqipërinë? Sigurisht që ata nuk bëjnë tjetër, veçse huazojnë nga bagazhi i atëhershëm i shprehjeve, kuptimeve dhe gjykimeve të racizmit evropian për zezakët dhe Afrikën. Në shumicën e produkteve kulturore të Perëndimit, Afrika përfaqësohej me anë të dy-tri ideve fikse, që kishin të bënin me egërsinë, primitiven dhe mjerimin e pashpresë. Sipas klasifikimeve raciste evropiane, zezaku është shkallarja e parë në shkallën e qytetërimit, në majë të së cilës qëndron njeriu i bardhë. Poshtë zezakut nuk gjenden specie të tjera njerëzore, por vetëm majmunët. Afrika e zezë shërbente në këtë mënyrë për të krahasuar përparimin apo prapësimin e qytetërimit: sa më pranë afrikanëve të cilësohej një popull, aq më primitiv, më “tribal” e më i pazhvilluar ishte ai.

Në përfaqësimet e afrikanëve kishte një lloj hierarkie. Ndër zezakët, etiopiasit gëzonin njëfarë respekti te perëndimorët për shkakun e krishtërimit të hershëm të tyre, që i lidhte njëfarësoj me burimet fetare të Perëndimit. Gjithsesi, feja e krishterë e shumicës së etiopiasve nuk arriti të ndalte synimet koloniale mbi këtë pjesë të Afrikës, sepse Italia, e pushtoi Etiopinë në vitin 1936. Të përmendur në shtypin evropian ishin edhe bushmenët, zulutë dhe hotentotët që jetonin në jug dhe jugperëndim të kontinentit. Ndërsa zulutë fituan popullaritet si një popull luftarak për shkak të luftërave të tyre kundër boerëve dhe britanikëve, evropianët u befasuan aq shumë nga sjelljet dhe zakonet e çuditshme të hotentotëve, sa që i quajtën këta të fundit si më të degraduarit e primitivëve. Në shek. XVIII epiteti “hotentot” u bë një fyerje e zakonshme në Evropë, që përdorej për të shenjuar një sjellje të egër, të ndyrë apo të paedukuar. P.sh. në një libër shkollor të gjeografisë të botuar në Islandë në vitin 1913 shkruhej se “Hotentotët ngjajnë shumë me majmunët dhe kanë fytyra të rrudhosura”. Hotentotët u bënë të njohur në Evropë edhe si viktima të gjenocidit të parë të shek. XX. Më 1904, në jugperëndim të Afrikës, popujt herero dhe nama (që thirreshin hottentot nga të bardhët) ngritën krye kundër skllavërimit, grabitjeve dhe shfrytëzimit të egër nga ana e kolonistëve gjermanë. Si kundërpërgjigje, trupat dhe autoritetet gjermane synuan zhdukjen masive të këtyre popujve, me anë të masakrave, djegieve, dëbimit në shkretëtirë dhe mbylljes në kampe të përqendrimit. Kampi i parë gjerman i vdekjes nuk është Aushvici, por ai në Ishullin e Peshkaqenëve, i cili funksionoi në vitet 1905-1907, ku robërit afrikanë – burra, pleq, gra e fëmijë – liheshin të vdisnin nga torturat, i ftohti, uria dhe sëmundjet. Si edhe Aushvici, Ishulli i Peshkaqenëve ishte menduar si një qendër shfarosjeje larg syrit të publikut, por edhe pranë hekurudhave që e furnizonin me viktima nga pjesa kontinentale e Afrikës.

Nuk kanë munguar as krahasimet e Shqipërisë me Afrikën nga ana e perëndimorëve. Shkaqet kryesore ishin mosnjohja e gjeografisë së vendit dhe reputacioni luftarak që kishin shqiptarët. Për disa intelektualë shqiptarë të viteve ‘20-30 ishte i papranueshëm krahasimi i shqiptarëve me afrikanët nga ana e të huajve. Me gjithë varfërinë dhe prapambetjen e saj, Shqipëria kishte një histori të lashtë dhe tashmë ajo ishte një shtet i pavarur në Evropë, anëtar i Lidhjes së Kombeve dhe aspironte që të arrinte nivelet e lartë të qytetërimit oksidental. Gazetari Ismet Toto më 1930 e akuzonte priftin jezuit italian Fulvio Kordinjano se në një artikull të botuar në një revistë katolike italiane e kishte pasqyruar vendin tonë si të ishte pjesë e thellësive të Abisinisë. Faik Konica te udhëpërshkrimi Shqipëria si m’u duk (1929) rrëfen një ngjarje të ndodhur në Tiranë, midis një shqiptari të ri dhe një të huaji që po lidhnin një kontratë sipërmarrjeje: “Kur erdhi koha për të shënuar, shqiptari vuri re se në tekst emri i tij ish përcjellur me përshkrimin “indigjen nga Tirana”. Pa u menduar asnjë minutë, tiranasi e grisi kundratën duke thënë se nuk dëshëron të fitojë dhe duke i porosituar të huajin e habitur të shkojë në Afrikë se atje ka indigjenë dhe atje mund të bëjë punë. Një shembull i rrallë dhe i bukur. Po të ishin shumë njerëz si ai tiranasi, të huajt e rritur ligsht do t’kuptonin se kombi i Diokletianit, i filosofit Julian, i Justinianit, një komb i cili kish një qytetëri të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të inglizve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat, mund të jetë i rënë e çsojësuar, i varfëruar, po nuk është një turmë afrikane”. Mirëpo, ndërsa kundërshtojnë trajtimin me të njëjtin nivel me afrikanët nga të huajt, janë vetë disa nga intelektualët e kohës që i krahasojnë shqiptarët me afrikanët. Konica e kishte për zemër përdorimin e Afrikës për të qortuar shqiptarët për sjelljen e tyre të paqytetëruar. Në publicistikën e tij të fillimit të viteve ‘20, ai e dënon gjakmarrjen dhe vrasjet politike në Shqipëri, duke i quajtur “poshtërsi dhe kafshëri afrikane”. Pas vrasjes së dy udhëtarëve amerikanë në Mamurras, ai shkruan se për sa kohë që mendësia vrastare e popullit do të vazhdojë, “Shqipëria do të mbetet një nisi [ishull] afrikane në mes t’Evropës”.

Metafora e Afrikës dhe e afrikanëve gjente përdorim te shkrimet e intelektualëve shqiptarë të viteve ‘20-30, pikë së pari për të vënë në dukje kontrastin midis sjelljes së qytetëruar kombëtare sipas rregullave evropiane dhe anarkisë së turmave të padisiplinuara. Nuk mjaftonte që shqiptarët të kishin pavarësi, por duhej edhe që ata ta përdornin drejt lirinë e fituar. Ky mësim jepej në një artikull të vitit 1922, me autor Mit’hat Frashërin: “Të kishte pasë qenë qëllimi i njeriut vetëm independenca dhe që vetëm kjo indipendencë të kishte formuar fatbardhësinë ideale të robit, atëherë duhesh që Laponët dhe Esqimezët e Polit, Zulutë dhe Bushmanët e Afrikës të jenë në kulm të idealit, me qenë se janë krejt të lirë, independentë. Për fatin tonë të zi, shpesh herë kemi mejtue edhe ne si Zulutë si Bushmenët, kur kemi qenë kryenaltë prej lirisë që ka ruejtë Mirdita, Kthella a Lura, liri dhe indipendencë pa ligje, pa detyrë, pa përgjegjësi, liri e egrë, me pushkë në dorë, me krye në gur, pa këmishë në trup e me shëllirë drek’ e darkë”.

Në të njëjtën frymë shkruante edhe Faik Konica në po atë vit, duke kritikuar sjelljen e papërgjegjshme të politikanëve të kohës. Edhe pse Shqipëria “është vënt i Afrikës nga shkalla e qytetërisë, ndodhet n’Evropë dhe është në prov’ e sipër nën vëzhgimin e Fuqive të Mbëdha”.

Shtypi i emigracionit të majtë shqiptar me anë të përngjasimit me Afrikën theksonte mjerimin e masave popullore në Shqipëri. P.sh. Halim Xheloja më 1927 shkruante se kur sheh fëmijët shqiptarë “me fytyrë të zeshkur, pranë kënetës, gjolit apo kasolles me baltë”, i duket sikur ndodhet “pranë lumit Kongo n’Afrikë kur dalin djemt’ e nomadëve prej tendave e cergave të tyre. Kur kujtohe që je n’Evropë, në buzë t’Adriatikut, atëherë të dridhet zemra, të ngjethet mishtë, e të ngrihet lesht’e kokës përpjetë”. Ai kritikon edhe shfrytëzimin e bujqve dhe të punëtorëve shqiptarë, duke e krahasuar gjendjen e tyre me atë të skllevërve të mesjetës apo me “negrit” e Afrikës.

Përdorim tjetër Afrika dhe afrikanët gjejnë në polemikat e intelektualëve të kohës me politikanët dhe me njëri-tjetrin. Fishta i quan grindjet e politikanëve në vitet 1923-1924 si kacagjelime të hotentotëve dhe zuluve. Konica kundërshtarët politikë i stigmatizon duke i quajtur “aziatikë”, “afrikanë”, apo të dyja bashkë, si “Eshfref Frashëri, sfinks i mbyllur, bashkonjës zvarranik i Asisë dhe i Afrikës, i hedhur nga fati tallës n’Evropë”.

Kishte edhe raste kur Afrika përdorej si metaforë jo për të nxjerrë në pah epërsinë e modernitetit evropian por për ta vënë në dyshim atë. Në një artikull për të shënuar përfundimin e Luftës së Parë Botërore më 1918 Fishta pasi përmend masakrimet dhe shkatërrimet që ushtritë evropiane kryen në Evropë me armët më moderne të kohës, vëren me sarkazëm: “Ah! Sa barbar atá otentott, qi bâjnë luften me heshta kallamash” (Fishta, 2000: 94). Një klerik tjetër katolik, Anton Harapi, e kritikon botën moderne se ka lënë pas dore mësimet fetare e filozofike dhe se në garën për sa më shumë përfitime materiale e ka humbur ndjenjën e drejtësisë. Kuptimi i drejtësisë në Evropën e shek. XX është po ajo e një kryeplaku në Afrikë, i cili thoshte: “E drejtë âsht kuer un i mârr kojshís gjân e grát; nuk âsht mâ e drejtë kuer ai, çohet e më mêrr grát e gjân” (Harapi, 1999: 89). Përderisa Afrika ndodhet në shkallaren më të ulët të qytetërimit, atje drejtësia njësohet me forcën dhe hakmarrjen dhe Evropa e viteve 30 ka rënë në po atë nivel.

Sikurse e përmendëm më sipër, nga mesi i shek. XIX e tutje, zulutë në jug të Afrikës fituan emër në Evropë për shkak luftërave që zhvilluan me britanikët dhe boerët. Në publicistikën, dokumentarët dhe krijimtarinë artistike perëndimore ata përdoreshin si sinonim i egërsisë. Edhe Konica qëllimisht e vendos subjektin e veprës së tij Katër pralla nga Zullulandi te populli i zuluve, të cilët i përshkruan si “negër të mëdhenjë dhe të fortë, të egër dhe të tërbuar, gjakpirës me famë, që nga Tunizi e gjer në Transval”. Edhe në ditët tona, Katër pralla nga Zullulandi trajtohet si një (vetë)kritikë e fuqishme e realiteteve shqiptare. Në intertekstualitet me të janë shkruar vepra të tjera, siç është romani i Bashkim Shehut Orfeu në Zululandën e Re (2003). “Zululand” emërtohet edhe rubrika e shkrimeve, si edhe ajo televizive e analistit Mustafa Nano. Megjithatë, fama e veprës së Konicës nuk duhet të na pengojë që të shohim se kritika e ashpër që ai i bënte popullit shqiptar, sikurse edhe disa intelektualë bashkëkohës me të që përdornin metaforën e “Afrikës”, mundësohej prej epistemës raciste të shkallëzimit të qenieve njerëzore sipas karakteristikave të tyre biologjike.

*Sociolog, Universiteti i Tiranës

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Esat pashë Toptani nuk ua shiti Shkodrën malazezëve”

U promovua dje në UET libri i gazetarit të “Zërit të Amerikës”,...
Read More