A përputhen politikat e Administratës Trump dhe kancelarive diplomatike në Ballkan?

Nga Ervis Iljazaj

Mohimi i vizës për Adriatik Llallën nga ana e Departamentit të Shtetit Amerikan, me firmë të Sekretarit Rex Tillerson, është fakt që tregon as më shumë dhe as më pak, konfirmimin e linjës zyrtare të politikës së jashtme amerikane me atë që ambasadori i saj në Shqipëri ka kohë që e promovon publikisht. Është politika e Reformës në Drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit ndaj kujtdo, qoftë edhe ndaj një ish-Kryeprokurori të përgjithshëm.

Sepse Shtetet e Bashkuara prej shumë kohësh, politikën e jashtme të tyre në Ballkan e kanë marrë seriozisht, duke qenë se, përbën një Rajon thelbësor në betejën gjeopolitike midis fuqive të mëdha. Fakti që Sekretari i Shtetit Tillerson ka zhvilluar një takim me të gjithë ambasadorët amerikan në Ballkan ditën e djeshme në Turqi, e tregon më së miri seriozitetin e politikës amerikane në të gjithë këtë rajon dhe provën e pakundërshtueshme që, administrata Trump dhe burokracia diplomatike janë në përputhje të plotë për politikën e jashtme.

Rajoni i Ballkanit është kthyer në një nga rajonet me interes të gjeopolitikës të fuqive botërore si Rusia, SHBA apo Turqia. Në këtë kuptim mjetet diplomatike për të fituar terren dhe ndikim në këtë rajon, janë shumëfishuar. Një nga këto mjete që Shtetet e Bashkuara, fatmirësisht për shoqërinë e vendeve si Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, është Reforma në Drejtësi, duke shkëputur njëherë e përgjithmonë lidhjet korruptive që historikisht ka patur me politikën.

Me gjithë përpjekjet e klasës politike të këtyre vendeve të Ballkanit për ta penguar atë, dhe të gjitha dyshimet nëse vërtet ka një vullnet për të reformuar drejtësinë dhe për ta pastruar atë njëherë e mirë nga hijet e së shkuarës, të paktën në psikikën e masave të shoqërisë dhe atyre që ndihen të rrezikuar, ajo ka filluar.

Asnjëherë më parë nuk është ndjerë trysnia e drejtësisë te klasa politike si në këto momente. Me gjithë defektet që ka ajo të trashëguara nga e kaluara, me gjithë fenomenin e korrupsionit që ekziston ende në radhët e saj, të gjithë ata që janë të implikuar në afera të ndryshme ndihen më të brishtë se kurrë. Kjo klimë trysnie ndihet kudo edhe në ajrin e ndotur të politikës. Me siguri, çdokush nga klasa politike që ndihet i implikuar apo fajtor në ndërgjegjen e tij, nuk po e bën gjumin të sigurt këto kohë. Sepse siç thuhet rëndomtë në këto raste, drejtësia ashtu si e vërteta, vonon po nuk harron.

Kur Donald Lu replikonte publikisht me Adriatik Llallën duke e akuzuar si njeri i cili nuk ka hetuar asnjë politikan apo që nuk do Reformën në Drejtësi, shumëkush nga ne e mendonte si një aventurier apo protagonist, që po i kalonte kufijtë e një ambasadori normal.

Më shumë se kaq, një pjesë e opozitës dhe njerëzve në opinionin publik pranë saj e akuzonin që Donald Lu po bënte politikën e tij personale në Shqipëri, i kapur nga lobet apo për përfitime të ndryshme.

Mohimi i vizës për Adriatik Llallën nga ana e Departamentit të Shtetit Amerikan me firmë të Sekretarit Rex Tillerson, hedh poshtë të gjitha këto hamendësime të pakuptimta, duke treguar se kurrsesi një shtet si SHBA mund të lejojë një ambasador të dalë nga linja e saj zyrtare, aq më tepër në këto momente, aq më tepër në një Rajon si Ballkani.

Strategjia e SHBA në këto momente në Ballkan është e qartë. Interesat e tyre në Ballkan nuk mund t’ia lërë në dorë një klase politike të korruptuar. Në këtë kuptim instrumenti i saj diplomatik për të arritur këtë, është drejtësia e pavarur nga ta.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Si te Shekspiri: Kush ishte Xhuljeta që u vra në Tiranë. Momentet e fundit para krimit

Një tragjedi si ajo e Shekspirit. Por ndryshe nga Zhuljeta që i...
Read More