fbpx

Editorial

A mund të ishte ndarë ndryshe lëmosha e fundvitit?





               Publikuar në : 09:21 - 15/12/16 |
mapo.al

Alfred LelaNga Alfred Lela


Dhjetori është muaji i disa festave, fetare apo laike, dhe nëpër këtë gëzim çon krye edhe mëshira apo bujaria e atyre që kanë, kundrejt më të pafatëve apo dhe të paaftëve. Familjarë, fqinj, shoqata bamirësie, organizata joqeveritare, institucione të fesë, e me radhë, përçapen me sa munden që të shtrijnë një dorë ndihmuese ndaj individëve apo familjeve në nevojë. Shteti, që këtu te ne është një përzierje e shtetit social në kuptimin social-demokrat dhe rudimentit të ‘dorës së ngrohtë të partisë’, tradicionalisht, bën pjesën e vet. Duke nxjerrë nga buxheti një shumë financiare që e marrë më vete si shifër ngjan e një rendi të lartë. Copëtimi i saj në qindra mijëra pjesë e kthen përmbys duke e shndërruar në një grimcë mikroskopike, që mund të quhet edhe lëmoshë.



I këtij rendi ka qenë edhe shpërblimi i festave të këtij fundviti, ofruar nga Qeveria Rama. 60 mijë lekë të vjetra për pensionistët dhe 20 mijë të vjetra për personat me aftësi të kufizuar dhe familjet në ndihmë ekonomike. Grupit të parë i përkasin 643 mijë vetë, që do të thotë se po aq familje shqiptare, me prindër apo gjyshër, do të marrin 60 mijë lekë ose dyfishin e kësaj në rastin e dy pensionistëve në një familje.


Mund të thuhen tri gjëra për këtë vendim qeverie:

Së pari, ndër 643 mijë pensionistët e shpërblyer nga qeveria, nuk janë të gjithë njëlloj. Që do të thotë: nuk janë të gjithë nevojtarë. Ka ndër ta që jetojnë me fëmijët në emigracion dhe atje i kalojnë edhe festat e fundvitit: të tillëve pak u ngre në kandar lëmosha e qeverisë. Të tjerë jetojnë me fëmijët, të cilët ndoshta shpenzojnë dy herë aq për fishekzjarrët apo për një shall për ta. As atyre, nuk ua ndreq e as prish Vitin e ri bonusi qeveritar.

Së dyti, shpërblimi duhet aktualizuar me peshën e vet shkëmbyese në tregun e festave të fundvitit: çfarë mund të blesh me 60 mijë lekë të vjetra? Mund të paguash faturën e dritave, ndoshta. Ose të blesh një gjeldeti. Ndoshta të heqësh shpenzimet e frutave dhe të një tepsie bakllava.

Së treti, ndarja qeveritare e shpërblimit, në vend që të ishte kategorike, pra një masë për të gjithë pensionistët, duhej të ishte e kategorizuar, pra t’u shkonte të moshuarve me pensione minimale, atyre që jetojnë vetëm dhe që nuk kanë burim tjetër të ardhurash veç pensionit. Ky kategorizim do t’u mundësonte të moshuarve në nevojë të mirëfilltë që të merrnin një shumë më të madhe, më domethënëse dhe më ‘shpëtimtare’ për festat e fundvitit. Me këtë arsyetim, qeveria besoj se do të kish gëzuar marrësit e shpërblimit edhe përligjur logjikën e vet. Pra, mëshira do të shkonte te varfëria dhe jo te parimi i barazisë. Sepse, me 60 mijë lekë shpërblim, pensionistët shqiptarë janë barabar të varfër: si para dhe pas marrjes së tij.

Kryeministri grek Tsipras, që është më i majtë se kryeministri Rama, u tregua më pak i majtë se ai duke marrë vendimin që të moshuarve grekë, me pensione nën 800 euro t’u shpërndahej një shumë prej 617 milionë eurosh. Pra duke u ofruar një ndihmë financiare vetëm atyre me pensione të vogla. Përkundër variantit tjetër, që kjo shumë të shpërndahej ndër të gjithë pensionistët e Greqisë. Vendimi i Tsipras, gjithsesi, u ndesh me kundërshtimin e fortë të kreditorëve ndërkombëtarë të Greqisë.

Në fund, një këshillë për fundvitin tjetër: qeveria duhet të jetë e barabartë me të gjithë popullin, por jo gjithë populli është i barabartë.



CLOSE
CLOSE
Pas