fbpx

Editorial

A kemi qeverinë që meritojmë?





               Publikuar në : 09:29 - 19/03/19 |
Nga Erion Kristo

-Triptiku i paragjykimeve


Nga Erion Kristo



Shpeshherë, në kokat tona qarkullon një sasi e caktuar informacioni, që përhapet e shtillet gjithandej, pa u ndalur, duke zaptuar mendjet e të gjithëve. Ndodh që ky informacion që ne ia kallim njëri-tjetrit në mendje, është i cekët, i pasaktë dhe më së shumti paragjykim. Të përpunosh mendimin, ta shtysh atë më tutje, të kapësh caqe të reja me mendje, është një detyrë e intelektit. Ndaj, në këtë triptik do të hedhim dritë dhe do të thellojmë tri paragjykime të zakonshme, të cilat askush nuk i vë në dyshim, por që në të njëjtën kohë janë vrastare për fatet e njerëzve, sepse aty ngërthehen disa pika nevralgjike të ligjërimit publik. Këto paragjykime na lënë aty ku jemi dhe nuk na ndihmojmë të ecim përpara. Duket si çudi që ne merremi me forma mentis, por këto modele mendore prodhojnë sjellje të caktuara shoqërore.


Paragjykimi i parë është shprehja e famshme: çdo popull ka qeverinë që meriton (Joseph de Maistre). Ne e përdorim shpesh këtë shprehje, sa herë që nuk ja dalim dot të kemi qeverisjen që duam: këtë qeveri meritojmë. Kjo do të thotë se nuk jemi të zotë të kemi një qeverisje tjetër. Mirë na e bëjnë. Madje populli ynë është edhe më i mençur se të mençurit e botës, kur thotë: Kështu i do mushka drutë!

Këtë shprehje disfatiste e përdorim prej disa dekadash tashmë. Po a ka kjo shprehje një shkallë vërtetësie? Natyrisht që në demokraci, do kesh atë qeveri që zgjedh. Po a zgjedhim vërtet ne shqiptarët? Duket se ne nuk kemi shumë mundësi për të zgjedhur. Për tri dekada jemi qeverisur nga partitë e emëruara nga regjimi komunist të cilit po i binin patkonjtë në fillim të viteve ‘90. Gjenitë e komunizmës gjetën mënyrën për ta zgjatur sundimin e tyre dhe përtej doktrinës. E për çfarë duhet doktrina, kur përtej fasadës, regjimi sundues vijon? Janë të njëjtët njerëz të emëruar nga regjimi që vijojnë të kontrollojnë çdo aspekt të jetës sonë shoqërore, tashmë për një kohë shumë të gjatë. Dhe kjo nuk paskësh qenë më e keqja. Më e keqja është që sundimi po trashëgohet. Fëmijët e klaneve sunduese të diktaturës po marrin pushtetin. Disa prej tyre kanë dhe shkollë tani, edhe pse shumica janë thjesht pinjollë. Gjithsesi, nëse regjimi i kohës sonë është një postkomunizëm, mund të themi me plot gojën se ne nuk kemi shumë mundësi për të zgjedhur. Natyrisht që mekanizmat e dukshëm demokratikë janë: vota, zgjedhjet, partitë, fushatat. Por shumë nga këto elemente janë vetëm në dukje të tillë. Ato kontrollohen në mënyrë të përkryer. Jo nga loja demokratike, jo nga nevojat e vendit, jo nga ardhmëria, por nga interesat e ngushtë. Prandaj mund të themi me plot gojën që ne nuk kemi se çfarë të zgjedhim. Të gjitha sistemet elektorale që kemi provuar, të gjithë i kemi dështuar: Dushku i Madh, Dushku i Vogël, Dushku i Mesëm.

Shqipëria nuk do ishte kurrë kaq keq, nëse ata që na vjedhin nuk do kishin leje për ta bërë këtë. Dhe ata kanë. Asnjë sistem i jetës sonë nuk shkëlqen, përveç kriminalitetit. Për këtë të fundit jemi kampionë tashmë në disa vende të Europës. Shkenca shqiptare (sa fjalë qesharake tingëllon) është për ibret, arsimi gjithashtu, kultura është bërë tallava, ushtria, policia, shëndetësia, bujqësia, turizmi, mbrojtja sociale, e plot e plot fusha të jetës, janë të pazhvilluara. Ndërkohë një industri të lehtë dikur e kemi pasur; një farë bujqësie e kishim; një rrjet hekurudhor, një rrjet energjetik etj. Nëse nuk duam ta analizojmë thellë, mjafton të përmendim largimin e shqiptarëve nga atdheu sikur këtu të kishte gjenocid. Nga Kosova në luftë u larguan 800 mijë njerëz. Nga Shqipëria, pa luftë u larguan 1.6 milion njerëz. Kjo tregon se shumë njerëz në këtë vend janë përjashtuar për t’u larguar. Ata nuk kanë patur mundësi të zgjedhin tjetër, përveç largimit. Pra, shqiptarët nuk zgjedhin dot tamam atë që duan në krye. Ata zgjedhin me mençuri ekstreme, të keqen më të vogël. Kaq është mundësia. Prandaj, nuk mund të thuhet se ne kemi atë qeveri që meritojmë. Gjithmonë po na ndodh që kemi qeveri që nuk i meritojmë.

Në përgjithësi, për ta rrëzuar këtë tezën e meritimit, do të mjaftonte një arsyetim fare i shkurtër: asnjë popull nuk meriton të vidhet. Dhe kjo vlen edhe për popuj e kombe shumë më të mëdhenj, e shumë më të zhvilluar se sa ne. A nuk ndodhi që kombi gjerman apo italian, apo spanjoll, apo grek, e plot të tjerë, të binin në kthetra diktatoriale? Popujt është e lehtë t’i shtypësh. Përmes mekanizmit të frikës dhe dhunës mundet që për një kohë të caktuar ta sundosh një popull. Natyrisht, jo përgjithmonë. Popujt ngrihen, kudo. Edhe populli shqiptar është ngritur, nuk duhet mohuar. Në 1997 pati një rebelim. Ky vit që na vjen përherë në mendje, nuk na lë të rebelohemi sërish. Ndaj zgjedhim të keqen më të vogël.

Dhe së fundit, ç’faj ka populli, i cili i jep besimin një politikani, apo një partie, dhe në fund, ky besim nëpërkëmbet, dhe lind zhgënjimi. Ne kemi votuar për t’u qeverisur, jo për t’u qeverisur. Ne duam shpëtim, ndërsa ata që janë në krye duan pasurim. Dhe ky pasurim ndodh në kurrizin tonë. Në këtë mes, nuk është krejt faji i popullit. Populli është dukshëm i zhgënjyer. Madje, nëse mund të lejohet edhe ndonjë blasfemi e vogël, pa dëm, se dëmin nuk e bën thjesht fjala, por qëndrimi, ne mund të shprehemi se shitja masive e votës tregon pikërisht zhgënjimin që ka sjellë politika. Shqiptari nuk ka më besim tek askush. Të paktën kënaqet që e marrin seriozisht një herë në katër vjet.

Ndaj nuk kemi pse ta mbushim gojën plot, duke thënë se e meritojmë këtë qeveri që kemi. Qoftë dhe për një arsye tjetër, se ne ende nuk kemi arritur në shkallën e duhur të vetëdijes reaguese. Do ta kishim këtë vetëdije që çon në mirëqeverisje, nëse politika nuk do ishte treguar ekstremisht e zonja për ta minuar shpirtin rebel të popullit. Ndërkohë që populli stërmundohet të mbijetojë, politika ka luksin të projektojë ardhmëri të paracaktuar. Duke fikur vazhdimisht individë, lëvizje, media, gjithçka që krijon idenë e kundërtisë. Në këtë pikë, populli duket si i tradhtuar. Ai nuk ka besim tek intelektualët, as te shoqëria civile, as te media. Besimi i tij është vrarë në mënyrë programatike, duke blerë njerëz, duke heshtur zëra dhe duke krijuar bindjen e mirëfilltë se e vetmja agjenci e fuqishme në këtë vend është politika dhe askush tjetër nuk duhet besuar. Ndaj një rrugë shpëtimi e fuqishme është reagimi shoqëror. Ai do të sillte doemos një qeverisje më të mirë. Trajektorja e qeverisjes mund të korrigjohet përmes trysninë popullore. Por edhe kjo shpresë na është fikur.

Në përfundim të këtij rrugëtimi të shkurtër mendor, mund të themi se e keqja që na ka zënë, nuk është përfundimtare. Ajo, si çdo e keqe, si çdo sëmundje, do bëjë të vetën dhe do zhduket. Ashtu siç do zhduket e gjithë klasa politike shqiptare, si një klasë politike antishqiptare dhe e pafrytshme. Një klasë politike ngatërrestare dhe vonuese në maksimum e ardhmërisë së shqiptarëve. Por do duhet të presim dhe pak sa gijotina e ngritur të bjerë mbi kokat e zuzarëve. Ndërkohë që presim, mund të rregullojmë ligjërimin tonë, pritshmëritë tona, idetë tona. Një ndër to është: qeveritë e këqija nuk na meritojnë. Ne meritojmë gjithmonë më shumë. Duhet t’ia themi fort vetes: Ne nuk e meritojmë një qeverisje të tillë. Edhe pse sot nuk mund të ngrihemi ta rrëzojmë, përsëri kjo pamundësi e jona nuk duhet të jetë shkas i keqqeverisjes. Ne mund të vidhemi, po asnjëherë me bekimin tonë.

 


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas