fbpx

Kryesore

8 Marsi/ Lala: Duhet shumë punë për fuqizimin e grave në shoqëri





               Publikuar në : 09:34 - 08/03/19 |
mapo.al

Flet për Mapo gazetarja Klodiana Lala, pjesë aktive e një fushate kundër dhunës ndaj grave


Bisedoi: Blerina Gjoka



Klodiana, të kemi parë të angazhuar në një fushatë kundër dhunës ndaj grave. Në punën tende si gazetare, sa e keni hasur këtë fenomen?


Dhuna ndaj gruas është shqetësuese në shoqërinë tonë. Në përditshmërinë time gjatë ushtrimit të profesionit kam trajtuar raste të ndryshme dhune fizike e psikologjike e deri te vrasja e gruas. Pasojat që mbeten pas janë traumatike, sidomos te fëmijët. Për të rritur rolin e gruas duhet shumë punë. Nis që nga mentaliteti në familje, arsimimi, punësimi etj. Gruaja nuk mund të vijojë të konsiderohet pronë apo shërbëtore, nuk mund të mbahet e mbyllur brenda katër mureve. Parë në këtë aspekt, vendosa pa hezitim t’i bashkohem nismës së gazetares Fatma Haxhialiu sepse gratë kanë nevojë për mbështetje. Duhet shumë punë për fuqizimin e grave në shoqëri dhe çdokush nga ne mund të bëjë pjesën që i takon. Ndërgjegjësimi është i domosdoshëm.

Çfarë mendon për rolin e grave në shoqëri, a po marrin peshën që duhet, po në gazetari, a ka barazi apo dominim të meshkujve?

Pavarësisht hapave të bërë gruaja në Shqipëri, përballet me pabarazi e diskriminim. Ndaj është shumë i domosdoshëm ndërgjegjësimi i saj dhe kjo nuk bëhet vetëm, por edhe me rolin aktiv të meshkujve.

Roli i gruas në gazetari?

Në pozicionet drejtuese vijon të jetë një terren i dominuar nga meshkujt. Por ndër vite njohim plot vajza e gra që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në media e që mendoj se janë vlerë e shtuar. Gazetaria është një profesion sa i bukur aq dhe i vështirë, por shembujt e vajzave e grave që ia kanë dalë ta ushtrojnë më së miri janë frymëzues.

Si e përballon një grua e nënë angazhimin në karrierë? A keni ndonjë peng ndaj familjes? 

Të jesh gazetare është e vështirë, dhe kur je edhe nënë, bëhet akoma dhe më e vështirë. I vetmi peng është koha që do të doja t’u kushtoja më shumë fëmijëve, por nga ana tjetër, familja ka qenë dhe vijon të jetë mbështetja më e madhe për mua. Pa të nuk do ia kisha dalë dot.

A vihesh para përgjegjësisë kur lexon sa shumë njerëz e vlerësojnë punën tënde dhe shprehin besim te ti në një shoqëri si e jona ku mungon besimi në institucione e te drejtësia? 

Jam munduar që gjithë vitet e mia të punës si gazetare të jem në shërbim të opinionit publik, të jem korrekte, e besueshme dhe e përgjegjshme. Jam përpjekur t’i afrohem sa më shumë të vërtetës. Sigurisht kur lexoj mesazhet e njerëzve, ose kur më ndalojnë në rrugë dhe më përgëzojnë, përgjegjësia më shtohet edhe më shumë. Shpesh pyes veten: a e meritoj gjithë këtë vlerësim e besim të publikut? Është kjo dilemë brenda vetes që çdo ditë e më shumë më shton pasionin për të qenë më e denjë profesionalisht.


Etiketa: , , , ,

Pas